Gjykata e Krimeve të Rënda pranon kërkesën e Saimir Tahirit për gjykim të shkurtuar. Në seancë lexohet vetëm materiali i prokurorisë që ajo kishte në dosje. Në këtë rast, Tahiri shpëton nga pyetja e dëshmitarëve dhe marrja e provave të tjera shtesë gjatë seancave gjyqësore.
Pas seancës Tahiri deklaroi se gjykata nuk duhet të kishte shtyrë për në shtator konkluzionet e prokurorit dhe të vazhdonte gjykimin pa ndërprerje.
Është një çështje që zgjat për dy vite me radhë.
Tahiri e konsideroi të tepërt shtyrjen, duke numëruar edhe shkaqet. Ndërkohë që tha se nuk ka asnjë provë kundër tij. Nuk ka asnjë element më shumë sesa ato letra që u çuan në Parlament në shtator të vitit 2017. Konkluzionet e Prokurorisë do të jepen në datë 10 shtator.
Ndërsa sot akuza solli në gjykatë edhe dokumentet e sjella nga Italia dhe Greqia. Në seancën e kësaj të hëne, prokuroria dorëzoi 4 dëshmi të përkthyera rishtazi për Moisi Habilajn, Meridian Sulajn dhe Nezar Seitin.
Ja pse Tahiri u nxeh me prokurorët
Tahiri, ish-ministër i Brendshëm, i cili po gjykohet te Krimet e Rënda për 3 akuza, “Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, është nervozuar me prokurorët në sallën e gjyqit.
“Nëse për ju është procedure, për mua është gjithë jeta ime”, ka deklaruar Tahiri, ndërsa prokurorët kërkuan dy javë kohë për pretencën.
Seanca e radhës ndaj ish-ministrit të Brendshëm do të zhvillohet më 10 shtator, ora 09:00. Sot Gjykata pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar për Tahirin dhe ish-kreun e policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i cili është shpallur në kërkim.