Takimi me Hahn, Nishani: Më shumë vëmendje nga Komisioni Europian për ligjin e pronave

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

Presidenti Nishani i përcolli Komisionerit Han simpatinë dhe solidaritetin e qytetarëve shqiptarë me qytetarët evropianë dhe ata belgë mbi sulmet terroriste që ndodhën në Bruksel. Kreu i Shtetit e siguroi Komisionerin se populli shqiptar u qëndron përkrah në këto momente të vështira, por edhe mbetet i palëkundur në besimin ndaj lidershipit evropian. Ky besim, theksoi Kreu i Shtetit, buron nga vokacioni i thellë evropian i popullit shqiptar, i cili e ka vendosur integrimin në Bashkimin Evropian si të vetmen alternativë të perspektivës së vet.

Presidenti Nishani vuri në dukje se zbatimi i reformave sipas udhërrëfyesit të përcaktuar nga Komisioni Evropian duhet të jetë prioritet i prioriteteve, përfshirë reformën në drejtësi, por edhe të katër prioriteteve të tjera që përfshijnë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, administratën publike, të drejtat e njeriut si dhe çështjen e pronës.

Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, Presidenti Nishani evidentoi se mbetet i palëkundur në bindjen dhe mbështetjen e tij për një reformë që zhvillohet në suazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe standardit evropian, si dhe se kjo reformë që kapërcen kufijtë e mekanizmave të sistemit të drejtësisë dhe përbën një reformë kushtetuese duhet të sigurojë medoemos jetëgjatësi. “Vullneti i palëve për të ecur në këtë trajektore mbetet kyç në këtë fazë të procesit,” tha Presidenti.

Kreu i Shtetit u ndal edhe tek çështja e pronës, si një e drejtë themelore, e cila është e lidhur pazgjidhshmërisht me fusha të rëndësishme të zhvillimit të vendit. Në këtë kontekst ai kërkoi një vëmendje më të madhe të Komisionit Evropian lidhur me këtë prioritet kyç, dhe veçanërisht ndaj ligjit të miratuar rishtazi në Parlamentin shqiptar, i cili shkon përkundër standardit të vendosur nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Presidenti Nishani dhe Komisioneri Han diskutuan edhe mbi politikën rajonale të Shqipërisë, ku bashkëndanë vlerësimin e një kursi konstruktiv dhe kontribues për paqen, stabilitetin dhe bashkëjetesën harmonike në rajon. Kreu i Shtetit theksoi se ofrimi i një perspektive shpresëdhënëse për brezin e ri është një nga sfidat më madhore të vendeve tona, dhe se forumet rajonale qoftë në kuadër të Procesit të Berlinit, qoftë në kuadër të Procesit të Brdo-Brijunit dhe nismave të tjera rajonale kanë krijuar mundësinë e diskutimit serioz mbi këtë çështje prioritare për vendet e rajonit tonë.

Artikulli paraprakPërgjigjja e të riut ndaj Ramës pas shantazhit të studentëve për anëtarësime në parti
Artikulli tjetërLirohen të gjithë protestuesit e parkut, Tahiri të japë dorëheqjen