Tallja e Ramës me banorët e izoluar: Dy fadroma për të na mbyllur gojën

Situata në zonat e izoluara nga bora në Veri po shkon drejt katastrofës. Shumë fshatra ndodhen të bllokuara prej dy javësh, ndërsa mjaft banorë shprehen se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga qeveria. Të izoluar dhe pa asnjë shpresë, banorët e Lëpushës në Malësinë e Madhe dhe fshati Bardhoc i Kukësit i janë drejtuar me mesazhe ish-Kryeministrit Berisha, duke i kërkuar ndihmë për mbijetesë. “Qytetarët dixhitalë nga Lëpusha dhe Bardhoci denoncojnë izolimin e plotë nga dëbora dhe braktisjen e mashtrimet e qeverisë për gjendjen e tyre! Ata kërkojnë ndihmë!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar mesazhet e dy banorëve dhe fotot që ata i kanë dërguar.
“Përshëndetje, nëse mundeni të na ndihmoni. Po ju shkruajmë nga fshati Lëpushë, Malësi e Madhe. Jemi në një fshat ku Lëpusha është vetëm Lëpushë. Po ju shpjegoj si deri tani rruga rezulton e bllokuar. Sot në administratën Kelmend erdhi zoti Rama dhe a e dini? Sollën dy fadroma dhe zoti Rama erdhi në Tamarë rreth 20 km larg Lëpushës dhe këto dy fadroma i solli thjesht, vetëm sa për të thënë që po të ankohet kush t’ja mbyllin gojën dhe deri tani jemi i vetmi fshat që s’kemi marrë ndihma ekonomike. Të gjitha pakot e ndihmës ekonomike që ishin për fshatin Lëpushë u ndanë në fshatin Tamarë. Mund ta vërtetoni dhe vetë, jemi të izoluar nga rreth një metër borë. Ndihma ekonomike s’kemi, rrugën e fshatit s’e kemi. Nëqoftë se një njeri bëhet i sëmurë do vdesë, sepse s’ka rrugë tjetër, sepse vonon 2 orë për ta çuar deri te rruga nacionale. Ju lutem na ndihmoni”, përfundon mesazhi i qytetarit dërguar ish-Kryeministrit Berisha.
Ndërsa një banor i fshatit Bardhoc në Kukës shkruan se megjithëse fshati ndodhet rreth 300 metër larg rrugës së “Kombit” ndodhet i bllokuar me rreth 3 metër borë. “Qeveria ka deklaruar se janë hapur rrugët kudo në Shqipëri. Këtu është fshati Bardhoc, rreth 300 metër larg rrugës së “Kombit”. Ka rreth 3 metër borë në rrugë”, shkruan banori.

Në Veri shumë fshatra mbeten të izoluar

Edhe Emergjenca Civile bëri të ditur dje se, zonat e thella malore vijojnë të jenë ende të bllokuara nga bora dhe moti i ftohtë, ndërsa rrugët kombëtare në Kukës dhe Has janë të kalueshme. Sipas Emergjencave Civile, në Bashkinë e Kukësit është e bllokuar Njësia Administrative Arrën me të gjitha fshatrat. Është e bllokuar fshati Turaj e Njësia Adminstrative Topojan. Është e bllokuar fshati Shtrezë e Njësia Adminstrative Shishtavec. Është e bllokuar fshati Nimçe e Njësia Adminstrative Zapod. Zyrtarët e Emergjencave Civile thonë se po punohet për hapjen e rrugës për lidhjen e fshatrave me qendrën, por ndonëse këto fshatra kanë më shumë se 10 ditë të izoluara, nuk është dërguar asnjë ndihmë ushqimore dhe ilaçe.
Në Bashkinë e Tropojës janë të bllokuara fshatrat Curraj i Epërm, Salcë, Palcë e Gjonpepaj të Njësisë Administrative Lekbibaj, Treshnjevë, Papaj, Gegaj të Njësisë Administrative Tropojë e Vjetër. Të bllokuara janë edhe fshatrat Lëkurtaj e Selimaj të Njësisë Administrative Bujan. Përsëri Emergjenca Civile thotë se, “po punohet për hapjen e rrugëve për lidhjen e fshatrave me qendrën”. Prej dy javësh, Emergjencat Civile thonë të njëjtat fjalë se gjoja po punohet për hapjen e rrugëve, por nuk dërgojnë mjete për pastrimin e borës. Në realitet rrugët vijojnë të jenë të bllokuara, ndërsa banorët bëjnë apel për ndihma ushqimore dhe ilaçe.

Banorët: Shteti nuk ekziston

Banorët e disa fshatrave në Fushë-Arrëz të izoluar që prej fillimit të janarit nga bora që përfshiu gjithë vendin ankohen se askush nuk iu ka ardhur në ndihmë. “Shteti nuk ekziston, për ne nuk është interesuar”, shprehen ata.
Apeli i tyre kryesor ndaj autoriteteve është që të ndërhyhet të paktën për të hapur rrugën. “Për 50 mijë lekë fadromë po na lënë në izolim. Nuk duam helikopter kur jemi sëmurë, të paktën të na hapen rrugët”, thonë banorët. Kjo situatë me këtë izolim kaq të gjatë, sipas tyre nuk iu kishte ndodhur asnjëherë.

Thethi i bllokuar nga bora

Prej 6 janarit, banorët e Thethit vazhdojnë të jenë të izoluar nga reshjet e borës. Videot që janë publikuar në rrjetet sociale tregojnë situatën nga reshjet e borës që e kanë bërë të pamundur lëvizjen drejt Thethit. Nga Boga deri në Qafë Thore rruga është e kalueshme me zinxhirë. Ndërsa më pas, Qafë Thore-Theth, 14 km janë tërësisht të bllokuara.
Rruga që të çon në Theth nga Shoshi është tepër e rrezikshme, pasi ka ngrica. Madje një turiste italiane ka mbetur e bllokuar dhe mes borës i bën apel institucioneve për të hapur rrugën me qëllim, që ajo të vazhdojë udhëtimin e saj. Banorët i kanë bërë apel qeverisë për të ndërhyrë.

R.POLISI

Artikulli paraprakÇarteri 70 mijë euro i fundërrinës së Tiranës
Artikulli tjetërVdekja e shokut, thes për mëkatet e tua