Tahiri, pas bandës që kërcënoi kryeprokurorin

Partia Demokratike ka reaguar dje pas aludimeve të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për një foto që ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i ka shtrënguar dorën një qytetari. Duke denoncuar se trafikanti i 130 kg drogë në Durrës është ende i lirë, PD shprehet se, “sot pritej reagimi i tij për të zbuluar se kush e kërcënoi kryeprokurorin Adriatik Llalla, ndërsa ai kërkon të mbulojë me shpifje dështimin”.
Tahiri publikoi një foto të Bashës kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës me një qytetar, të cilin e cilëson trafikant droge, por Partia Demokratike deklaron se, shpresonte që ai të arrestohej dhe të mos lihej i lirë siç ndodh me baronin e drogës, Klement Balilaj apo kërcënuesit e kryeprokurorit.
“Do të donim shumë që ky trafikanti të ishte në prangat e policisë, duke dhënë sqarime edhe për aludimet miqësore të ministrit Tahiri. Por, siç ka ndodhur deri tani, çuditërisht trafikantët i shpëtojnë policisë. Flagrant është rasti i baronit të drogës Balilajt, që shëtit i lirë dhe nën mbrojtjen e Tahirit në Sarandë”, thuhet në deklaratën për shtyp të PD.
PD deklaron më tej se, ai që është përgjegjësi kryesor i kthimit të vendit në hambar droge nuk mund të fshihet pas aludimesh. “Nuk mund të fshihesh pas aludimesh dhe akuzash kaq ordinere ti që je përgjegjësi kryesor i kthimit të vendit në hambar droge dhe njeriu që u jep mbrojtje të drejtpërdrejtë trafikantëve të drogës, gjobvënësve dhe kriminelëve. Sot, në fakt po prisnim reagimin tënd ose të kryeministrit për kërcënimin që i është bërë Prokurorit të Përgjithshëm. Thuhet se kërcënuesit janë miqtë e t’u. Urojmë dhe shpresojmë që institucionet përgjegjëse ta zbardhin sa më parë këtë ngjarje të denjë për vendet ku sundon mafia dhe krimi”, thuhet në deklaratë.
PD i kujton edhe një herë Tahirit, se nuk mund t’ia mbyllë gojën opozitës. “Në rast se mendoni se me shpifje do t’i mbyllni gojën opozitës, jeni të dështuar. Beteja totale kundër krimit, drogës dhe lidhjeve tuaja dhe të Edi Ramës me kartelin, sapo ka nisur”, përfundon deklarata e PD.

Vetëm 48 orët e fundit 4 ton drogë në Itali

Vetëm gjatë 48 orëve të fundit, policia italiane ka sekuestruar më shumë se 4 ton drogë të futur nga Shqipëria. Të enjten, policia italiane sekuestroi plot 3.2 tonë kanabis gjatë dy operacioneve në Pulia dhe Leçe. 2 tonë marijuanë nga Shqipëria, 1 kg heroinë, 100 gramë kokainë, dhjetëra bimë kanabis, koli cigaresh kontrabandë e të mira materiale u sekuestruan nga policia italiane. Sipas mediave italiane, të cilat i referohen policisë, trafikimi i kësaj sasie të madhe droge është zbuluar gjatë përgjimeve telefonike nga Antimafia italiane. Gjatë përgjimeve telefonike, ky trafikant lavdërohej se do ta mbushte territorin e Termolit në Molisse plot drogë e hashash nga Shqipëria.
Po ashtu mëngjesin e të enjtes, Guardia di Finanza e Leçes sekuestroi 1.2 tonë kanabis. Fillimisht gjatë operacionit të Guardia di Finanza u sekuestruan mbi 100 kg drogë dhe u vu në pranga një italian dhe katër shqiptarë. Një patrullë e grupit antidrogë, angazhuar në një shërbim patrullimi në afërsi të Komunës Cerano, kanë pikasur dy makina që ishin bërë pis me baltë, një “Toyota” Yaris dhe një “Fiat” Iveco Daily, që udhëtonin njëra pas tjetrës, raportojnë mediat lokale.
Një tjetër gomone nga Shqipëria me 812 kg marijuanë është kapur të pretmen në Leçe. Mediat italiane bënë të ditur se gjatë një operacioni të policisë italiane u bë e mundur kapja e mjetit lundrues me 812 kg marijuanë të ndarë në 30 pako. “Mbi 8 kuintalë marijuanë e nisur nga Shqipëria me vlerë 8 milionë euro u kap nga Guardia di Financa në brigjet e Leçes në Itali, ndërsa dy trafikantë shqiptarë në gomone u arrestuan”, shkruajnë mediat e vendit fqinj. Sipas policisë italiane, në pranga kanë rënë dy trafikantët e lëndës narkotike, D. A dhe A. B 36 vjeç dhe 38 vjeç, të dy nga qyteti i Vlorës.

R.POLISI

Exit mobile version