Tallja e Ramës, u fali bizneseve VIP, 65 milionë euro, u kërkon të japin 4 milionë euro lëmoshë për të varfërit

Teksa kryeministri u kërkoi bizneseve VIP të paguajnë 2% të dividendit, shumë kjo që në një vit normal, llogaritet të arrijë në rreth 4-5 milionë euro, atyre u janë falur 65 milionë euro nga ulja e dividendit nga 15 në 8%, si rrjedhojë e efektit prapaveprues që kishte kjo ulje

Në një mbrëmje madhështore, në Pallatin e Brigadave pak ditë më parë, Kryeministri Edi Rama u kërkoi bizneseve që të dhurojnë 2% mbi dividentin, për të krijuar “një fond të “Shqipërisë solidare”, “për të adresuar bashkë me ju nevoja dhe halle në drejtim të atyre që janë më në nevojë dhe më në hall”.

Normalisht, përjashtuar vitin 2018, që nuk ishte i zakonshëm për shkak të shpërndarjes së fitimeve të mëparshme, bizneset shpërndajnë 20-24 miliardë lekë si dividend (rreth 200 milionë euro). Pra, nëse bien dakord, bizneset duhet të falin 2% të kësaj shume, ose rreth 4-5 milionë euro.

Por, me një të rënë të lapsit, subjektet e mëdha kanë përfituar rreth 65 milionë euro, si rrjedhojë e një politike lehtësuese fiskale të qeverisë, që uli dividendin nga 15 në 8%, nga 1 janari i këtij viti, me efekt prapaveprues dhe për fitimet e pashpërndara të viteve të kaluara.

Sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet, të ardhurat nga dividendi në janar-shtator të këtij viti ishin rreth 11 miliardë lekë (90 milionë euro), me trefishim në raport me vitin e mëparshëm.

Kësaj shume i korrespondon një fitim i shpërndarë prej 137 miliardë lekësh (rreth 1.1 miliardë euro), bazuar në një nivel dividendi prej 8%.

Duke hequr shumën që shpërndahet në një vit normal (rreth 24 miliardë lekë), sipas përllogaritjeve të “Monitor”, rezulton se bizneseve u janë falur rreth 65 milionë euro nga fitimet e pashpërndara të viteve të kaluara.

Përfituesi më i madh ishte Telekom Albania. Në prill të këtij viti, Telekom Albania, operatori i dytë i telefonisë celulare në vend, ka vendosur që të shpërndajë 50 miliardë lekë (400 milionë euro) si dividend për aksionerët e Cosmote Mobile Telecommunication.

Shoqëria ka një fitim të grumbulluar të pashpërndarë në formën e rezervave, nga vitet 2001 deri në vitin 2010 dhe që tani do të shpërndahen në formën e dividendit për aksionerët. Operatori i telefonisë celulare ka derdhur 2 miliardë lekë pagesë në shtet si tatim mbi dividend.

Përfituesi i dytë më i madh ishte Banka Kombëtare Tregtare, që ka derdhur 193 milionë lekë pagesë për dividend, i ndjekur nga Tirana International Airport, me 158 milionë lekë. Më pas, në listë janë Agna, Alfa sh.a., Montal, Elka-SA, Raiffeisen, Pegasus, Alb-Building etj.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin e tij për zbatimin e buxhetit faktik 2018, konstaton se për shkak të hapësirave apo trajtimin e subjekteve me dy standarde, këto subjekte të kenë përfituar nga ulja e shkallës së tatimit mbi dividendin e pa shpërndarë. Është detyrë e administratës tatimore që, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë të merren hapa të kujdesshëm në ndryshimet ligjore, për të shmangur të tilla “amnisti fiskale”, me qëllim shmangien në të ardhmen të krijimit të ndonjë precedenti të rrezikshëm, në drejtim të favorizimit selektiv të subjekteve, sugjeron KLSH.

Nga auditimet e ushtruara në institucione qendrore, KLSh thotë se janë konstatuar problematika në trajtimet fiskale të subjekteve dhe në shumë raste, mungesa e kontrolleve të institucioneve shtetërore kanë lënë hapësira për shmangie fiskale, të cilat kërkojnë vëmendje të lartë të strukturave, si të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe strukturat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

KLSh thotë se me ndryshimin ligjor të normës tatimit mbi dividendin (në 8%), me efekt prapaveprues, bëhet fakt një “amnisti fiskale”, që krijon pabarazi fiskale në raport me individët, apo aksionerët, të cilët gjatë këtyre viteve e kanë shpërndarë dividendin deri në vitin 2017. Ndërkohë aksionerët, të cilët nuk kanë shpërndarë dividendin deri në vitin 2017, tashmë do të përfitojnë një lehtësim fiskal, duke aplikuar një tatim më të ulët.

Historiku i dividendit
Paketa Fiskale e vitit 2019 pati një vëmendje domethënëse te disa taksa, duke nisur nga tatimi mbi pagat e deri te ndryshimi i shkallës së dividendit që pothuajse u përgjysmua.

Teksa tatimi mbi dividentin qëndronte më herët në shkallën 15%, Këshilli i Ministrave pa të arsyeshme që të propozonte një nivel të ri që ishte 8%, duke përfshirë jo vetëm vitin aktual, por edhe atë të mëparshëm, duke vendosur kushte.

“Do të aplikohet shkalla tatimore 8% për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, me kushtin që: tatimi që u përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019; tatimi për dividendin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019. Kujdes! Në rast se nuk zbatohen kushtet e mësipërme, tatimpaguesi do të paguajë 15% tatim mbi dividendin”, përcaktohet në linja të përgjithshme në ndryshimet ligjore.

Lehtësimi në një taksë si dividendi, që është pjesa e fitimit që ju shpërndahet aksionerëve të një kompanie u pa me sy kritik në atë kohë, duke e cilësuar si një lëvizje që favorizonte “të pasurit” të cilët mbanin peng fitimet, duke konsideruar 15%, një nivel të lartë taksimi.

Të dhënat zyrtare të këtij viti tregojnë se lehtësimi që bëri qeveria lidhur me këtë taksë është parë si momenti i duhur për të shpërndarë jo vetëm fitimin e vitit 2018, por edhe të viteve të mëparshme, pasi vlera e paguar si taksë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nuk paraqet trendin normal të rritjes që ka pasur kjo taksë vit pas viti.

Ecuria e të ardhurave, “pasanikët” vrapojnë të paguajnë në 2019
Në paketën e vitit 2014, qeveria prezantoi një nivel të ri të tatimit mbi të ardhurat ku dividendi, të ardhurat e përfituara nga e drejta e autorit, ato mbi qiratë do të taksoheshin me 15%.

Komuniteti i biznesit do të kundërshtonte këtë hap dhe në atë kohë, Dhoma Amerikane e Tregtisë, ajo e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës, si dhe Konfindustria, do të kërkonin që qeveria ta shihte me kujdes këtë hap.

Por, pavarësisht kësaj, qeveria la dividendin 15%. Për të paktën tre vite, rritja e të ardhurave nga taksa e dividendit ka ruajtur pak a shumë të njëjtën vlerë, ndërsa në vitin 2019, bie në sy kërcimi që ka pësuar kjo shifër. Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve janë paguar si taksë mbi dividendin 10.9 miliardë lekë, apo rreth 100 milionë euro.

Kjo shifër përfaqëson 8% të fitimit që kompanitë kanë shpërndarë realisht tek aksionerët e tyre. Në vlerë, dividendi për këtë vit, sipas të dhënave zyrtare është 1.11 miliardë euro (kursi 1 euro=123 lekë). Në raport me një vit më parë, të ardhurat nga dividendi u trefishuan.

Për vitin 2017, taksa e paguar si dividend është 3.6 miliardë lekë çka përfaqëson vetëm 15% të dividendit të shpërndarë që në total, para taksimit, ishte 24.6 miliardë lekë. Në vitin 2016, taksa e paguar si dividend në Tatime ishte 3 miliardë lekë, ndërkohë që fitimi i kompanive i pashpërndarë para takës llogaritet në 20.2 miliardë lekë. Në vitin 2016 të ardhurat nga taksa e dividendit, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ishin 2.5 miliardë lekë, ndërsa totali i fitimit të pashpërndarë i kompanive korrespondon me vlerën 17.1 miliardë lekë.

Si ka ndryshuar ndër vite shkalla e taksimit të dividendit
Vendosja e një shkalle të re prej 8% e dividendit për vitin 2019 është lëvizja e parë që bëri mazhoranca për të ulur këtë taksë, që qëndronte në nivele të njëjta prej 15% nga viti 2015.

Para kësaj periudhe, taksa mbi dividendin qëndronte në një nivel prej 10%, duke u konsideruar si një nivel i drejtë edhe në raport me rajonin nga ana e bizneseve. Në atë kohë, bizneset nënvizuan se rritja e shkallës së taksimit do të ndikonte direkt në investimet e huaja dhe te kompanitë korrekte, që operojnë dhe paguajnë rregullisht taksat në Shqipëri.

“Pjesa më e madhe e bizneseve nuk ndikohet nga kjo rritje, sepse as nuk deklarojnë në mënyrë të rregullt dhe as paguajnë detyrimet sipas ligjit. Në këtë mënyrë, nuk do të ketë efekt te buxheti i shtetit, por vetëm një rritje të barrës te kompanitë e rregullta.

Me rritjen e këtyre tatimeve, ekziston rreziku që bizneset të zhvendosin aktivitetin e tyre në vende të ndryshme të rajonit, ku norma e taksimit është më e ulët dhe dekurajon ardhjen e investimeve të huaja.

Është me rëndësi të kujtojmë se taksa mbi dividendin nuk ka ndryshuar dhe ka mbetur niveli historik prej 10% gjatë këtyre 18 viteve në Shqipëri, madje edhe gjatë kohës kur tatimi mbi fitimin ishte 30%. Për këtë arsye, ne kërkojmë që nuk duhet të pranohet kjo pjesë e ndryshimeve e paketës fiskale” – theksuan në atë kohë bizneset.

“Monitor”

Exit mobile version