Presidenti i Skënderbeut ndezi puron e radhës pas golit të Latifit, i gëzuar dhe i relaksuar për të shijuar i qetë deri në fund ato pak minuta që kishin mbetur për t’u luajtur në Çeki. Por, kur ende nuk kishte bërë më shumë se pesë thithje, gjithçka i është “prerë në mes”. Skënderbeu i tij pëson golin e dytë, për më tepër me finte. Pavarësisht se ishte gati ta flakte puron nga inati, Takaj vazhdon ta shijojë, duke qetësuar veten se ka ende edhe një ndeshje. Është presidenti më i suksesshëm në futbollin shqiptar dhe e di mirë se skuadra e tij nuk dorëzohet kurrë.
“Nuk është se bëmë ndonjë lojë të bukur, por barazuam në një moment të mirë. Shënuam në minutën e 86-të, por u ndëshkuam menjëherë pas një minute. Dhe të ndëshkohesh në mënyrë të tillë është një gabim i pafalshëm. Është për të ardhur shumë keq”, shprehet fillimisht i zhgënjyer Takaj.
“Mlada rezultoi ashtu siç e prisnim, një skuadër e fortë. Në Çeki është një prej skuadrave më të forta. Pas tri ekipeve të para kryesuese që janë me buxhete të konsiderueshme, vjen Mlada. Është gjithmonë aty dhe u hap probleme skuadrave të forta të Çekisë”, tregon presidenti korçar opinionin e tij për skuadrën çeke.
Por, Takaj ka një mesazh për të gjithë tifozët: “Pavarësisht humbjes, rezultati 2-1 është i mirë. Kemi shanset tona për të kaluar në turin tjetër. Në Elbasan do të jetë një tjetër histori. Të jeni të bindur se në sfidën e kthimit do të shihni një Skënderbe ndryshe nga ky i sotmi. Mund të them se sot, pamë Skënderbeun më të dobët të të gjitha këtyre ndeshjeve deri tani në Kupat e Europës. Megjithatë, rezultati mendoj se është i mirë për ne dhe i kemi të gjitha mundësitë për t’u kualifikuar në turin tjetër”.
Në fund të bisedës, i relaksuar dhe më i qetë pas humbjes, presidenti gjen vend edhe për batuta. “Dhe premio që kemi vendosur për kalimin e turit është 50 mijë euro dhe jo 100 mijë siç ishte raportuar nga gazeta. Unë për vete i jap 50 mijë, nëse jepni edhe ju 50 mijë, jam dakord që çunat të marrin 100 mijë euro. E meritojnë”, mbyll duke qeshur bisedën për gazetën presidenti i Skënderbeut.