Ndërsa dhjetëra gazetarë e prisnin që ai të dilte nga pallati dhe të shkonte në Gjykatë, duket se ish-ministri nuk ka dashur të përballet me median, por ka kaluar nga garazhi i pallatit. Ai ka mbërritur tashmë në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Edhe kur ka shkuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Tahiri nuk është futur nga hyrja kryesore, por është futur nga hyrja e pasme e prokurorisë, sërish duke shmangur mediat.
Pse ish-ministri i përfshirë në trafik droge i shmanget ballafaqimit me median, me anë të të cilave ai ka dhënë gjithmonë mesazhe politike?
Duket se marrëveshja e bërë me Edi Ramën për të lënë mandatin dhe për t’u lënë në masë sigurie ‘arrest me burg’ ka pasur si pjesë përbërëse edhe faktin për të mos dalë më në media.
Qëndrimi i detyruar në shtëpi nuk duket i lehtë për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Vendimi i ditës së premte i Gjykatës së Krimeve të Rënda, e detyron që të mos dalë nga banesa e tij në zonën e “Kodrës së Diellit”.
Nuk e ka shkelur atë, por është parë disa herë në ballkon me cigare në dorë, me telefon në vesh apo duke lexuar një dokument, që me gjasë është vendimi që e mban brenda katër mureve. Vendimin për dhënien e masës së sigurisë “arrest shtëpie”, burime nga Prokuroria thonë se, Gjykata e bazoi në prova të reja të servirura nga organi i akuzës, që kërkoi dërgimin e ish-ministrit në burg për akuzat e trafikut të drogës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë.