Tashmë lojtar i Granadës, Uzuni debuton ndaj Realit të Madridit

Granada e zyrtarizoi Myrto Uzunin në skuadrën e saj ekzaktësisht në orën 23:00, vetëm 60 minuta përpara rënies së gongut për përfundimin e merkatos. “Sulmuesi me origjinë shqiptare firmosi deri në qershorin e vitit 2025. Futbollisti i ri bardhekuq ka eksperiencë në nivelin më të lartë të futbollit Europian në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës dhe është një lojtar i Kombëtares shqiptare.

Uzuni kaloi me sukses vizitat mjekësore dhe do t’i bashkohet skuadrës në stërvitje të martën (sot)”, thuhej në deklaratën zyrtare të Granadës, e cila e prezantoi edhe duke bërë xhonglimet e para me topin në stadium. Pak çaste përpara zyrtarizimit, erdhën edhe falënderimet e Ferencvaroshit, të cilët fitimin neto nga shitja e lojtarit e kanë 2.2 milionë euro.

Nga ky transferim përfitojnë edhe klubet shqiptare, Apolonia dhe Laçi, ekipet që e kanë pasur futbollistin pjesë të tyre deri në moshën 23 vjeç. Ato do të arkëtojnë 3% të vlerës së transferimit të kartonit, që i bie diku te rreth 90 mijë euro. Granada mendohet të ketë paguar 3 milionë euro për kartonin e tij.

Uzuni u bë transferimi i tretë i Granadës në merkaton e dimrit pas atij të fantazistit Aleks Kojado (në formë huazimi nga Barcelona) dhe mesfushorit serb Njegos Petroviç, i cili u transferua nga Crvena Zvezda. Uzuni shkëlqeu me Ferencvaroshin ku shënoi 36 gola dhe dha 14 asiste në 67 ndeshje. Ndërsa klubi ku po shkon, Granada, renditet në vend të 14-të në La Liga këtë sezon.

Pas 22 javësh ata kanë grumbulluar 24 pikë dhe duhet të vazhdojnë ende të punojnë për të siguruar mbijetesën, duke qenë se janë vetëm +6 pikë nga Kadizi i vendit të 18-të. Në La Liga Uzuni do të zgjerojë hartën e legjionarëve shqiptarë, ku militojnë edhe Bare tek Espanjoli dhe Balliu te Vajekano. Sulmuesi 26-vjeçar nuk mund të kishte shpresuar në një debutim më të bukur. Karriera e tij në La Liga mund të nisë si në ëndrrat më të bukura, në “Santiago Bernabeu” kundër Realit. Madrilenët do të presin Granadën në 6 shkurt, ora 21:00.

Exit mobile version