Takimi me Berishën, amerikano-hebreja Ellie Katz: Faleminderit Shqipëri!

Benjamin (Benjy) Neumann dhe bashkëshortja e tij, Ellie Katz Neumann, dëshironin shumë të shikonin vendin ku nëna e Benjy, e mirënjohura Johanna Jutta Neumann,  gjeti strehim dhe shpëtoi gjatë Holakaustit në Luftën e Dytë Botërore.

Një vend shumë larg Shteteve të Bashkuara, në anën tjetër të Oqeanit Atlantik, madje edhe më larg, në Shqipëri, një vend tepër i vogël në sipërfaqe dhe popullsi se vendi i saj, por me dashuri të pakushtëzuar për Shtetet e Bashkuara.

‘Ne erdhëm në Shqipëri për të parë me sytë tanë, vendet ku nëna e  Benjjy kishte jetuar dhe se çfarë lloj njerëzish u kishin dhënë strehim dhe i kishin shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit’, tha Ellie Katz Neumann në një komunikim me gazetën online ‘Izraeli Sot’.

Shqiptarët u bënë kombi i vetëm në botë, që numri i hebrenjve ishte disa herë më i madh pas Holokaustit, se para tij. Sipas disa shifrave, nëse në Shqipëri llogariteshin se jetonin rreth 200 hebrenj para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, numri i tyre mendohet se shkoi në kufijtë e 2000-3000 hebrenjve pas saj, të ardhur kryesisht nga Kosova, Greqia, Serbia, Austria, Gjermania apo Çekia.

‘Besa’, kodi i nderit të shqiptarëve ishte në themel të këtij akti të pashembullt botëror, që siç e përshkruan Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në një postim në Facebook pas takimit me dy amerikano-hebrenjtë ‘mbrojtja dhe shpëtimi i hebrenjve nga populli shqiptar, gjatë periudhës së errët të Holokaustit, është një shembull frymëzues mbarëbotëror’.

Benjy dhe Ellie patën një agjendë të ngjeshur takimesh, përfshirë Princin Leka, nipin e Mbretit të Shqipërisë, Ahmet Zogu, i cili ka dhënë një kontribut të madh për strehimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore,  kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, apo ministren e Kulturës, Elva Margariti.

Një takim edhe me anëtarë të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, kryetari i së cilës është Prof.Dr. Petrit Zorba, dhe në nga anëtarët, Rexhep Hoxha, një nga 76 shqiptarët të nderuar nga Shteti i Izraelit dhe Yad Vashem me titullin ‘Të Drejtë midis Kombeve’, apo dhe Ortenca Pilku, gjyshja e së cilës shpëtoi nënën e Benjy, Johanna Jutta Neumann.

‘Ne patëm shumë ndihmë për të bërë të gjitha lidhjet, duke filluar me ambasadorja shqiptare në SHBA, në ambasadën shqiptare këtu në DC. Ne kishim takuar tashmë shumë njerëz këtu, si Presidentin Meta dhe kryeministrni Rama. Dhe ata thanë: Eja na vizitoni. Dhe kështu, pra, ne e bëmë vizitën tonë’, tregon Ellie.

‘Ne shkuam në vendet ku Johana jetonte. Por, unë me dashje nuk postova ndonjë fotografi turistike, se sa bukur në Berat. Unë nuk doja që njerëzit të shpërqendrohen ose të mos lexojnë postimet e mia. Udhëtimi ishte i përsosur, nga fillimi në fund, çdo ditë’, tha Ellie Katz Neumann.

Nuk mungoi edhe pjesëmarrja në një darkë Shabbati në Tiranë, të organizuar nga ‘Besa&Shalom’ me në krye rabinin, Yisroel Finman, dhe ku mori pjesë edhe zëvendësambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Liora Peleg.

/Marrë nga Izraelisot.com

1 2

Exit mobile version