Taksat e larta reduktojnë fluturimet në Gjermani

Tarifat e larta të aeroporteve do bëjnë të detyrueshëm kufizimin e fluturimeve në Gjermani. CEO i transportuesit gjerman të flamurit Lufthansa, Carsten Spohr, i tha gazetës gjermane Bild am Sonntag, se do të ketë reduktime të mëtejshme të orareve të fluturimeve.

“Rritja ekstreme e kostove shtetërore për trafikun ajror po çon në një rënie të mëtejshme të shërbimeve. Gjithnjë e më shumë linja ajrore po shmangin aeroportet gjermane ose po anulojnë lidhje të rëndësishme”.

Linjat ajrore si Eurowings dhe Ryanair kanë anuluar tashmë fluturime të shumta në Gjermani për shkak të tarifave tepër të larta. Spohr thotë se masa të mëtejshme kombëtare të njëanshme tashmë janë vendosur për vitet e ardhshme – “për shembull, një kuotë e përzier për e-karburantet, të cilat nuk janë ende të disponueshme në sasi të mjaftueshme”.

Si rezultat, “cilësia e lidhjes së shumë rajoneve të rëndësishme ekonomike po bie sipas standardeve ndërkombëtare, tha Spohr.

Përdorimi i karburantit sintetik synon t’i reduktojë emetimet e CO2 të avionëve që dëmtojnë klimën.

Kufizimin e fluturimeve e ka nisur edhe Ryanair. Linja ajrore irlandeze njoftoi pak ditë më parë se do të mbyllë operimet në tre aeroporte gjermane (Dortmund, Dresden dhe Leipzig) nga vera 2025, për shkak të taksave të larta. Në të njëjtën kohë, fluturimet e Ryanair nga qyteti verior i Hamburgut do të shkurtohen me 60% dhe në kryeqytetin Berlin me 20%, siç u njoftua në gusht.

Edhe Eurowings, degë e Lufthansa-s, njoftoi se do të anulojë fluturimet në Hamburg. Më shumë se 1000 fluturime do të ndërpriten deri në vitin 2025, tha Jens Bischof, CEO i Eurowings.

Artikulli paraprakFitorja me Gjeorgjine, Sylvinho premton shumë: Nëntori muaj festash për Shqipërinë edhe prej kombëtares
Artikulli tjetërAnalisti Mentor Kikia: Opozita rrezikon të humbasë për shkak të fragmentarizimit të votave