Ish-ministri Saimir Tahiri ka marrë në telefon drejtorin e Policisë së Elbasanit, Altin Qato dhe i ka kërkuar që të zhdukë patentat e tij nga makina e Orest Sotës. Deklarata e fortë është bërë nga ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, në emisionin “360 gradë” në “OraNews”. Demiraj është shprehur se, në momentin që po kryeheshin veprimet e policisë, Tahiri i ka telefonuar Qatos dhe i kë thënë; të lutem largo patentat. “Në ato momente kur po kryheshin veprimet e policisë, ish-ministri Tahiri i ka telefonuar Qatos; të lutem largo patentat. Ndoshta nuk i ka telefonuar nga telefoni i vet. Merrni verifikoni tabultatet nëse zotit Qato nuk i është kërkuar të largojë patentat. Kjo është e konfirmuar nga policët që ishin aty”, u shpreh Demiraj.
Ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj është shprehur më tej se, në makinën e Orest Sotës u bllokuan 863 mijë euro, por ishin 2-3 herë më shumë dhe kjo është konfirmuar edhe nga policët që ishin në vendin e ngjarjes. “Në automjet ishin disa herë më shumë para, 2 ose 3 herë më shumë. Prerjet e mëdhaja u morën nga personi i dytë që ishte në makinë, ishin prerje 500 dhe 200 euroshe”, tha Demiraj. Duke iu referuar policëve që kanë bërë kontrollin e makinës, ish-ministri i Brendshëm tha se ata kanë deklaruar se paratë ishin të shpërndara në makinë.
Orest Sota u arrestua nga Policia e Elbasanit më datën 1 nëntor, por policia mbajti të fshehtë lajmin dhe u detyrua ta publikojë pas denoncimit të kryetarit të PD, Basha. Në njoftimin e saj, Policia fillimisht nuk e deklaroi shumën e eurove të bllokuara dhe gjetjen e dy patentave të drejtimit të mjeteve lundruese në emër të Tahirit në makinën e Sotës. Policia deklaroi se; “Më datë 01.11.2017 është arrestuar nga Policia e Elbasanit shtetasi O.S., sepse nuk i ka ndaluar postbllokut të policisë. Gjatë kontrollit në makinë u gjetën një shumë eurosh”.
Dy ditë më parë drejtori i Policisë së Elbasanit, Altin Qato u thirr në një takim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Qato është futur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në orën 14:00 të ditës së enjte dhe ka qëndruar aty për më shumë se një orë. Burimet bënë të ditur se, Qato është pyetur për arrestimin e biznesmenit Orest Sota në Elbasan dhe për 863 mijë eurot dhe për 2 patentat për mjete lundrimi në emër të ish-ministrit Saimir Tahiri që u gjetën në makinë.
Hetimet e Prokurorisë
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbuluar se paratë e sekuestruara nga policia në makinën e Orest Sotës në 1 nëntor nuk janë tërhequr nga ndonjë llogari bankare. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, shuma e eurove të sekuestruara në makinën e Orest Sotës nuk përmbante shiritat përkatës sikundër ndodh në rastet e tërheqjes së shumave të tilla. Prokuroria i ka kërkuar bankave të nivelit të dytë informacion zyrtar nëse një shumë e tillë është tërhequr nga biznesmeni apo familjarë të tij nga këto institucione dhe ka rezultuar se, Sota dhe të afërm të tij nuk kanë tërhequr shuma të mëdha parash në asnjë bankë. Gjithashtu konfirmohet se, në automjetin e Sotës janë gjetur 3 patenta, dy në emër të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe një tjetër në emër të bashkëshortes së tij.
Burimet theksojnë se po verifikohen gjithashtu marrëdhëniet mes biznesmenit dhe kompanisë “Kurum”, nëse mes tyre ka pasur apo jo bashkëpunimeve të mëparshme dhe si janë kryer pagesat. Bëhet e ditur se, prokurorët kanë sekuestruar librin e shitjeve të “Kurum”, ku regjistrohen të gjitha raportet tregtare mes kompanisë dhe bizneseve të ndryshme. Verifikimi i këtij libri pritet të çojë prokurorët në konkluzionet nëse mes firmave të biznesmenit Sota ka pasur apo jo marrëdhënie tregtare me kompaninë “Kurum”.
Për ngjarjen e ndodhur rreth 10 ditë më parë, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka shmangur çdo koment apo sqarim publik, ndërsa një ditë më parë Dritan Demiraj, i cili drejtoi Ministrinë e Brendshme për rreth 4 muaj, tha se nga punonjës të Policisë së Elbasanit ka mësuar se sasia e parave në automjet ishte 2-3 herë më e madhe sesa ajo e sekuestruar. Gjithashtu Demiraj tha se ish-ministri Tahiri i ka kërkuar kreut të Policisë së Elbasanit, Altin Qato, që të fshihte patentat e gjetura në automjet.
R.POLISI