Teksa pritet të dalë vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me shfuqizimin ose jo të Ligjit 142/2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr.9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, biznesi ka ende shpresa se ai mund të pranohet. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë do të jetë një tjetër betejë e fituar nga sipërmarrjet private.
Juristët shpjegojnë se, nëse trupi i Gjykatës Kushtetuese do të votojë në shumicë për shfuqizimin e këtij ligji, atëherë kjo do të thotë se në momentin e hyrjes në fuqi të vendimit të shfuqizimit, taksat nuk do të llogariten më në ato nivele të larta që ka parashikuar ligji e që është objekt gjykimi nga Gjykata Kushtetuese.
Juristët gjithashtu shpjegojnë se vendimi i dhënë në datë 6 tetor të këtij viti nuk është përfundimtar, ai thjesht la në fuqi ligjin derisa të shprehet për shfuqizimin ose jo.
“Në seancën e datës 06.10.2016, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Shoqatës së Tregtarëve për pezullimin e taksave të reja vendore të vendosura me Ligjin 142/2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr.9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, dhe vendosi që ato të mbeten në fuqi deri në vendimmarrjen përfundimtare mbi kushtetutshmërinë e tyre. Ky vendim për mospezullimin e aplikimit të taksave dhe tarifave më të larta të vendosuara me Ligjin Nr. 142/2015 çon në detyrimin për pagim të detyrimeve përkatëse të larta për bizneset”, sqarojnë juristët.
Ndërsa tregtarët, të përfaqësuar nga Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut, shpresojnë se argumentet juridike dhe ekonomike do të bindin trupin gjykues, për shkak të situatës së vështirë që ka shkaktuar rritja e taksave, por edhe hyrja e menjëhershme e ligjit, pa u dhënë kohë tatimpaguesve të njiheshin me detyrimet e reja që i lindën.