Presidenti i Rusisë Putin do të takohet në Berlin me Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, Presidentin e Francës, François Hollande dhe Kancelaren gjermane, Angela Merkel, në të ashtuquajturin Samiti i Normandisë, për procesin e paqes në lindje të Ukrainës. Këtë lajm e ka konfirmuar zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert.
Ai bëri të ditur se në këtë takim do të bëhet fjalë në radhë të parë për zbatimin e Marrëveshjes së Minskut për Ukrainën, si dhe për hapat e tjerë që duhet të bëhen për vendosjen e armëpushimit të plotë dhe arritjen e paqes. Kjo është vizita e parë e Putinit në Berlin, prej fillimit të krizës në Ukrainë.
Merkeli ka qenë për vizitë në Moskë në maj 2015, pas aneksimit të Krimesë nga forcat ruse. Zëdhënësi i qeverisë, Seibert e ka konfirmuar të premten se Berlini është një vend ku mund të mbahet një takim i tillë. Vetë Moska e ka përmendur Berlinin si një vend të mundshëm për negociatat e ardhshme, më 19 tetor. Palët kanë pasur mosmarrëveshje të shumta rreth takimit të ardhshëm katërpalësh.
Takimi i fundit është mbajtur në tetor të vitit të kaluar në Paris.
Marrëveshja e Minskut pa rezultatet e shpresuara
Marrëveshja e paqes është arritur në shkurt të vitit 2015, por deri sot nuk është zbatuar në tërësi dhe nuk i ka arritur rezultatet e shpresuara, që do të rezultonin me marrëveshjen për armëpushimin mes Ukrainës dhe forcave proruse në këtë vend.
Presidenti rus Putin e ka anuluar papritur javën e kaluar një vizitë të planifikuar për këtë të mërkurë në Paris. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha se për shtyrjen e kësaj vizite ekzistojnë disa shkaqe. Sipas tij, pala franceze ka hequr nga programi i vizitës disa pika të rëndësishme. Kohët e fundit ka pasur dallime shumë të mëdha mes Francës dhe Rusisë për gjendjen dhe zhvillimet në Siri.