Taksa mbi TVSH, mbi 22 mijë biznese drejt rrënimit

Tashmë është zyrtare. Duke filluar nga data 1 prill e vitit të ardhshëm, bizneset që kanë qarkullim vjetor më të madh se 2 milionë lekë do të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Vendimi u mor nga Këshilli i Ministrave në fund të javës së kaluar dhe parashikon, që “Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar është qarkullimi prej 2 000 000 (dy milionë) lekësh në një vit kalendarik”.
Të vetmet kategori që nuk do të përfshihen në pagimin e TVSH-së, sipas vendimit të qeverisë janë subjektet që kryejnë veprimtari ekonomike në fushën e hotelerisë. Edhe për prodhuesit bujqësorë që i nënshtrohen regjimit të veçantë, skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë, është qarkullimi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh në një vit kalendarik. Vendimi nuk parashikon përjashtime për profesionet e lira dhe subjektet që ofrojnë shërbime (p.sh. parukeri etj.).
Nga ky vendim pritet të hyjnë menjëherë në skemë rreth 22 mijë biznese që sot deklarojnë qarkullim vjetor më të madh se 2 milionë lekë dhe presioni do të jetë i lartë edhe për 25 mijë biznese të tjera që deklarojnë nën 2 milionë lekë, por vlerësohet që e kalojnë këtë kufi. Pra në total rreth 47 mijë biznese do të duhet të paguajnë TVSH nga gjysma e parë e vitit të ardhshëm. Nga 73 mijë biznese që sot nuk paguajnë TVSH, vetëm rreth 26 mijë prej tyre pritet që të vijojnë të mbeten jashtë TVSH-së. Por, çfarë do të ndodhë me avokatët, pasi së fundmi Gjykata Kushtetuese kishte miratuar pjesërisht kërkesën e tyre, sipas së cilës avokatët kanë detyrimin për llogaritjen dhe pagesën e TVSH i nënshtrohen vetëm ata avokatë apo zyra avokatie, niveli i xhiros vjetore të të cilëve e kalon shumën e 5 milionë lekë të reja në vit. (më herët Këshilli i Ministrave, caktonte se avokatët detyrohen të llogarisin, të deklarojnë dhe të paguajnë TVSH në vleftën 20% të çmimit të shërbimit të kryer, pavarësisht xhiros vjetore të realizuar).
Nga të dhënat formale, rreth 70-80% e rreth 73.000 bizneseve të vogla kanë një xhiro të deklaruar për më pak se 2 milionë lekë në vit, që me një llogaritje të përafërt me rreth 300 ditë pune në vit, përkthehet në një xhiro ditore prej 6-7 mijë lekë. Sipas këtyre të dhënave, të paktën 22 mijë biznese do të hyjnë në skemën e TVSH-së, por presioni do të jetë i lartë edhe për subjektet që deklarojnë më pak se 2 milionë lekë në vit. Sipas z. Kazazi, në terma shumë të përafërt, mendohet që rreth 50% e bizneseve të vogla realisht nuk janë të tilla, pasi faktikisht e tejkalojnë kufirin e xhiros, por pa e raportuar.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ishte shprehur fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së për bizneset e vogla. “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e departamentit të taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime.

Exit mobile version