Taksë e re mbi të ardhurat për të gjitha profesionet e lira

Qeveria shqiptare urdhëroi regjistrimin si subjekte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të të gjithë profesioneve të lira të regjistruara deri tani si biznes i vogël apo person fizik pavarësisht se sa të ardhura kanë.

Nëse je mjek, kontabilist, dentist, arkitekt apo inxhinier dhe i ofron këto shërbime përmes një subjekti tregtar, nga 1 prilli i këtij viti detyrohesh të lëshosh faturë tatimore me TVSH dhe të paguash 20% tatim mbi vlerën e shtuar. Ky është vendimi i fundit i qeverisë i marrë javën e kaluar, vendim që synon të taksojë një segment të aktivitetit ekonomik që më parë i nënshtrohej tatimeve si biznes i vogël dhe ishte subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël.
“Kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në për personat e tatueshëm, që ofrojnë shërbime në veprimtari ekonomike, sipas profesioneve të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i tyre, është zero. Të gjithë këta janë persona të tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, edhe nëse kryejnë veprimtari të përjashtuar sipas ligjit”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave të publikuar në faqen e internetit të kryeministrisë.
Qeveria synon të mbyllë në këtë mënyrë një hapësirë shmangie fiskale të krijuar nga politika e saj e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, miratuar në vitin 2013 si pjesë e premtimeve të partisë socialiste.
Deri në vitin 2013, profesionet me vetëpunësim i nënshtroheshin taksës së biznesit të vogël, një taksë referencë, e cila varionte nga qyteti dhe niveli i vlerësuar i xhiros së pritshme vjetore. Një profesion i lirë me xhiro deri në 2 milionë lekë në vit me aktivitet në Tiranë, në atë kohë paguante sigurime shoqërore e shëndetësore, taksa bashkiake si dhe taksë të biznesit të vogël në masën 38 mijë lekë në vit. Nëse i njëjti aktivitet gjendej në një qytet të varfër, paguhej taksë në masën 22 mijë lekë në vit. Nëse xhiroja e biznesit ishte deri në 3 milionë lekë dhe aktiviteti zhvillohej në Tiranë, taksa rritej në masën 60 mijë lekë.

Qeveria socialiste e hoqi këtë taksë dhe e zëvendësoi me tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, i cili është aktualisht 25 mijë lekë në të gjithë territorin e vendit për të ardhurat deri në masën 2 milionë lekë dhe 7.5% për të ardhurat nga 2 deri në 8 milionë lekë.
Skema e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin duket se dështoi duke dëmtuar para së gjithash të ardhurat e bashkive. Por ndërkohë, shumë profesionistë të punësuar me paga të larta, përfshirë avokatë, mjekë e të tjerë, e gjetën me leverdi të regjistroheshin si biznes i vogël dhe të faturonin bizneset që i kishin punësuar, me synimin për të shmangur sigurimet shoqërore e shëndetësore mbi pagat e larta si dhe tatimin mbi të ardhurat personale, të cilat arrijnë në deri 40% të të ardhurave sëbashku.
Qeveria tentoi fillimisht ta luftojë këtë shmangie fiskale duke vendosur paga referencë për zbatimin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Skema dështoi kur Gjykata Kushtetuese e rrëzoi vendimin e qeverisë. Në vend të kësaj, qeveria vendosi të imponojë TVSH mbi të gjitha profesionet. Në këtë mënyrë, nëse një kontabilist siguron të ardhura në masën 50 mijë lekë në muaj, ai detyrohet të paguajë 10 mijë lekë tatim mbi vlerën e shtuar, krahas detyrimeve për sigurime shoqërore e shëndetësore dhe taksa bashkiake. Bizneseve të tilla u lind e drejta e TVSH-së së kreditueshme, gjë që do të thotë se për blerjet që kanë me TVSH do të paguajnë 20% të fitimit bruto. Por këto lloj biznesesh kanë zakonisht shumë pak fatura të tilla. Rrjedhimisht për shumicën e këtyre bizneseve, vendimi i qeverisë nënkupton tatim të ri në masën 20% të të ardhurave. /Reporter.al/

Exit mobile version