Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në mënyrë të jashtëligjshme është takuar me oficerin e arrestuar për çështjen e përgjimit, Ention Xhelili. Ky fakt është denoncuar nga një qytetar me inicialet B.I., i cili jep të dhëna në lidhje me takimin e paligjshëm të zhvilluar nga Tahiri me oficerin e arrestuar Xhelili. Ish-Kryeministri Sali Berisha ka postuar në faqen e tij në Facebook mesazhin e ardhur nga qytetari, ku ky i fundit jep të dhëna në lidhje me takimet e Tahirit. “Përshëndetje doktor, jam një qytetar që banoj, po ju informoj se dje dhe pardje ka ardhur dy herë në ditë Saje qorri me taku një nga djemtë që është arrest shtëpie me mbiemrin Xhelili. Shtëpia ku erdhi është te lapidari ‘4 Dëshmorët’ afër lokalit ‘Tripek’, në katin e 4. Flm, me respekt B.l.”, thuhet në mesazhin e postuar nga Berisha.
Ish-Kryeministri Berisha i ka bërë thirrje prokurorit që të shtojë në hetim edhe takimet e paligjshme dhe pa lejen e tij të Saimir Tahirit me të arrestuarin e përgjimit, Xhelili. “Qytetari dixhital denoncon Saje qorrin për takime të kundraligjshme me oficerin e arrestuar për çështjen e përgjimit, me mbiemër Xhelili. Saje, pasi i shiti për të shpëtuar menderen e tij, përpiqet tani t’u mbyllë gojën dhe t’i zhysë kështu më thellë në krimin antikushtetues që kanë kryer në zbatim të urdhrave antikushtetuese të Ramës, Tahirit dhe Çakos. I bëj thirrje prokurorit të shtojë në hetim edhe takimet e paligjshme dhe pa lejen e tij të Saje qorrit me të arrestuarin, Xhelilin e përgjimit apo skandalit ‘Edvin Gate’”, shprehet Berisha.
Shtetasi Ention Xhelilaj, me funksion specialist pranë Forcës Operacionale, ka kryer veprime të paautorizuara, siç është përdorimi i mjetit me pajisjen “IMSI Catcher” pa asnjë urdhër me shkrim. Veprimtaria e tij nuk është rregulluar ligjërisht nga eprorët e tij. Ai ka dijeni se në cilën pikë kufitare ka hyrë automjeti, ku qëndronte ai gjatë kohës së trajnimit dhe jashtë kësaj kohe. Ai është në dijeni të parametrave teknikë të automjetit dhe çfarë ushtrimesh janë kryer në bazë. Ky shtetas nuk ka asnjë tagër ligjor që të ishte kaq afër dhe kaq në dijeni të fakteve.
Nga këqyrja e librit të hyrje-daljeve të mjeteve dhe personave në FO, del qartë se ai ka hyrë e ka dalë me mjetin, të paktën dy herë, duke qenë në drejtim të tij. Ai ka hipur në automjet edhe ditën kur ka dalë vendimi i sekuestrimit për mjetin dhe pajisjen.
Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet mbi këtë rast, për të provuar, ndër të tjera, edhe zyrtarë të tjerë të lartë që mund të jenë përfshirë në veprimtarinë e dyshuar si të paligjshme të përgjimeve.
Ministri i Brendshëm është nën hetim për futjen e pajisjes përgjuese “IMSI CATCHER” në territorin e Shqipërisë. Prokuroria po vijon hetimet për të provuar nëse, pas veprimeve të dyshuara si të kundërligjshme, ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës thanë se, dyshimet bien mbi ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili është nën hetim bashkë me zyrtarët e policisë, “për deklaratat në lidhje me pajisjen përgjuese, por edhe për veprimet e tij”. Dyshimet janë se, pajisja përgjuese hyri në territorin shqiptar pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm dhe për më tepër, pa marrë autorizimin përkatës nga prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla.
Sipas prokurorëve është provuar tashmë se ka pasur ndërhyrje disa herë në segmentin aparat fundor-antenë të pajisjes. Nga kjo, akuza ka arritur në përfundimin se, “aparatë celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e paligjshëm të pajisjes “IMSI Catcher”.