Llogaritja e taksës së re të pronës në përdorim nuk ka dhënë ende efekte në tregun e pasurive të paluajtshmë, por agjentët imobiliarë presin që segmeti i qiradhënies të reflektojë pakënaqësi.
“Në vlerë nuk janë në vlera të konsiderueshme të të ardhurave vjetore për qira për pronarin, por pra të mbledhura bashkë janë goxha në gjykimin tim. Pronarët në fund të fundit do ta paguajnë, do ta pranojnë por presim pakënaqësi nga ana e tyre”, thotë agjentja imobiliare, Xheni Jahja.
Në thelb agjencitë imobiliare nuk janë kundër mënyrës së re të taksimit, pasi sipas tyre një shtëpi në Kombinat nuk mund të ketë të njëjtën taksë me një shtëpi si në zonën e ish-Bllokut, por në total barra fiskale po rëndon tek transaksionet për pasuritë e paluajtshme.
“Nuk ka sesi të paguajnë të njëjtën vlerë qytetari. Në fakt, kjo taksë bashkë me taksat e tjera që po vihen herë pas here pakësojnë të ardhurat e qytetarëve dhe sigurisht që kjo ndikon edhe në tregun e pasurive të paluajtshme”, shprehet Lefter Sila, ekspert imobiliar.
Agjencitë imobiliare presin që të ketë edhe rritje të vogël të ofertës për shitjen e shtëpive, pasi sipas tyre ka qytetarë që kanë disa apartamente dhe rritja e taksimit mund t’u rezultonte pa leverdi për pronarët e banesave.