Taksisti Niko Ndini ka dëshmuar për mediat se si e rrahën truprojat që shoqëronin kryeministrin Edi Rama në Korçë vetëm për arsye se ai thirri “Poshtë Edi Rama, rroftë Ben Blushi. Rrëfimi i tij është postuar nga Blushi në faqen e tij në Facebook. Ndini thotë se është dhunuar jo vetëm nga Garda, por edhe nga policia. “Më morën dhe më bënë një xhiro dhe më lanë andej. Nëse do të kisha pasur ndonjë problem nuk do të më lëshonin, por do më çonin në polici”, thotë taksisti në rrëfimin e tij që është një akuzë e rëndë si për Gardën e Republikës ashtu edhe për Policinë e Shtetit, e po ashtu edhe për kryeministrin Rama, pasi dhuna ka nisur në prani të tij.
-Çfarë ndodhi pak ditë më parë kur erdhi Rama në Korçë?
Kalonte Edi Rama para Gjykatës dhe unë nga krahu tjetër them “Poshtë Edi Rama, rroftë Ben Blushi. Ben Blushi intelektuali i Korçës do të ta hajë kokën ty”. Kaq. Edi Rama e ktheu kokën dy herë dhe u lëshuan si bisha shoqëruesit e tij. Më kapën për qafe, më grisën. Ishte një Maringlen, shef Rendi, por në fakt është kriminel. Maringleni më hipi përsipër me gjithë forcën e tij dhe më mori e më futi në makinë. Më kanë bërë një xhiro dhe më çuan sërish atje ku më morën. Nëse do kisha ndonjë problem do më çonin në polici, nuk do të bënin xhiro me mua. I dha urdhër një tjetri, por ai nuk e pranoi dhe tha: nuk bëri mirë ai që të të merrte kështu me kaq fjalë sa the ti.
-Kur i the Ramës “Blushi do të të hajë kokën”, të dëgjoi? Çfarë të tha?
Asgjë. Ktheu kokën. Më pas u çuan ata silurat e tij, ata zagarët, servilët e tij. Më i dhunshmi ishte Marigleni. Për të mbajtur vendin e punës më dhunoi mua.
-Bëtë denoncim?
Do shohë si do dalë grafia te spitali dhe do ndjek rrugën ligjore.
-Ju po e prisnit Ramën apo ishit rastësisht aty?
Rastësisht isha. Shpreha urrejtjen që kam ndaj tij. Për mua ky është Bashar Al Asad në Shqipëri dhe duhet shkulur patjetër. Për mua atë do ta heqë Ben Blushi. Intelektuali me një piktor nuk është i barabartë. Edhe një fëmijë mund të dalë në terren dhe të bëjë një pikturë. Rama kaq nivel ka.
Ndini akuzon shefin e Rendit të Komisariatit të Korçës, Mariglen Jaçellari, se e ka dhunuar dhe goditur pa asnjë shkak të ligjshëm. Këto akuza ai i ka përsëritur edhe me zë e figurë, në një video që Ben Blushi ka publikuar në rrjetin social “Facebook”.
Ndërkohë, ditën e djeshme ka reaguar edhe Policia e Korçës, e cila ka pranuar se shtetasi Niko Ndini është futur në furgonin e policisë, por nuk është shoqëruar në komisariat. Polici thotë se, shtetasi Niko Ndini nga ana tjetër e rrugës, (në trotuar) filloi të bërtasë e të përdorë fjalë fyese në drejtim të Kryeministrit, duke u bërë shqetësim për pjesëmarrësit e tjerë.
Në këtë moment, drejt qytetarit janë afruar shërbimet e policisë dhe shoqëruesit e Kryeministrit të cilët e kanë këshilluar qytetarin, që të mos vijonte me këtë sjellje e të mos bërtiste. Theksojmë se ky shtetas nuk është dhunuar nga asnjë punonjës policie dhe as nuk është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë”, thekson zëdhënësi i Policisë.
Por 53-vjeçari Niko Ndini thotë se, teksa ka parë kryeministrin Rama që po shkonte drejt Muzeut të Artit Mesjetar, i është afruar dhe ka hedhur parulla kundër qeverisjes së tij, duke shprehur mbështetje për Ben Blushin. Por pas kësaj, ai thotë se e kanë futur forcërisht në një mjet policie, dhe e kanë dhunuar.