Tahiri, tender 137 milionë për kontrollin e mjeteve nga policia

Ministria e Brendshme ka hapur një tender për “blerjen dhe montimin e sistemit të kontrollit me GPS të mjeteve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë”. Mësohet se fondi është 137 milionë lekë pa TVSH. Bold News ka siguruar dokumentet e këtij tenderi. Sipas Policisë së Shtetit, procesi po bëhet për përmirësimin e punës dhe rritjen e shpejtësisë së veprimit ndaj ngjarjeve kriminale. Sipas saj, policia po ndërton një infrastrukturë të gjerë në monitorime dhe raportime online nëpërmjet sistemeve informatike. Një prej këtyre është dhe sistemi i monitorimit GPS. Por hidhen dyshime se tenderi është paracaktuar se kujt do t’i jepet dhe dyshohet se pajisjet do të blihet më lirë nga sa është parashikuar në tender.
“Sistemi është mjaft fleksibël dhe ju krijon mundësinë për të zgjedhur pajisjet e preferuara për monitorim dhe është kompatibël me pjesën më të madhe të pajisjeve sot në treg. Në këtë mënyrë kemi avantazhin të ketë një gamë të gjerë pajisjesh të instaluara nga prodhues të ndryshëm, sipas kërkesave specifike dhe kostos për pajisje. Sistemi duhet të ofrojë të dy mënyrat e komunikimit, nëpërmjet GPRS dhe SMS, të jetë multigjuhësh dhe mund të përshtatet në ngjyra dhe logo sipas preferencave te përdoruesit. Integrimi me pajisje dhe aksesorë të tjerë është tjetër avantazh i specifikimeve për sistemin dhe pajisjet”, thuhet në dokumenta.
Sipas saj, salla operative e Drejtorisë Vendore Tiranë përbëhet nga 40 kompjuterë me sistem operativ. “Qëllimi i këtij prokurimi është për ngritjen e sistemit GPS me komponentët HW dhe SW përkatës për pajisjen e automjeteve të Policisë së Shtetit shqiptar”, thuhet në këto dokumente. Më tej shtohet se, objekti i këtij investimi është blerja e pajisjeve dhe programeve të gatshme për sistemin e monitorimit të automjeteve nëpërmjet GPS siç janë pajisjet GPS/GSM, ekrani i monitorimit etj.
Patrullimi i makinave të Policisë në Tiranë lë shumë për të dëshiruar. Shpesh kemi parë që në rrugica dytësore, apo në cepa pallatesh, qëndrojnë për një kohë të gjatë autopatrulla të policisë. Një gjë e tillë bëhet nga vetë efektivët, të cilët në këtë rast “përtojnë” që të lëvizin me automjete. Madje, ka pasur raste që shoferët shesin naftën e këtyre mjeteve, duke u justifikuar tek shefat më pas se kanë patrulluar për disa orë.
Pak kohë më parë, Ministria e Brendshëm u përfshi një tjetër skandal korruptiv për blerjen e kamerave të policisë. Fillimisht ministria publikoi se do të zhvillohej tenderi me vlerë 700.000 euro, por Tahiri ka shmangur tenderin duke e vlerësuar këtë projekt 5.7 milionë euro. Burimet nga Ministria e Brendshme bënë të ditur se ministri Tahiri kishte nënshkruar një urdhër për të kaluar pa asnjë procedurë prokurimi, nën siglën “kontratë sekrete”, për blerjen e pajisjeve që do të shërbejnë për monitorimin online të policisë. Nënshkrimi i këtij urdhri vjen më pak se një muaj, pasi Kryeministri Rama e prezantoi si një “projekt ambicioz”, pajisjen e çdo polici me kamer në trup për monitorimin e sjelljes së tyre.
Gjatë prezantimit, Tahiri deklaroi se ky projekt do të realizohet brenda një periudhe kohore prej 60 ditësh. Mësohet se ministri Saimir Tahiri ka urdhëruar dhe u ka bërë presion strukturave të policisë që të kryejnë procedurat për këtë shërbim si “kontratë sekrete” pa procedura prokurimi. Për këtë qëllim, ai ka ngritur një grup pune të orientuar politikisht, i cili ka dalë në konkluzionin se shërbimet e kërkuara janë të “karakterit sekret”, duke i propozuar ndjekjen e procedurave të negocimit, aspak konkurruese, për kontraktimin e 5.7 milionë eurove.
Shmangia nga procedurat e prokurimit të blerjes së kamerave të policisë mësohet se ka vënë në vështirësi të madhe një pjesë të specialistëve dhe drejtuesve të IT, të cilët e kanë pasur të pamundur të argumentojnë blerjen e kamerave të policisë, si rast të një “kontrate sekrete”.

Exit mobile version