Taksistët e Elbasanit në protestë kundër konkurrencës së pandershme

Nga Arbjona Çibuku – citizens.al

Rreth 40 taksistë protestuan para Bashkisë së Elbasanit të premten kundër konkurrencës së pandershme që sipas tyre po u bëhet nga një kompani taksish elektrike. Kompania në fjalë u zë vendqëndrimet dhe abuzon me çmimet duke i shtyrë drejt falimentit.

Ata e nisën protestën në orën 10:00 duke lëvizur makinat në shenjë simbolike nga stadiumi i qytetit drejt bashkisë, ku dhe i parkuan anës rrugës.

“Bashkisë i kemi kërkuar në momentin që e ka licencuar taksinë elektrike ‘EL taxi’, t’i caktojë dhe vendin, që të mos na fusë në konflikt ne si biznes i vogël”, tha Florenc Muho, sipas së cilit bashkia duhet t’i përkrahë taksistët e vetëpunësuar pasi kanë vite në këtë sektor dhe me këtë punë mbajnë familjet.

Florenci shprehet se nuk është e drejtë që një kompani, që klasifikohet si biznes i madh, të vihet në konkurrencë me të vetëpunësuarit duke zënë vendet e tyre të parkimit, për sa kohë kompania funksionon edhe me thirrje telefonike nga një zyrë qendrore.

Untitled design 2 1
Citizens.al/Taksistët në protestë kundër konkurrencës së pandershme.

Sipas taksistëve kompania e re, e cila ka nisur shërbimet prej shtatorit të vitit të shkuar, përveç klientëve me rezervim përmes telefonit, po u merr dhe klientët e rrugës. Paralelisht, sipas tyre, ajo aplikon dhe tarifa të ulëta pa ndezur taksimetrin, duke krijuar kështu një konkurrencë të pandershme.

“Kompania elektrike duhet të ndahet nga vendqëndrimet tona, ato të marrim vendqëndrimet e veta me logon e firmës së vetë, dhe s’ka asnjë lloj debati midis nesh dhe atyre”, tha Sazan Sliaj, një tjetër taksist që mori pjesë në protestë.

Po ashtu një tjetër problem që ngritën taksistët është çmimi i caktuar nga taksimetri.

“Duhet të rishikohen çmimet sepse ka 20 vjet, që kur është vënë taksimetri, as kanë ndryshuar fare, ka qenë nafta më e lirë se sot”, shtoi më tej Sazani.

Nga kjo problematikë preken rreth 100 taksistë të vetëpunësuar të qytetit të Elbasanit.

Prej disa muajsh ata kërkonin takim me Kryetarin e Bashkisë, Gledian Llatja, për t’i paraqitur këto shqetësime dhe për të arritur në një zgjidhje. Po ashtu, në plan afatgjatë taksistët kërkojnë mbështetje nga bashkia për subvencione, apo kredi të buta, të cilat do mund t’i ndihmonin ata për të blerë makina elektrike.

Krahas kësaj, në rast investimi për të ndryshuar flotën e taksive, taksistët kërkojnë licenca me kohëzgjatje më të madhe se 5 vite, pasi në këtë mënyrë do të mund ta kishin më të sigurt huamarrjen.

Pas këmbënguljes ata arritën të kishin një takim me Llatjën, të përfaqësuar nga disa taksisë dhe avokati Gentian Sejrani nga qendra Drejtësi Sociale.

Avokati Sejrani u shpreh për Citizens pas takimit se Bashkia u zotua për të çuar para disa nisma.

“Në takim u caktua që do të bëhet një analizë nga ana e Drejtorisë së Transportit të Bashkisë Elbasan, se a duhet që të përcaktohen vende të veçanta për taksitë”, tha Sejrani.

Untitled design 2
Citizens.al/Taksi me pankartë në xham gjatë protestë.

Një tjetër pikë që u ra dakord në takim ishte ngritja e një  “Task-Force” për të kuptuar sa është numri i taksive që punojnë në informalitet, dhe se si janë tarifat që përdoren nga taksitë elektrike.

“E treta u pa e nevojshme edhe nga thëniet e taksive, se kanë nevojë për mbështetje, për subvencione, për të zëvendësuar mjete e tyre me djegie me mjete elektrike”, tha Sejrani për Citizens teksa shtoi se u vendos që tarifat, të cilat caktohen me vendim të Këshillit Bashkiak, të rishikohen pasi janë po ato që kanë qenë vendosur që në vitin 1998.

Artikulli paraprakShoqëria civile dënon autoritetet serbe për dëbimin e aktivistëve
Artikulli tjetërDeklasifikimi i dokumenteve nga Trump/ Nga CIA te mafia, cilat janë teoritë kryesore konspirative për vrasjen e JFK?