Tahiri në traget me mafiozë të Sacra Corona Unita

Kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj akuzoi dje ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri se ka udhëtuar nën shoqërinë e disa italianëve, trafikantë droge të organizatës mafioze famëkeqe Sacra Corona Unita. Në një konferencë për median, Alibeaj shtroi disa pyetje për Kryeministrin Edi Rama.
“Kryeqehajai i Edi Ramës në punët e drogës, Saimir Tahiri, ka kohë që është zhdukur nga qarkullimi, për shkak se çdo shqiptar e di mirë se portreti i tij është i lidhur me çdo parcelë me kanabis në vend dhe me taksën 30 për qind për çdo rrënjë të mbjellë. Informacione të sigurta tregojnë se Tahiri është parë në fund të korrikut në një udhëtim të dyshimtë”, tha Alibeaj gjatë konferencës së tij.
“Kemi sot disa pyetje për Edi Ramën.
A ka qenë ministri yt i drogës, në linjën Durrës-Bari në datat 29-31 korrik, në shoqërinë e drejtuesve të rrugëve kryesore të kanabisit, Arjanit Arapi, Jaeld Çela, Boge Bodini?
Cili ka qenë synimi i këtij udhëtimi?
A ka qenë në kthim Tahiri në shoqërinë e disa shtetasve italianë në tragetin ku kishin rezervuar 3 kabinat e sipërme?
A janë regjistruar këta shtetas kur kanë hyrë në pikën kufitare të Durrësit bashkë me Tahirin në orën 22.20 të 31 korrikut?
Nëse jo, pse nuk janë regjistruar?
A keni të dhëna nga burime të brendshme apo të huaja se shtetasit italianë dyshohen të jenë përfaqësues të organizatës famëkeqe të mafias italiane, Sacra Corona Unita?
Po dalja dhe kthimi i Tahirit dhe shpurës së tij, a janë regjistruar në pikën kufitare? Nëse jo, pse jo?
Këto lëvizje që përkojnë me pikun e sezonit të hashashit dhe trafikimit të sasive të mëdha në Itali janë dëshmi tronditëse të implikimit të thellë të qehajait të Ramës në menaxhimin e transportimin e drogës.
Këto informacione e denoncimet që Partia Demokratike ka bërë me emra me njerëz e me zona konkrete të rritjes së drogës, dëshmojnë qartë se kemi të bëjmë me një biznes kriminal që ka mbytur vendin e që drejtohet nga Edi Rama.
Shqiptarët nuk e kanë bërë këtë zgjedhje. Shqiptarët do të shpëtojnë nga sundimi i bandave të drogës të lidhura me Edi Ramën. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, deklaroi gjatë konferencës në selinë e PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Artikulli paraprakDosja e plotë, kush janë 29 drejtuesit e policisë në trafikun e drogës?
Artikulli tjetërNga kunati i Xhafës tek Ina, kandidatët për në Strasburg