Ndërtuesit në vend kërkojnë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, marrjen e një vendimi për uljen e vlerës së taksës së ndikimit në infrastrukturë edhe për apartamentet dhe jo vetëm për objektet me destinacion zyra apo ambiente tregtare.
Sipas nënkryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve, Arben Dervishi, kjo do ndihmonte biznesin, por edhe qytetarët, të cilët preken në këtë rast në momentin që blejnë një apartament.
Arben Dervishi, Shoqata e Ndërtuesve: Ashtu siç Këshilli Bashkiak korigjoi këtë taskë për objektet, zyra apo ambient tregtare, ne do kërkojmë që të rishikohet edhe pjesa e taskës së ndikimit në infrastrukturë, për apartamente në mënyrë që të mos reflektohet në rritje çmimesh, por të ndodhë e kundërta: të ketë ulje çmimesh.
Sa i përket shlyerjes së taksës për zyra apo ambiente tregtare, Dervishi thotë se, Këshilli Bashkiak duhet të marrë një vendim, për pagesën e saj me këste, siç e kanë edhe shtete shumë pranë Shqipërisë.
Arben Dervishi, Shoqata e Ndërtuesve: Duke marrë shembull edhe nga Kosova që e paguan me disa këste taksën e ndikimit në infrastrukturë, edhe ne kemi kërkuar ta paguajmë me kestë. Fillimisht të paguhet mbi bazën e vlerës së ndërtimit, pra sa është kostoja minimale e ndërtimit, dhe në fund kur ne kemi realizuar procesin e shitjes, ne do ta paguajmë me çmimin e shitjes.
Megjithatë, për ndërtuesit ulja e vlerës së taksës për objekte me destinacion tregtar, është i drejtë dhe me ndikim.
Arben Dervishi, Shoqata e Ndërtuesve: Ndikon në çmimet që do ofrohen, por mos harrojmë se çmimi i zyrave, kur bëhej baza e vlerësimit të taskës, ka qenë dyfish me çmimin e banesës. Kështu që ka vajtur në të njëjtën taksë që është çmimi i banesës, por ne e shohim të drejtën si vendim.
Sa i përket lëvizjes së çmimeve për apartamente, Dervishi thotë se kjo ka ardhur për shkak të rritjes së vlerës së taksës, dy vite më parë, nga 4 në 8%.
Arben Dervishi, Shoqata e Ndërtuesve: Kjo rritje që ka ardhur, një pejsë e kësaj rritje është kontribut i rritjes së kësaj takse. Pra, kishim një taksë 4% të vlerës së ndërtimit, pra çmimi minimal fiskal, dhe vajti 8% e çmimit të shitjes, që në zonat e qendrës u rrit 8 herë.
Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi që të ndryshojë taksën e ndikimit në infrastrukturë nga 8 në 4% për objekte me destinacion zyra apo njësi tregtare, në zonën e qendrës së kryeqytetit.