“Takimet me Kadarenë, mbresa që nuk shlyhen kurrë”

Nga Niko Kacalidha

Një ndjenjë e veçantë mirënjohjeje, adhurimi dhe një afinitet fisnikërie më shtyn të shkruaj këto radhë për Ismail Kadarenë, personalitetin e shquar të letrave, aq afër estetikisht me brezin tim, adhuruar, kuptuar dhe këshilluar me të edhe në distancën e heshtjes më mirë se në çdo afërsi tjetër. Ishte edhe ideja e mikut tim botues, Bujar Hudhri, sidomos pas parathënies së Kadaresë në vëllimin Pagëzimi i zogjve, që më nxiti. Unë besoj se personalitetet e mëdha të letrave nuk kanë nevojë për fjalë të mëdha, aq më shumë kur bëhet fjalë për një kandidat për çmimin “Nobel” si Ismail Kadareja. Janë disa mbresa dhe momente personale të regjistruara brenda meje aq sa nuk mbajnë më dhe kërkojnë të dalin dhe jashtë meje. Në jetën letrare të çdo krijuesi fillestar, sidomos në atë të fillestarit, jam i bindur gjithsesi se u duhen modele dhe idhuj. Edhe sikur të mos i gjejnë në realitetin ku jetojnë, patjetër do t’i krijojnë vetë me fantazinë e tyre.

Të privilegjuar janë ata që kanë jetuar në një kohë me idhullin e tyre. Edhe unë gjatë rrugëtimit kam pasur modelet dhe idhujt e mi, disa prej të cilëve të gjallë dhe disa të vdekur. Midis tyre nuk mund të rri pa përmendur ndër të parët ata që me veprën e tyre më kanë lënë përshtypje të pashlyeshme, dy krijues ballkanas: një nobelist dhe një kandidat për çmimin “Nobel”, greku Odiseas Elitis dhe shqiptari Ismail Kadare. Ndërsa i pari, Elitis, i njohur vonë prej meje si person fizik dhe si krijues, pata nderin të më priste i ftuar një orë e ca një paradite janari 1996 në banesën Skufa 23 në Kolonaqi, Athinë, ku folëm çiltër, shtruar, si të barabartë, për shumë gjëra rreth nesh, duke u përqendruar sidomos në poezinë dhe përkthimet, unë dyzetecavjeçar dhe ai tetëdhjetë e katër, në apogjeun e karrierës poetike, i dyti, Kadareja, si krijues ka qenë brenda meje që në fillimet e mia dhe libri i parë që doja të imitoja gjatë leximeve të fëminisë ishte Princesha Argjiro, dhuratë e babait për Vit të Ri, nga librat e parë që më kishte ndihmuar të mësoja gjuhën shqipe.

Legjendë e poetizuar që kisha lexuar në disa variante të Epirit të Veriut e të Jugut, lexohej edhe për një arsye tjetër rrëqethëse: kalaja e përgjakur e Gjirokastrës, ku legjenda nënkuptonte qëndresën, tani ishte kthyer në burg torturash ku kishte kaluar për njëfarë kohe dhe im atë. Odiseas Elitis, veç të tjerash, më foli për Luftën Italo-Shqiptaro-Greke (siç e quan Kadareja këtë luftë), ku kishte marrë pjesë si nëntoger dhe ishte frymëzuar për poemën Këngë heroike dhe e përzishme për nëntogerin e rënë në Shqipëri dhe kryeveprën tjetër Aksion esti. Kur i thashë se nuk jam unë i pari që do të përkthej poezinë e tij në gjuhën shqipe, se Ismail Kadareja ka përkthyer para meje fragmente nga Këngë e përzishme për nëntogerin e rënë në Shqipëri, më pyeti për Kadarenë dhe kur i thashë se pa Kadarenë nuk e di ku do të më çonte fati, ai sikur u përqendrua dhe me pamje meditative e quajti të përmasave të mëdha që me veprën e tij nderon sot ballkanasit në botë. Dhe ndërsa kisha krijuar mitin tim se shkoja të takoja perëndinë e dymbëdhjetë të grekëve, dilja i emocionuar pas takimit sikur zbrisja nga Olimpi, edhe për faktin se ai kishte lexuar poezinë time, por edhe se do ta përktheja nga origjinali, ndaj më jepte të drejtën e përkthimit bashkë me ca porosi dashamirëse dhe konstruktive: të mos bëhesha skllav i fjalës, mjafton të gurgullonte fjala. I ndodhur midis dy idhujve të mi, bashkëkombësit Elitis dhe bashkështetasit Kadare, unë kthehesha te Kadareja, personaliteti krijues ndërlidhës gjatë takimit tonë, edhe ky një perëndi, sipas kriterit tim të hierarkisë së vlerave të botës, në një Olimp tjetër që mbase ai i pari e krijonte dhe printe përpjetë në rrugën e ngjitjes shqiptare. Kështu e bëja unë hierarkinë time letrare atëherë, pa marrë parasysh qortimet për hiperbolizime e glorifikime.

Emrin Ismail e kishte një çam, një mik shtëpie, që na furnizonte me mallra dhe ushqime dhe gjyshja, duke lidhur kalin në shtyllën e pjergullës në oborr, e priste me: ella kaimene Zmaili, “eja Zmail i shkretë” (Zmail për Ismail); ai para se të ulej të hante bënte kryqin dhe ia kthente gjyshes: o theos na su to dosi kyra Ollga, “zoti të dhashtë zonja Ollga” dhe vazhdonte të sqaronte se edhe ata ishin të krishterë dhe u myslimanizuan vonë në kohën e Turqisë. Gjyshja, që e dinte mirë Dhiatën, i thoshte se Ismaili përmendet në Dhiatën e Vjetër. Kështu në mënyrë të çuditshme pleksen gjërat midis tyre në botë si gishtat e njërës dorë ndërfutur në ata të tjetrës edhe në variantin e një emri. Gjirokastrën e kisha njohur një ditë me mjegull kur u gdhiva me temperaturë të lartë dhe gjyshja e alarmuar më çoi për vizitë orë të tëra rrugë midis maleve duke marrë me radhë mjekët e famshëm të qytetit: Kalivopullin, Labovitin, Vasilin e madh dhe Vasilin e vogël, miq të doktor Litos, kushëriri i nënës sime, gjatë Luftës mjek në Prishtinë dhe pastaj në Tiranë. Ishin dy ditë me mjegull që përshkuam si midis një tuneli kafkian si labirinti, vajtje-ardhje, fushën e Dropullit dhe një natë pis në qytet ku fjetëm në shtëpinë e një mikeshe gjirokastrite të gjyshes. Më vonë, sa herë lexoja diçka nga Kadareja, sidomos romanin Kronikë në gur, si në vegime më dilnin përpara ajo natë pis dhe dy ditët me mjegull. Gjyshja nuk i hidhte sytë nga kalaja për hir të babait. E kundërta ndodhte me të sa herë kalonim nga Gjirokastra, më tregonte kalanë ku kishte kaluar netët e tij dhe ku ishte vrarë dhe një fqinji ynë, pastaj kalonim nga miku i tij librashitës për ndonjë botim të Kadaresë. Ky qytet, ku as Shën Kozmai nuk kaloi se sipas profecisë do të lindte djalli vetë dhe nënkuptonte me djall udhëheqësin, ka nxjerrë shkrimtarin e madh Ismail Kadare, thoshte babai dhe duke bërë qyfyre me Alizotin, që edhe ky i shkelte syrin sikur gjoja mbronte djallin e qytetit.
*
Leximet e mia para zbulimit të Kadaresë, aq sa mund t’i quaje lexime në atë moshë, por të regjistruara mirë në diskun e fëminisë, ishin nga letërsia klasike greke, librat e babait sjellë nga studimet në Greqi, dy poemat homerike, Iliada dhe Odiseja, tragjeditë e Eskilit, Sofokliut, Euripidit, Ungjilli, Libri i ëndrrave, një libër me këngë popullore greke dhe nga letërsia botërore, Makbethi, Ferri, Fausti, Lindja e tragjedisë etj. Nga poezia greke, pa dalë akoma nga Leshnica, fshati i lindjes buzë kufirit midis dy shteteve, kisha lexuar Solomos, Vallaoritis, Pallamas dhe disa fragmente në antologji shkollore nga poezia e mëvonshme e viteve tridhjetë, Ricos, Varnalis, Ludemis etj. Mbarova shkollën fillore dhe, për fat të mirë a të keq, por besoj se fatthënat e kishin pleksur për të mirë, nuk m’u dha e drejta të vazhdoja shkollë të mesme si shumica e moshatarëve të mi. Atëherë u gjend tezja Eleni dhe burri i saj Theofani që, me dashamirësinë dhe përkujdesjen e një prindi, më morën si djalin e tyre në Berat dhe mbarova gjimnazin. Në biografinë e këtij oficeri të përjashtuar më vonë nga Partia, se gjoja në një stërvitje kishte mburrur një ushtarak të lartë të grupit të Ballukut, ishte shënuar veç të tjerash se kishte strehuar për katër vjet një të deklasuar si unë. Unë vazhdoja në gjimnaz të lexoja e të përvetësoja shqipen dhe krahas greqishtes, që kisha filluar të shkruaja herët, tani mbushja blloqet dhe ëndërroja poetikisht edhe në gjuhën shqipe.

Preferoja në Shtëpinë e Pionierit kursin e pikturës që drejtohej nga Vlash Droboniku dhe të letrarit të ri që drejtohej nga Sulejman Mato, miq të mi të mëvonshëm. I treti gjatë atyre viteve ishte Sadik Bejko, që zbriste sidomos të shtunave nga fshatrat malore ku punonte si mësues e flisnim për poezinë. Mbaj mend një të diel në librari prisnim gazetën “Drita” ku ishte botuar Kënga e xha Canes dhe Sadiku fluturonte se poezinë e kishte pëlqyer Kadareja. Një shoqe klase kishte babain në zyrat e larta dhe nga dora e tij kalonin dhe kontrolloheshin të gjithë librat që vinin nga Greqia, shumica e të cilëve sipas porosisë nuk i jepeshin marrësit dhe i mbante në shtëpinë e tij. Ajo më ftonte shpesh në shtëpi për detyrat e matematikës, por më shumë më ndihmonte në gjuhë, se kisha mangësitë e njohura. Atje m’u dha mundësia të lexoja disa nga librat e ndaluar të Ricos, Varnalis, Ludemis, Livadhitis, që m’i jepte me të drejtë kthimi pa lejen e babait. Ishte e habitshme, ndonëse këta botërisht konsideroheshin si krijues të majtë, censura shtetërore i ndalonte.
*
Një fat i madh për gjithë krijuesit dhe një ngjarje e madhe kulturore për qytetin e Beratit ishte ardhja e Ismail Kadaresë. Ishin lëvizjet e çuditshme imituese të revolucionit kinez ku shkrimtarët si marioneta dërgoheshin në bazë për njëfarë kohe për njohjen e jetës. Bëheshin aksione kundër zakoneve prapanike dhe hapjen e tokave të reja dhe në krye gjeje edhe shkrimtarë militantë partie të ardhur nga Tirana, por asgjëkund nuk të kapte syri Ismail Kadarenë që e kërkonim kudo për ta parë me kureshtje fizikisht si njeri, të paktën si ecte, se fotografinë e tij me një kapardine origjinale me spaleta, të nxjerrë nga një revistë, e mbaja midis faqeve të vëllimit Shekulli im. Kontakti i parë këtu me letërsinë cilësore, qoftë me atë origjinale në gjuhën shqipe, qoftë të përkthyer nga gjuhë të tjera, ishte me veprën e Kadaresë.

Varantin e parë të Gjeneralit të ushtrisë së vdekur, një roman me pak faqe, e kisha si libër xhepi, në kuptimin e rilexoja dhe e shfletoja herë pas here për kënaqësinë estetike të një lexuesi të apasionuar për mënyrën dhe stilin e të shkruarit, madje e ruaja në bibliotekën time, kur u transferova nga fshati në Sarandë. Gjeneralin e ushtrisë së vdekur e pata referat në gjimnaz dhe çuditërisht, nga dëshira e vazhdueshme për ta shijuar, për t’u thelluar dhe për të thënë diçka për të, e mora punim vjetor edhe gjatë studimeve filologjike. Atëherë ishte botuar Esenini në përkthimet e Kadaresë dhe Bllacit, një pjesë të të cilave i dija përmendsh. Nga letërsia bashkëkohore botërore ishte një përkthim tjetër i Kadaresë, Plaku dhe deti i Ernest Heminguejt, që e rilexoja dhe atë bashkë me Gjeneralin e ushtrisë së vdekur, për stilin, nëntekstin, për parimin e ajsbergut. Gjithmonë te Kadareja kërkoja ajsbergun. Novelën Plaku dhe deti ma kishte dhënë për ta lexuar komshiu, nip i Ismet Cibajt, mësuesi i letërsisë në gjimnazin tjetër “Ajet Xhindole” ku krijonte Arshin Xhezo, Astrit Nuri, Luiza Pano. Unë isha në “22 tetori” pas kishës, në qendër të qytetit. Ndonëse kisha shumë mangësi në gjuhë, çuditërisht, me gjithë mangësitë gjuha më bënte të dallohesha nga të tjerët dhe disa herë hartimet i shkruaja në vargje.

Madje, në një provim të fizikës justifikimin e mospërgatitjes e bëra në vargje për rrezen alfa dhe beta. Të dy mësuesit e letërsisë, Barija dhe Tokliu, që ndërroheshin për vit midis tyre në klasa të ndryshme, më vinin notën më të mirë me gojë dhe në hartime. Blloqet e mbushura me poezi, shumica e tyre imitime, nga duart e mësueses ranë në duart e Kadaresë dhe kur ajo na njoftoi se Kadareja do të vinte në rrethin tonë letrar, ishte e pabesueshme. Ato ditë isha si i elektrizuar. Njeriu që nuk e gjeje asgjëkund në aksionet midis partiakëve dhe shkrimtarëve militantë, do të vinte në rrethin letrar të shkollës sonë. Unë atëherë isha shtatëmbëdhjetë, ai tridhjetë. Mbaj mend se sytë e tij pas xhamave të errët të syzeve të trasha u përqendruan në duart e mia që mbaja përpara romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur, vëllimin poetik Shekulli im me autografin e Kadaresë për Spiro Xhain, burrë i tezes sime, atëherë drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri” dhe Plaku dhe deti i Heminguejt. Isha përgatitur dhe unë jo vetëm shpirtërisht për këtë takim, por të tregoja se isha edhe lexues i tij. Ky takim i parë dhe i veçantë me Kadarenë më kishte lënë gojëhapur.

Sikur nuk isha në tokë, por fluturoja. E njëjta gjë më ndodhi më vonë kur qëndroja përballë Elitis. Siç duket, e madhërishmja të elektrizon. Nuk u përmend asgjë politike, nuk u tha asgjë koniunktuale dhe brohoritëse. Fjalët e tij ishin për letërsinë në përgjithësi dhe poezinë në veçanti, sidomos kur shpjegoi vargun e lirë se, nëse nuk ka ritëm, sistem metaforik dhe mendim të thellë, ai mund të kthehet fare lehtë në karikaturë. Pyetja kurioze: për sa kohë e kishte shkruar Gjeneralin e ushtrisë së vdekur dhe përgjigjja: për një javë në një hotel në Shkodër kur shiu binte pa pushim dhe nuk mund të dilte jashtë, na kishte lënë të habitur. I përqendruar tek Ernest Heminguej, na shpjegoi parimin e ajsbergut dhe mënyrat e shumta të të shkruarit të një romani, qoftë atij rrëfimtar qoftë mozaikal. Dikush kishte përpara Obllomovin e Goncarovit që sapo ishte botuar dhe Kadareja buzëqeshi, si për të thënë ka libra të tjerë më të bukur për të lexuar. Mori bllokun e poezive të mia me vete dhe automatikisht, isha kryetari i rrethit letrar të gjimnazit “22 tetori” të Beratit. Një cikël prej tyre u përfshi në një faqe letrare të gazetës “Drita”, përgatitur nga ai në bashkëpunim me mësuesit e letërsisë nga krijimet e dy gjimnazeve shoqëruar me një shkrim të Luiza Panos Si shkruajnë shoqet dhe shokët e mi, gazetë që e ruaj akoma. Pra, poezitë e mia të para të gjimnazit u botuan në gazetën “Drita” nga Ismail Kadareja.

Më vonë, kur kisha kuptuar edhe nga përvoja dhe nga studimet se poezia lexohet fjalë për fjalë për t’u shijuar estetikisht duke i dhënë përparësi fjalës dhe proza fjali për fjali për të kapur kuptimin dhe nënkuptimin pas rreshtave, me leximin e Kadaresë më ndodhte që jo vetëm poezinë e tij, por edhe prozën ta lexoja fjalë për fjalë si në poezi dhe pastaj kaloja ta lexoja si fjali dhe si kumt të saj. Fakti që vepra e tij lexohet dhe rilexohet, ka të bëjë me këtë lexim cilësor të fjalës së zgjedhur për të vajtur pastaj te kumti përcjellës. Përndryshe, si shpjegohet që mbasi i ke lexuar dhe rilexuar disa herë Gjeneralin e ushtrisë së vdekur, Kronikë në gur dhe Përbindëshin dhe di përfundimin e fabulës dhe rrëfimit, prapëseprapë i nis dhe i rilexon si për herë të parë?

Vijon nesër pjesa II

Marrë nga ExLibris Janar 2022

Exit mobile version