Jo të gjitha gjobat janë vendosur nga sistemi me të drejtë. Gjobitja e bizneseve të reja me një të punësuar (të vetëpunësuar administrator) ka qenë gabim i sistemit
Pasi një pjesë e madhe e bizneseve, kryesisht të reja u gjobitën masivisht në 22 qershor me 10 mijë lekë për vonesa në deklarimin e administratorit, Ministri i Financave Arben Ahmetaj pohoi publikisht se ato do faleshin, pavarësisht se këmbënguli se ato ishin vënë me të drejtë. “Dua të sqaroj drejtpërsëdrejti që gjenerimi i gjobave nga sistemi është në referencë të plotë të ligjit dhe disiplinës fiskale, pra Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka zbatuar me përpikmëri të plotë ligjin dhe është një domethënie e rëndësishme për atë disiplinë fiskale që ne po vendosim dita-ditës në territorin fiskal. Pra, dua të sqaroj të gjithë qytetarët që këtu nuk kemi të bëjmë me një keqinterpretim apo një keqpërdroim të ligjit, por ka të bëjë me një zbatim të drejtpërdrejtë dhe rigoroz të ligjit. Janë vendosur gjoba nga sistemi në bazë të ligjit të sigurimeve shoqërore dhe të ligjeve të tjera për mosdeklarim të punonjësve dhe të vetëpunësuarve”, tha Ahmetaj.
Por, burime nga tatimet, sqaruan për Monitor se jo të gjitha gjobat janë vendosur nga sistemi me të drejtë. Gjobitja e bizneseve të reja me një të punësuar (të vetëpunësuar administrator) ka qenë gabim i sistemit.
Çfarë ka ndodhur? Burimet nga tatimet sqarojnë se sistemi i ri e-tax, që u vu në funksion nga tatimet nga janari 2015 përditësohet vazhdimisht. Veprimi më i fundit ishte vënia në funksion e një aplikimi për gjobën automatike për deklarim të vonuar të punonjësve të rinj (në 9 qershor dhe 22 qershor, kur ndodhi dhe gjobitja masive). Deri tani gjobitja bëhej manualisht, në momentin që identifikohej vonesa nga tatimori, ndryshe psh nga deklarimi i vonuar i TVSH-së, ku menjëherë pas mbarimit të afatit të deklarimit, biznesit që nuk e ka bërë këtë deklarim i del automatikisht gjoba 10 mijë lekë në sistem.
Sipas ligjeve në fuqi, “Tatimpaguesit persona juridikë dhe fizikë janë të detyruar të deklarojnë në formë elektronike në administratën tatimore të punësuarit (përfshirë dhe punonjësit e papaguar të familjes së personit fizik me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht), që fillojnë punë për herë të parë apo të punësuar rishtazi pranë tij. Ky deklarim me të dhënat e kërkuara për secilin punonjës bëhet të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës së të punësuarve të rinj apo rishtazi”. Si rrjedhojë, sistemi ka identifikuar të gjitha ato biznese që nuk kishin deklaruar punonjësit të paktën 24 orë para.
Problemi ka lindur pasi sistemi nuk ka qenë në gjendje të identifikojë bizneset me të vetëpunësuar, të hapura rishtazi dhe t’i ndajë ato nga sipërmarrjet me të punësuar. Si rrjedhojë, një pjese të madhe të të bizneseve të reja të regjistruara në 2015-2016 u ka shkuar dhe u dalë në sistem njoftimi për “Gjobë për deklarim të vonuar ESIG27 Nr.1”, duke i habitur ata.
Bizneset u ankuan se po merrnin gjoba me datë para daljes së NIPT. “Aktualisht mbaj llogarite e 10 Personave fizikë pa TVSH, të cilet janë krijuar në periudhën Shtator – Dhjetor 2015. Të gjithë këta subjekte janë dënuar me gjobë 10,000 lekë për deklarim me vonesë të formularit ESIG027 (dmth deklarimi i fillimit të punës të vetëpunesuarit i cili është person fizik i vetem). Kjo gjë është totalisht e papranushme, pasi eshte e pamundur që një person fizik ta deklarojë datën e fillimit të punes më përpara se të marrë Niptin. Ata duan një periudhë 2-3 ditore që të tërheqin NIPT-in dhe po një periudhë 3-4 ditore të njoftojnë një ekonomist për regjistrimin e biznesit të tyre, thotë Virsoni, ekonomist.
Burimet nga tatimet pohojnë se këto gjoba janë të vënë gabim, e para sepse sistemi nuk ka identifikuar të vetëpunësuarit dhe e dyta (e lidhur me të parën) sepse ligji i regjistrimit në QKR (sot QKB) sanksionon se “Regjistrimi i subjekteve në regjistrin tregtar përbën, gjithashtu, regjistrimin e njëkohshëm të tyre pranë autoriteteve tatimore në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe pranë inspektoratit të punës”.
Ndërsa për bizneset që u gjobitën dy herë për të njëjtën gjë, burimet nga tatimet sqarojnë se kjo ndodhi pasi ata ishin gjobitur një herë paraprakisht manualisht dhe më pas u identifikuan dhe nga sistemi.
Tatimet sqarojnë se bizneset me të vetëpunësuar u orientuan të ankoheshin në Drejtorin e Apelimit, pasi do faleshin përsa kohë ishte gabim sistemi, megjithatë zemërimi i bizneseve ishte i madh dhe detyroi financat të tërhiqeshin publikisht nga gjoba.
Në vitin 2015 u regjistruan 39,650 biznese të reja, kryesisht të vogla, sipas burimeve nga QKB, si rrjedhojë e aksionit antiinformalitet. Nuk ka një shifër zyrtare se sa prej tyre janë gjobitur.
Gjoba për vonesa në deklarimin e punonjësve morën edhe bizneset ekzistuese. “Kjo s’ka ndodhur vetëm me bizneset e reja, por edhe ato ekzistuese, ti punëson sot një punonjes dhe je i detyruar ta deklarosh në sistem një ditë para, ndryshe nëse e deklaron në ditën që e ke punësuar merr 10,000 lekë gjobë, për vonesë deklarimi”, thotë Alma, ekonomiste.
Por, tatimet sqarojnë se nuk është e njëjta situatë për bizneset ekzistuese që kanë deklaruar punonjës të rinj, për të cilët gjoba ka qenë e drejtë, sepse ata duhet të marrin masa dhe të respektojnë afatin e deklarimit të paktën 24 orë para. Ekspertët nga tatimet pohojnë se për gjobat për të vetëpunësuarit nuk ka nevojë për falje nga Parlamenti, përsa kohë që ka qenë gabim nga sistemi dhe kjo nuk është amnisti. Ndërsa mbetet të pritet udhëzimi, për të parë nëse do të falen të gjitha gjobat, apo vetëm ato për të vetëpunësuarit.