Tahiri reklamë kanabisit, po goditen ata që s’i kanë paguar haraç Ramës

Tahiri po i bën reklamë biznesit kriminal të lejuar e të bekuar nga Edi Rama

Partia Demokratike deklaron se, aksionet e ndërmarra nga policia për shkatërrimin e parcelave me drogë në praninë e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe gazetarëve të disa mediave që e kanë shoqëruar ditët e fundit janë një shfaqje mediatike. Me anë të një deklarate, Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD, Grida Duma, u shpreh se është duke u luftuar vetëm droga që nuk e ka paguar haraçin tek Edi Rama.
“Shfaqja e Tahirit në parcelat me drogë në mënyrë festive bashkë me gazetarët që merr me vete, më e pakta është konfirmim i dështimit të tij. Përpjekja për propagandë jep rezultatin e kundërt, pasi vërteton se kanabisi ekziston, ka mbuluar vendin, një denoncim i përditshëm i opozitës, qytetarëve dhe partnerëve tanë”, u shpreh Duma.
Duma tha më tej se, Tahiri po i bën reklamë biznesit kriminal të lejuar e të bekuar nga Edi Rama. “Edi Rama e ka mohuar deri tani se, Shqipëria është mbuluar me drogë, por sot kemi menaxherin e tij kryesor në këtë fushë, Tahirin, që pozon i gëzuar nëpër parcela me kanabis. Kjo shfaqje e turpshme nuk e mbulon dot të vërtetën tjetër të hidhur të këtij fenomeni. Që në Shqipërinë me miliona rrënjë kanabis, digjen ca bimë në mënyrë selektive. Kapet ajo drogë që nuk ka paguar taksën 30 përqind tek shefat, tek Tahiri, tek Rama”, tha Duma.
Këtë e di kushdo, dhe kjo ndërhyrje, nuk është veçse një shërbim tjetër edhe më i madh që u bëhet bandave të licencuara të qeverisë, që ta kenë të gjithë tregun për vete. Këto aksione sa për show, janë gjithashtu një presion që Edi Rama u bën trafikantëve klandestinë, që të paraqiten sa më shpejt, të regjistrohen në defterët e tij, të paguajnë haraçin.
E vërteta e këtyre aksioneve nuk është aspak, askush i paprekshëm”, por askush s’mund të merret me kanabis pa paguar pjesën tek shefat, tek Tahiri, tek Rama. “Të vetmit të paligjshëm janë ata që guxojnë t’i shpëtojnë skemës së 30 përqindëshit. Ky është realiteti i sundimit të vendit nga droga e nga bandat e Edi Ramës. Kjo është sot Shqipëria e rrënuar nga ekonomia kriminale e hashashit. Është koha, që shqiptarët të bashkohen e ta pastrojnë vendin nga droga, nga krimi, nga bandat e kumbarët e tyre në qeveri. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, përfundoi Duma.

Ku i humbën policisë 4 trafikantë droge të arrestuar?
Policia e Shtetit asgjësoi ditën e djeshme 40 mijë bimë narkotike kanabis sativa të kultivuara pranë shtratit të lumit të Vjosës në vendin e quajtur ‘Ura e Poçemit’. Në aksion morën pjesë FNSH, RENEA, Guarda di Finanza e Policia e Vlorës. I pranishëm ka qenë edhe zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato, i cili deklaroi të martën për gazetarët nga vendi ku po kryhej asgjësimi i kanabisit, se ishin arrestuar 8 persona.
“Për momentin 8 autorë të dyshuar të këtij aktiviteti u kapën brenda perimetrit të kësaj zone, të cilën e kemi evidentuar si zonë që kultivohet bimë narkotike”, tha ndër të tjera Qato. Por, në njoftimin e sotëm zyrtar të policisë, rezulton se janë arrestuar 4 persona nga 8, të cilët u kapën në flagrancë në parcelat me kanabis sativa.
Të arrestuarit janë Sokol Lelaj 23 vjeç, Altin Lelaj 24 vjeç, Hamet Bital 21 vjeç dhe Nexhim Lamaj. Sa u përket 4 personave të tjerë të ndaluar që bëri me dije nëndrejtori i Policisë së Shtetit, nuk dihet asgjë. Parcelat me kanabis u evidentuan gjatë monitorimit nga ajri dhe në operacion ishin të pranishëm edhe gazetarë të ndryshëm për të ndjekur nga afër punën e policisë.
R.POLISI

Administratori i Pultit u arrestua pasi raportoi për 2 mijë parcela me drogë

Kryetari i Njësisë Administrative Pult në Dukagjin, Tomë Marku, ka përfunduar në pranga, pasi raportoi për 2 mijë parcela me drogë. Prej tre ditësh, Marku ndodhet në qeli, pasi u arrestua nga policia si posedues droge dhe si kultivues të saj. Policia bëri të ditur pas arrestimit të tij se në banesën e Tomë Markut u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 kg 303 gramë lëndë narkotike si dhe një armë gjahu me 6 fishekë.
Ndërkohë bëhet e ditur se Kryetari i Njësisë Administrative Pult, Tomë Marku jeton në Shkodër ndërsa në banesën e tij në Pult nuk banon asnjë njeri. Është e çuditshme se si është gjetur droga dhe arma në banesën e tij. Familjarët hedhin dyshime se droga dhe arma mund të jetë futur nga policia në banesë për ta arrestuar. Këto dyshime hidhen, pasi Administratori i Pultit, Tomë Marku, vetëm dy ditë para se të arrestohej, foli publikisht për identifikimin e parcelave me drogë dhe kishte kërkuar asgjësimin e tyre.
“Kena ba identifikimin e të gjitha ngastrave dhe kena mundësu krijimin e grupeve. Për çdo fshat janë kriju grupe nga tre veta; janë kontrollu të gjitha ngastrat, janë sensibilizu të gjitha familjet pasi janë rreth 2000 e sa parcela. Pra, kena identifiku të gjitha parcelat. Kjo ka zgjat nja dy muaj edhe ma në fund i kena dalë në krye punës dhe mbaruam me këtë proces. Zakonisht, aty ku asht` gjet drogë është gjet në toka pa pronar, pra në mal, në toka inproduktive që s`janë të regjistrueme. Unë kam marrëdhënie shumë të mira me punonjësin e policisë dhe punonjësin e rendit të zonës. Unë shkoj vetë për çdo javë nëpër terren që në zonën e Pultit të mos mbrohet ndonjë parcelë ose ndonjë kultivues i bimës narkotike. Unë di që në zonë nuk ka ndonjë banor që ka kultivuar bimë narkotike”, deklaroi Marku në një takim me drejtues vendorë dhe kryepleqtë e zonës.
Gjatë një aksioni, policia bëri të ditur se shkatërroi mijëra rrënjë kanabis në zonën e Dukagjinit, kryesisht në komunat Pult dhe Temal, por bëhet e ditur se nuk janë goditur parcelat që janë në pronësi të krerëve të policisë, të cilët bashkëpunojnë me trafikantët. Administratori i Pultit ka raportuar pranë organeve kompetente se vetëm në Pult ndodhen 2 mijë parcela me drogë, por policia ka shkatërruar vetëm 1 të qindën e tyre. Pjesa më e madhe e parcelave në këtë zonë, ashtu si në të gjithë vendin, nuk preken pasi zotërohen nga krerët e policisë, të cilët një pjesë të fitimeve e dorëzojnë tek Rama dhe Tahiri.

Exit mobile version