Tarifat e studimit, Shqipëria me tarifat më të larta se rajoni

Të studiosh në Shqipëri ka një kosto të lartë, që vjen gjithmonë e në rritje. Kostot e arsimit për familjet shqiptare janë të larta, si në institucionet e arsimit të lartë publik ashtu edhe në ato private. Me miratimin e ligjit të ri për arsimin e lartë është hera e parë që universitetet e caktojnë vetë numrin e studentëve dhe tarifat që këta duhet të paguajnë. Por, duke ju referuar Universitetit të Tiranës është vendosur që tarifat e studimit edhe për këtë vit të jenë të njëjta me ato të një viti më parë.  Këto tarifa variojnë nga 25 mijë lekë në degë të caktuara deri në 40 mijë lekë. Studentët që do të ndjekin drejtësi, do të paguajnë 40 mijë lekë në vit, ata që do të ndjekin studimet në Fakultetin e Ekonomisë do të paguajnë 35 mijë lekë. Ndërkohë, që një student që do të thellojë njohuritë e tij në matematikë do t’i duhet të paguajë 25 mijë lekë. Nëse i referohemi tarifave vjetore për Universitetin e Mjekësisë, senati ka bërë këto propozime: Mjekësi e përgjithshme 50 mijë lekë nga 45 mijë që ishte më parë, farmaci 50 mijë lekë nga 45 mijë, stomatologjia nuk ka ndryshuar dhe kushton 45 mijë lekë.  Ndërsa degët e tjera do të kenë një tarifë vjetore prej 35 mijë lekësh. Por, akoma më të larta janë tarifat e universiteteve private në vend. Pagesa vjetore në këto universitetet varion nga 2000 deri në 3000 euro. Një vit studimi në Universitetin Europian dhe tek Universiteti Epoka kushton 2500 euro. Ndërsa tarifat më të larta duket se janë tek Universiteti i New York-ut, ku një vit akademik kushton 3000 euro. Nëse i referohemi tarifave që aplikojnë disa nga universitetet në rajon, ato janë shumë më të ulëta dhe janë të përballueshme nga studentët. Në Universitetin Shtetëror të Tetovës tarifa është 1650 denarë ose 36 49 lekë. Një tjetër universitet që aplikon tarifa të ulëta është edhe ai i Zagrebit në Kroaci, ku një student duhet të paguajë 400 kuna ose 7285 lekë. Në Universitetin e Prishtinës një student që ndjek studimet me kohë të plotë duhet të paguajë si tarifë vjetore 100 euro, ndërsa një student që ndjek studimet me korrespodencë duhet të paguajë 250 euro. Në Universitetin e Beogradit në Serbi, i cili është edhe në listën e 500 universiteteve më të mira në botë, një studenti i duhet të paguajë 1500 euro në vit për studime në degë të ndryshme. Tarifa më e lartë që do t’i duhet një studenti që të paguajë në këtë universitet është 3000 euro dhe është për degën e arkitekturës.

Artikulli paraprak41 mijë maturantë e familjet në ankth, qeveria ka bllokuar aplikimin në universitete
Artikulli tjetërVisar Zhiti vlerësohet në Itali me çmimin “Gjuha e shpirtit”