Tallja e Ramës me vettingun në polici

Deputetja e PD Jorida Tabaku ka denoncuar dje në Kuvend projektligjin për Vetingun në Polici, prezantuar nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Tabaku tha se qeveria nuk e ka seriozisht luftën kundër krimit dhe se nuk ka moral të bëjë vlerësimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, kur për 5 vjet ishte ajo që lejoi kultivimin e kanabisit, lulëzimin e krimit, nuk zbuloi asnjë vrasje të bujshme. Tabaku tha se nuk mund të fshihen dot ato që ndodhën 4 vjet të shkuara me Policinë, me krerët e saj, me trafikun e drogës. “Arsyeja e dytë, – tha deputetja nga foltorja, – pse unë besoj se qeveria nuk ka ndërmend ta luftojë krimin ose të paktën atë krim që lidhet me strukturat e Policisë lidhet njëkohësisht edhe me pjesën teknike të ligjit. Sipas ligjit, Ministria e Brendshme do të ketë përfaqësuesit e saj në Bordin që do të drejtojë Vetingun. Çfarë besueshmërie ka një ministri, një institucion, që drejtohet nga e njëjta forcë politike që lejoi për 5 vite që Shqipëria të vinte në këtë nivel?! Të hetojë policët, ndoshta edhe të ndershëm, aq më tepër kur edhe vetë ministri heziton të jetë pjesë e këtij procesi?! Pra, Vetingu në Polici nuk është as vullnet politik i mazhorancës dhe ligji që sjellin sot këtu bie në kundërshtim me ligjin e Policisë, por edhe me frymën e qeverisjes dhe frymën që ka sjellë kjo qeveri në 4 vitet e shkuara.

A mund të sillemi ne sikur 5 vite, 4 vite nuk ka ndodhur?! A mund të sillemi ne, sikur Policia nuk ishte shndërruar në një rrjet kriminal për të mbrojtur trafikun e organizuar nga shteti?! A mund të themi ne që tani fillon gjithçka?! U harruan vrasjet, eksplozivi, makinat shtetërore që organizonin trafikun, u harrua ish-Drejtori i Policisë dhe ministri? A mund të themi që u harrua i Madhi në Tiranë që jepte OK për çdo kg drogë që trafikohej në Shqipëri?! Unë besoj dhe kam besuar që në krye të herës se këto çështje kërkojnë vullnet politik dhe qeveria e ka treguar. E tregon çdo ditë, kur mbështet oligarkun përballë të pamundurit, kriminelin përballë të ndershmit, policin e korruptuar përballë të ndershmit. Unë nuk e besoj dhe nuk kam për ta besuar se kjo qeveri e ka seriozisht. Marrim rastin e Eskobarit të Ballkanit sa herë është njoftuar ai pas qindra konferencave për shtyp të PD? Sa vrasje të bujshme ka zbuluar kjo qeveri në mandatin e saj. Çfarëdo që të miratojmë ne këtu do të shkelet me dy këmbë”, theksoi Tabaku.

Exit mobile version