Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri do të merret në pyetje sot në Prokurori për sulmet dhe denigrimin e figurës së gjyqtarit Arjan Aliaj. Sulmet e Tahirit ndaj gjyqtarit Aliaj u ndërmorën, pasi ai kishte dhënë masën e pezullimit nga detyra për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako për skandalin e përgjimeve ilegale nga policia. Prokuroria ka nisur hetimin ndaj Tahirit pas padisë së bërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për kërcënim dhe denigrim të figurës së gjyqtarit.
Pas nisjes së hetimit, organi i akuzës ka sekuestruar pamjet e konferencave të shtypit, në të cilat ministri Tahiri shfaqet duke hedhur akuza të pabaza ndaj gjyqtarit Aliaj dhe duke baltosur figurën e tij. Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se, ka sekuestruar pamjet filmike me zë dhe figurë të konferencave për shtyp të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri kur sulmonte gjyqtarin Arjan Aliaj.
Në disa dalje publike Tahiri ka sulmuar, fyer dhe kërcënuar gjyqtarin Aliaj. “Ky Aliaj është fytyra e vërtetë e gjyqtarëve të korruptuar në sistemin e drejtësisë. Përfaqësuesi më evident i korporatës së të korruptuarve dhe shërbëtorëve politikë që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka se detyrën e kanë dhuratë nga pushteti”, është shprehur Tahiri për gjyqtarin Aliaj. “As në kohën e komunizmit vendimet e gjykatave nuk ishin paçavure, as në kohën e komunizmit gjyqtarët nuk ishin kështu. Flasim për gjyqtar që ka liruar vrasës e përdhunues, sot ka marrë vendim për arrest shtëpie dy oficerë policie me këto argumente. Argument banal, për të bërë qokën politike të radhës. Vendimet më banale që mund të dilnin nga një gjykatë shqiptare”, tha ai. Madje, Tahiri e ka cilësuar sulmin e tij ndaj gjyqtarit si një betejë, e cila sapo ka filluar.
Menjëherë pas pezullimit nga detyra me urdhër të Prokurorisë, të kreut të Policisë së Shtetit, Haki Çako si dhe arrestimin e dy punonjësve të policisë për “shpërdorim detyre”, Tahiri akuzoi gjyqtarin Aliaj për dhënie të vendimeve të padrejta në lidhje me çështjen e pajisjes së përgjimit. Gjatë sulmeve të tij, Tahiri nuk nguroi të risillte në vëmendje edhe çështje të tjera të gjyqtarit Arjan Aliaj, duke hedhur baltë mbi të.
Në kallëzimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë thuhet se, ministri me daljet e tij publike ka kanosur gjyqtarin Arjan Aliaj. Sipas kallëzimit të bërë në Prokurori, ministri Tahiri me deklaratat e tij ka fyer, denigruar dhe kanosur gjyqësorin në tërësi dhe në veçanti gjyqtarin Arjan Aliaj. Pasi ky i fundit, me kërkesë të Prokurorisë më 6 qershor të këtij viti, vendosi pezullimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Ky pezullim erdhi pas dyshimeve të ngritura nga Prokuroria për përfshirjen e drejtorit Çako në skandalin e përgjimeve.
Prokuroria pretendoi se drejtori Çako ka konsumuar elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, pasi nuk administroi dhe procedoi sipas ligjit për aparaturën e përgjimit të hyrë në Shqipëri nga autoritetet e Interforcës italiane. Kallëzimi ndaj Tahirit erdhi pas reagimeve të shumta të gjithë njerëzve të drejtësisë, të cilët dënonin ashpër gjuhën fyese e denigruese të ministrit ndaj gjyqtarit. Veç Shoqatave të Gjyqtarëve dheP ka reaguar edhe KLD-ja, e cila e cilësonte të papranueshëm fjalorin e ministrit.
Me marrjen dhe administrimin e pamjeve filmike, Prokuroria do të vlerësojë nëse në deklaratat e ministrit Tahiri ka elementë të veprës penale të “kanosjes” ndaj gjyqtarëve. Gjithashtu, pritet që thirret në Prokurori edhe gjyqtari Aliaj për të dhënë spjegimet e tij.
R.POLISI