‘Tak-Tak-u’ i SPAK-ut në derën e Erjon Veliajt!

Nga Namir Lapardhaja

Ashtu siç pritej, SPAK ka trokitur në derën e Erjon Veliajt.
I akuzuar për inceneratorin e Tiranës dhe për skemën korruptive të 5D, politikani që administron buxhetin e dytë më të madh në vend, pas qeverisë, duhet të përgjigjet përpara drejtësisë.
Më herët ndaj tij Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një hetim pasuror, ashtu siç ka bërë edhe në raste të tjera, sipas parimit ‘ndiq paranë’.

Është e qartë se anatemuesit e SPAK-ut dhe ata që tjerrin në media variantin e hetimeve me regji do ta relativizojnë këtë çështje, duke e paraqitur si një përplasje të brendshme mes klaneve të PS-së apo si një ‘tradhëti’ të Edi Ramës për të shpëtuar veten.

Gjithmonë ka një pjesë që e beson këtë variant përderisa ka të ‘apasionuar’ pas teorive konspirative, duke e shpjeguar gjithçka pas skemave të gatshme të këtyre teorive, mirëpo ajo që po ndodh në realitet mund të besohet vetëm nga ata që u trokasin hetuesit e BKH-së dhe prokurorët e SPAK-ut në derë.

Familjarët e Veliajt edhe mund të mos ia kenë hapur derën atyre, por kjo nuk është më çështje dëshire. Është një realitet me të cilin duhet përballur.

Fatkeqësisht Veliajn nuk mund ta shpëtojnë as sulmet e Berishës dhe Metës ndaj Prokurorisë së Posaçme, as vendosja në krye të Komisionit ANTI SPAK të besnikut të tij Fatmir Xhafaj.
Është shumë vonë.

Në PS mund të trokiten gotat për këtë ‘fitore’ të sotme, ashtu siç mund të ketë bërë dikur Veliaj kur u godit Saimir Tahiri.

Por të mos harrojnë: Veliaj nuk është i fundit që do të bjerë në rrjetën e SPAK-ut, kështu që ‘mos u gëzo o i gëzuar dhe mos u hidhëro o i hidhëruar’.

Artikulli paraprakAgjentët e BKH mësyjnë shtëpinë e Erion Veliajt për kontroll, familjarët nuk pranojnë të hapin derën
Artikulli tjetërBerisha, tjetër “pazar” me Ramën: PS dhe PD bëhen bashkë për të përmbysur skemën e ripërtëritjes në Gjykatën Kushtetuese!