“Taksa 9% ndihmë për biznesin”, Zef Preci për programin ekonomik të PD: Mbrrojtja e konkurrencës e rëndësishme edhe për dekurajimin e emigrimit

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, i cili ishte pjesë e tavolinës për diskutimin e programit ekonomik të PD, shprehu mbështetje për taksën e sheshtë 9%, pasi sipas tij i vjen në ndihmë bizneseve dhe ulë evazionin. Ai gjithashtu tha se mbrojtja e konkurrencës që është parashikuar në program, është shumë i rëndësishëm edhe për dekurajimin e emigrimit masiv të shqiptarëve.

Pjesë nga fjala e Zef Preçit:

Ajo çka unë shoh me interes në programin që keni shpallur, është mirë të demistifikohet, do të thotë të përkthehet për qytetarin, të përkthehet për atë që ka angazhime të tjera dhe lufton të sigurojë mjetet e domosdoshme të jetesës, të përkthehet për atë që është i lodhur nga retorika e vetëm denoncimeve, vetëm e konstatimit se sa i errët është mjedisi social ekonomik, politik e shoqëror përreth. Por të synojë që bashkë me demistifikimin e asaj çfarë premtohet të identifikohen dhe prioritete. E përmendi Selamiu e shoh dhe unë si nevojë që jo thjesht të korrigjohet situata e sotme, por të ofrohen dhe ide. Përshembull kthimi në fushën fiskale tek taksa e sheshtë. Unë nuk mendoj se është e rëndësishme të bëhet debati 9 apo 10 sa ka qenë. Sepse ne duhet të kuptojmë që mbajtja në këmbë e shtetit bazohet në taksa, ska ndonjë mënyrë tjetër, por të synohet që të kuptohet që pse shtrohet ky problem. Unë e kam mbështetur edhe publikisht edhe kur është bërë për herë të parë eksperimenti dhe praktikisht zbatimi i taksës së shesht, sepse i vendos biznesit në të njëjtën pozitë starti, si ai që ka 20 vite në treg si ai që futet sot. Nga ana tjetër jep mundësinë për të ulur natyrshëm pa kosto për administratën fiskale evazionin. Sepse ne na ndodh që sa më shumë fraksionohen apo përshkallzohen bizneset, biznesi i vogël lind dhe vdes i vogël, i mesmi po kështu, i madhi po kështu, pra nuk ka rritje të tyre.
Viktiama e keqqeverisjes ka qenë dhe mbetet, e përmendi dhe zoti Basha, është konkurrenca në tregje. Nëse nuk mbështetet me të gjitha mjetet konkurrenca, nëse nuk shihet si motori i ekonomisë së tregut, i kapitalizmit që ëndërrojmë të funksionojmë më mirë, është e vështirë të mendohet që do dekurajohet braktisja e vendit dhe Shqipëria do shndërohet në atdheun e përbashkët të atyre që janë sot këtu dhe atyre që kanë marrë rrugët e botës.

Exit mobile version