Tatimet terror bizneseve: Pse ju është ulur xhiro? Nuk e kuptojnë se ka krizë

Tatimet dhe biznesi prej një viti janë përfshirë në një marrëdhënie të tensionuar për shkak të luftës antinformalitet. Por tani kur aksioni është futur në fazën e dytë, arritjet e së parës po shuhen.
Tatimorët janë të alarmuar për rënien e kuponëve nga kasat krahasuar me tremujorin e fundit 2015. Nisur nga ky fenomen, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Tiranë, ka lëshuar një njoftim për tatimpaguesit në të cilin thuhet se, subjektet që kanë ulur numrin e kuponëve do të jenë objekt kontrolli.
“Në kuadër të masave për sensibilizimin e tatimpaguesit, si dhe duke vlerësuar treguesit tuaj të deklaruar për shtypjen e kuponave tatimorë, nisur nga transmetimi i pajisjeve fiskale, rezulton se nga ana juaj është ulur ndjeshëm transmetimi i kasës krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2015!”, thuhet në shkresën që u është drejtuar bizneseve që kanë raportuar më pak xhiro ditore. Ata paralajmërohen se, nëse do të vazhdojë kjo situatë do të jenë subjekt kontrolli dhe u thuhet që të lëshojnë kupon për çdo blerje.
Por bizneset shprehen të shokuar nga sjellja e tatimeve. Pas supertaksave të Bashkisë, që ka rritur ndjeshëm barrën fiskale për bizneset, duket se edhe konsumi është futur në një cikël krize. Një pikë e shitjes me shumicë në Tiranën e Re raportoi ulje të ndjeshme të xhiros në muajt e parë të 2016-ës. Biznesi që ka më shumë se një dekadë në këtë aktivitet, pohon se gjithmonë xhiroja e muajve të parë të vitit është më e ulët se e fundvitit.
Ai tha se, përpos këtij cikli kostot e qytetarëve janë rënduar me taksa e tarifa, ndërkohë që vende të reja pune nuk ka dhe rrogat nuk janë rritur. Njerëzit nuk kanë ku t’i gjejnë lekët pohoi mjaft i indinjuar tregtari, i cili lajmëroi se xhiroja, do të ulet më tej.
I gjendur nën presionin e taksave më të larta bashkiake dhe në presionin e përditshëm të tatimeve ai tha, se do të mbyllë aktivitetin për punë ditësh. “E shikon, 100 lekë ora (të reja) parkingu, tek kjo rrugica. Fatura e ujit sa qimet e kokës, dritat po e po. Ku do t’i gjejnë njerëzit lekët. Si do të rris xhiron unë. Hajde shiko listën e borxheve sa është”, vijon më tej tregtari, një vendali që shet artikuj ushqimorë me shumicë për gati 15 vite.

Sipërmarrjet e mëdha: Pas heqjes së taksës, biznesi i vogël nuk po merr fatura

Nga ana tjetër, sipërmarrësit e mëdhenj ankohen se heqja e taksave për bizneset e vogla deri në 5 mln lekë po bën që prodhuesit të gjenden para refuzimit të tregtarëve për të marrë faturë, por edhe për të blerë. Kjo do të sillte rritje të xhiros së sipërmarrjeve të vogla, deri në kalimin e tyre në të mesme e të mëdha, pra një biznes objekt taksash. Prodhuesi i birrës, Stefan Pinguli pohon se, industritë prodhuese po vendosen gjithnjë e më shumë para presionit për të shitur pa faturë. Ju do të pyesni, pse ky shqetësim i madh, kur edhe deri dje, sipërmarrjet e vogla tregtare nuk merrnin faturë për mallrat e blera?! Ndryshimi gjendet po ashtu te formalizimi (i drejtë dhe i padiskutueshëm për rëndësinë e tij). Sipërmarrjet e mëdha janë formalizuar plotësisht, duke rritur nivelin e deklarimeve, ndërsa kjo nuk reflektohet te partnerët e tyre tregtarë. Duke thelluar hendekun mes prodhuesit e tregtarit, bizneset e vogla zgjedhin më mirë të shesin më pak mall të siguruar pa faturë, se të shtojnë xhiron “de facto” e “de jure”. FMN paralajmëroi (pasi qeveria vendosi të heqë taksën e biznesit të vogël prej 25 mijë lekë në vit për xhiron deri në 5 milionë lekë) se kjo do të kishte efekt negativ në luftën ndaj informalitetit, pasi nxitja për evazion masiv do të jetë më e madhe dhe shumë biznese do të tentojnë të qëndrojnë në këtë nivel, ndërsa të tjera do tentojnë të ndahen që të zbresin në kufirin ku nuk paguhen taksa.

Exit mobile version