Taksa e re e TVSH, 150 mijë të vetëpunësuar do fundosen

Bizneset e vogla, që janë motori i (vetë)punësimit në Shqipëri po përjetojnë një periudhë të vështirë. Vetë zhvillimet e natyrshme ekonomike me zgjerimin e rrjeteve të supermarketeve e qendrave tregtare i kanë dhënë goditjen e parë dhe tashmë nisma e re për ta përfshirë në skemën e TVSh-së rrezikon t’i nxjerrë fare nga tregu. Shqipëria llogarit më shumë se 150 mijë të vetëpunësuar…
Rezarta Lila për gati pesë vite ka tregtuar rroba të përdorura në një dyqan shumë pranë kryqëzimit të Komunës së Parisit. Për “Monitor” ajo tregoi se me dyqanin nxjerr një rrogë për vete dhe u shpreh e shqetësuar për vendosjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në Biznesin e saj. Sipas zonjës Lila, konkurrenca është rritur shumë. Dyqanet, të së njëjtës natyrë, ishin hapur rresht në rrugën ku shiste dhe Rezarta.
“Punë nuk kemi shumë, në rast se na vendoset TVSH-ja, ne jemi të fundosur. E para, që do të bëjmë është rritja e çmimeve, kështu do të largohet vetë klienti prej nesh”, tha ajo kur u pyet se si do të vepronte në rast se do të aplikohej TVSH-ja dhe tek ajo.
Aty pranë saj, edhe Saimir Shahini bashkë me të vëllain, kanë hapur prej tre vitesh një dyqan të shitjes me pakicë të frutave dhe perimeve.
“Nuk është se fitoj ndonjë gjë të madhe, thjesht nxjerrim nga një rrogë për vete. Tregtimi i fruta-perimeve nuk ka leverdi, pasi ne, së pari kemi shumë firo, dhe së dyti, konkurrenca është aq e fortë sa nuk mund të lëvizim me çmimet shumë”, tha ai për “Monitor”.
Edhe për Saimirin, vendosja e TVSh-së do të ishte fundosje për biznesin e vogël.
“Ne e hapim dyqanin herët në mëngjes dhe e mbyllim vonë në mbrëmje. Rrogat që nxjerrim janë të vogla, por kaq alternativa ka për t’u punësuar në Shqipëri”, shtoi ai.
Kategoria e të vetëpunësuarve është më e brishta për t’u llogaritur për shkak se ata nxjerrin një pagë minimale dhe janë të pamësuar me procedurat e komplikuara administrative që do të sjellë futja në TVSH, për të cilin do të duhet të rrisin pagesat ndaj ekonomistëve.
Shqipëria është unike për nivelin e lartë të të vetëpunësuarve, që sipas INSTAT në vitin 2016 përbënin rreth 35% të totalit të të punësuarve në vend. Kjo normë është më e larta në Europë (pas nesh Greqia e ka 30%) dhe ndër më të lartat në botë.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2016 rezulton se 41,2% e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 34,9% janë të vetë-punësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 23,9% janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.
Në total, sipas të dhënave nga INSTAT rezulton se janë rreth 150 mijë persona të vetëpunësuar (pa përfshirë të vetëpunësuarit në sektorin bujqësor).

Exit mobile version