Ndryshimet klimatike, terrorizmi, proteksionizmi dhe migrimi – këto janë disa nga sfidat kryesore të samitit të G20-s, që do të mbahet në fund të javës së ardhshme në Hamburg. “Bota është e trazuar”, tha kancelarja Angela Merkel me vendosmëri në fjalimin e saj para Bundestagut. “Asnjë vend në botë nuk mund të përballet me sfidat e kohës së sotme, i vetëm”.
Merkel kërkoi që të jepet një “sinjal vendosmërie” nga Hamburgu, veçanërisht në çështjen e mbrojtjes së klimës. Pas vendimit të qeverisë amerikane për tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit, udhëheqësja e CDU-së tha, se “tani ne jemi edhe më të vendosur që të arrijmë sukses në këtë drejtim”. Ajo pret në të njëjtën kohë “bisedime jo të thjeshta”. “Mosmarrëveshja shihet qartë”, tha ajo.
Në përballje me politikat e izolimit nga ana e SHBA-së, duhet forcuar në veçanti tregtia ndërkufitare. Edhe pse shumë njerëz nuk shohin avantazh nga globalizimi apo ndjehen të lënë pas dore, Merkel është e bindur “se proteksionizmi nuk është zgjidhje”. Merkel theksoi se në Hamburg në program do të jetë dixhitalizimi dhe po ashtu rritja e bashkëpunimit me vendet që gjenden në reformim në kontinentin e Afrikës.
“Rëndësi të madhe” në samitin e Hamburgut do të ketë migrimi si sfidë globale, tha Merkel. Shkaqet e migrimit duhet të luftohen në vendet e origjinës, duke formuar struktura të qëndrueshme për zhvillimin dhe krijimin e mundësive për punësim. Në luftën kundër terrorizmit duhet sa më shpejt të miratohen standardet ndërkombëtare, që të mund të ngrijnë burimet e parave të terroristëve dhe të intensifikohet bashkëpunimi midis autoriteteve të sigurisë.
Samiti G20 do të mbahet në Hamburg më 7 dhe 8 korrik. Ka paralajmërime për protesta nga organizatat jo qeveritare, për këtë arsye Merkel u bëri thirrje aktivistëve që të demonstrojnë në mënyrë paqësore.
Trump-Putin takim në Gjermani?
Presidenti Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin ka gjasa të takohen në konferencën e Grupit të Njëzetëshes që mbahet muajin që vjen në Gjermani.
Duke folur të mërkurën në një konferencë shtypi në qytetin rus të Krasnodarit, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se ai “supozon” që takimi do të zhvillohet.
“Duke pasur parasysh faktin se dy presidentët do të jenë në të njëjtin qytet, në të njëjtën kohë, në të njëjtën ndërtesë, madje edhe në të njëjtën dhomë, nuk do të ishte normale nëse nuk flisnin”, u tha zoti Lavrov gazetarëve.
Nëse zoti Trump dhe zoti Putin takohen gjatë konferencës, kjo do të ishte hera e parë që të dy udhëheqësit do të takoheshin ballë për ballë, që prej zgjedhjes së zotit Trump në nëntor.
Në muajin mars zoti Putin tha se ishte i gatshëm të takohej me zotin Trump gjatë takimit të G20-s edhe pse as Uashingtoni dhe as Moska nuk e kanë konfirmuar një takim zyrtar.
Ministri Lavrov tha se tema më e rëndësishme e diskutimit të mundshëm gjatë takimit, do të përfshinte normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy kombeve dhe se një rol të rëndësishëm në atë bisedë, nëse zhvillohet, do të luanin përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore për konfliktin në Siri.
Nëse Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmarrin masa parandaluese ndaj ushtrisë siriane për të ndalur atë që Uashingtoni thotë se mund të jetë një sulm i mundshëm me armë kimike, zoti Lavrov tha se Rusia do t’i përgjigjet “me dinjitet” “provokimit” amerikan.
Shtetet e Bashkuara njoftuan këtë javë se zbuluan përgatitje të mundshme për një sulm me armë kimike në bazën ajrore të Shayratit në Siri. Kjo bazë u përdor në muajin prill për sulmin me armë kimike që vrau më shumë se 80 persona në Khan Sheikhoun.
Të mërkurën, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis tha se Siria dukej se e kishte marrë seriozisht paralajmërim amerikan për të mos përdorur armë kimike.
Zoti Lavrov tha se sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson e kishte telefonuar dhe informuar atë për komplotin e dyshuar të qeverisë siriane për përdorimin e armëve kimike. Por zoti Lavrov tha se kërkoi që SHBA të mos përdorë akuzat si një “pretekst” për luftë.