Talat Xhaferi merr kabinetin e kryeparlamentarit të Maqedonisë

Kryetarit të ri të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi i është dorëzuar kabineti nga paraardhësi i tij, Trajko Veljanovski përkundër kundërshtimeve nga ana e tij që këtë ta bënte pas zgjedhjes së Xhaferit për kryeparlamentar të enjten e kaluar nga shumica e re parlamentare.
Madje deputetët e VMRO DPMNE-së të martën kishin hyrë të gjitha në kabinetin e kryetarit të Kuvendit për të manifestuar unitet në vendimin e tyre për të mos hequr dorë nga mos-njohja e Xhaferit.
“Akti i pranim-dorëzimit të detyrës u realizua në procedurë normale në bazë të parimeve të parlamentarizmit”, thuhet në komunikatën e parë për media nga kabineti i Xhaferi.
Pas largimit të Veljanovskit i cili kryesonte për gati një muaj mbledhjen konstitutive të Kuvendit, shërbimet e Kuvendit tanimë kanë nisur procedurën e zyrtarizmit të Talat Xhaferit në gazetën zyrtare për të rrumbullakësuar procesin e emërimit tij për kryetar të Kuvendit.
“Duhet të ketë një akt juridik, vendim se kryetari i ri është zgjedhur. . Këtë duhet shërbimet e Kuvendit ta bëjnë. Vendimi duhet të shpallet në gazetën zyrtare dhe me këtë kompletohet e gjithë procedura. Nëse procedura është e rregullt me dokumentacion të kompletuar, patjetër që duhet të shpallet”, thotë ish kryetari i Kuvendit Stojan Andov.
Pas këtij akti pritet që Xhaferi të njoftojë presidentin Gjorge Ivanov se në Kuvendin e Maqedonisë ka shumicë parlamentare dhe se mandati për kryeministër duhet ti ndahet liderit social-demokrat, Zoran Zaev.
Nga shumica parlamentare presin që presidenti Gjorge Ivanov të mos pengojë më dhënien e mandatit liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, i cili ka hartuar edhe programin qeveritar si garanci se nuk do të ketë ndarje të shtetit, apo prishje të karakterit unitar siç pretendonte Ivanov, por edhe VMRO-ja e Nikolla Gruevski.

Exit mobile version