Gazetari Klodian Tomorri thote se çdo ndërtues që paraqet një projekt për leje për një pallat, kullë dhe resort duhet të pajtojë një studio të huaj arkitekture dhe se kjo bëhet me vullnetin e kryeministrit.
Ai thekson gjithashtu se kjo skemë po shndërrohet në një nga bizneset më të mëdha në vend, ku dhjetëra miliona euro përfundojnë në duart e studiove të huaja arkitekturore, të cilat shpesh nuk janë të zgjedhura nga ndërtuesit, por të “imponuara” prej instancave të larta.
Kostoja, sipas tij, përfundimisht i faturohet qytetarëve, përmes çmimeve më të larta të apartamenteve dhe njësive të tjera që ndërtohen.
‘Të gjitha tokat në bregdet kanë problematikë me pronësinë. Fakti që mund të jetë tokë private nuk e çliron nga dyshimet për abuzime në një nga hallkat sesi toka ka përfunduar në privat.
Ky është një nga bizneset më të mëdha në Shqipëri. Janë studio që u imponohen ndërtuesve me detyrim.
Çdo ndërtues që paraqet një projekt për leje në KKRT nëse është pallat, kullë, resort, fshat turistik e ka me detyrim që të pajtojë studio të huaj arkitekturore. Nuk është e shkruar në ligj, se është e paligjshme. Mënyra se u imponohet ndërtuesve është me vullnetin e drejtpërdrejtë të kryeministrit. Atyre u thuhet, pajto studio të huaj të arkitekturës. Ata marrin dhjetëra milionë euro në vit në këtë vend. Është taksë e fshehur që në finale i shkon qytetarëve që blejnë, apartamente. Sepse ndërtuesi ato para që i paguan studiove të arkitekturës do i përcjellë qytetarëve.’, tha Tomorri për MCN Economy.