Tahiri, magazinë me drogë te Pusi i Mezinit

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar mesazhin e një efektivi policie, i cili denoncon magazinën me drogë të ministrit Tahiri dhe njerëzve të tij tek Pusi i Mezinit në Vlorë. “Polici dixhital denoncon: Drogën e Saje qorrit dhe tezakëve të tij në një magazinë tek Pusi i Mezinit!” shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar mesazhin e efektivit të policisë.
“Doktor, jam polic i thjeshtë në Vlorë. Kam hapur adresë Facebooku falco se këta të heqin nga puna. Këtu bëhet nami me hashash. Na çuan shefat dje në magazinë afër rezervave tek Pusi i Mezinit. Mund të ishin 500 kile hashash. Sa u futëm na tërhoqën. Sipas informacionit, droga ishte e saje qorrit dhe çunave të tezeve që ka këtu në Vlorë, Mojsiut e Tan Habilit. Nuk e di pse na kthyen neve, dhe na çuan dhe na kthyen. Këta bëjnë lekë, o vlla nuk ia dinë për njeri. Kjo do niset nesër në darkë me autobusin me targa 353 bv”, shkruan efektivi i policisë.
Tre ditë më parë, ish-Kryeministri Berisha publikoi një mesazh të një ish-efektivi policie për parcelat me kanabis të ish-deputetit të PS, Arben Ndoka. Sipas ish-oficerit të policisë, Arben Ndoka ka në zotërim 10 hektarë ara me kanabis në Skuraj të Kurbinit me lejen e drejtorit të Policisë të Qarkut Lezhë si dhe të ministrit Tahiri.
“Në arat e ish-deputetit Arben Ndoka në Skuraj Kurbin janë mbi 10 hektarë parcela të mbjella me lëndë narkotike me lejen e drejtorit të Policisë të Qarkut Lezhë si dhe të ministrit Tahiri. Janë me qindra të punësuar në këtë aktivitet kriminal, të cilët ruajnë dhe patrullojnë zonën në një distancë rreth 1 kilometër. Kanë bllokuar edhe ujin e pijshëm”, shkruan ish-efektivi i policisë.
Para dy javësh u denoncuan publikisht nga opozita arat me kanabis në afërsi të Rinasit. Janë 6 ha me kanabis që lulëzon fare afër pistës së Rinasit, në Larushk, ndërsa policia nuk guxon t’u afrohet parcelave. Denoncimi është bërë nga Kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj para medias, ndërsa publikoi video dhe pamje filmike që vërtetonin akuzat e ngritura prej tij. Janë të paktën 6 hektarëve me kanabis, në zemër të vendit, në Larushkë, 2 kilometra larg Aeroportit të Rinasit. Raportohet se këtu janë të paktën 50 mijë rrënjë, të mbjella krahu i djathtë i kryetarit të Bashkisë Krujë, partner dhe sponsorizues i tij. Shtëpia afër parcelave me drogë, është e një punonjësi të policisë, shërbëtor i kryetarit të Bashkisë Krujë, Bushi. Dhe shefi operativ i zonës, e ka banesën e tij 1 km larg këtij plantacioni me drogë.
Ndonëse denoncimi u bë publik para dy javësh, policia ende nuk ka shkuar për të korrur kanabisin, sepse pas këtyre parcelave qëndrojnë zyrtarë të lartë. Plantacionet e drogës shtrihen që nga Ujësjellësi i Bovillës për të vazhduar në të gjithë gjatësinë e saj deri në vargmalet e Krujës. Edhe këto parcela nuk preken nga policia, ndërsa ka nisur vjelja e kanabisit për t’u bërë gati për trafikim jashtë shtetit.
Shqipëria është shndërruar në një plantacion të madh droge nga veriu në jug dhe shërben si autostradë për trafikimin e drogës në Evropë. Kështu pohon një raport sekret i hartuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat—shërbimi i kontrollit të ligjshmërisë së brendshme i Ministrisë së Brendshme. Sipas tij, në të gjithë vendin janë rreth “363 zona që janë kthyer në plantacione gjigante droge”. Rajoni i Shkodrës është qarku me riskun më të lartë. Terrenet e thyera favorizojnë kultivuesit. Zbulueshmëria është akoma në nivele të dobëta nga ana e policisë,” shkruhet për Shkodrën. Për qarkun e Fierit, shkruhet se “në tre vitet e fundit, kultivimi i bimës narkotike ka marrë prioritet në të pesta bashkitë e tij: Fier, Patos, Roskovec, Lushnjë dhe Mallakastër.”
Raporti tregon me detaje përgatitjet për mbjelljen e bimës dhe rekrutimin e punonjësve nga bandat kriminale. “Ka filluar puna për rekrutimin e punonjësve për të përgatitur tokën dhe infrastrukturën për kultivimin e bimëve narkotike. Tani për tani farat e kannabis-it i kanë hedhur në gota plastike dhe i kanë vendosur në sera në mënyrë që pas rreth dy-tre javësh t’i mbjellin në gropa tashmë thuajse të hapura.”

Exit mobile version