Me udhëzimin e ri nga Ministria e Financave, çmimit të shitjes së banesave mund t’i bëhet 1% zbritje për çdo vit vjetërsi, por jo më shumë se 30%.
Në rastet kur çmimi pas zbritjes rezulton më i ulët se vlera e kontratës së shitjes, atëherë për bazë në llogaritjen e tatim-fitimit 15% do të merret kjo e fundit. Ndërkohë për shitjen e njësive tregtare si dyqane, çmimi i referencës pas zbritjes do të shumëzohet me një koeficient 1.5. Për kryeqytetin koeficienti do të jetë 2.
Ndërkohë janë të përcaktuara dhe çmimet e shitjes për parkimet e mbuluara dhe bodrumet, që do të jenë sa 70% i vlerës së referencave së banesave, për ambientet e hapura të parkimit, pishinat apo ambientet sportive, sa 30% i referencës së banesave në zonën përreth, për ndërtimet industriale 50% i çmimit të referencës dhe për ndërtimet në bujqësi e blegtori sa 30% i referencës.
Sipas ekspertëve udhëzimi krijon konfuzione për vlerësimin që do bëhet në bankë.
“Për të gjithë personat që mund të shesin jë pronë me certifikatë pronësie dhe të gjithë ata që do aplikojnë për tu financuar nga një bankë e nivelit të dytë nuk e dinë sesi kjo skemë e re do funksionojë në vlerësimin e pronave. Do ta rrisë vlerësimin e tyre apo do ta ulë, sepse nëse vlerësimi i tyre ulet, atëherë do të jetë edhe më e vështirë për klientin që të financohet në një vlerë të madhe, por nëse e rrit do jetë dhe më e thjeshtë për klientin blerës. Por, mesa shohim më të favorizuar janë ata investitorë që do të aplikojnë për godinat e vjetra, për ish-uzinat dhe ish-fabrikat e përmendura, ku amortizimi shkon deri në 50%, por edhe kjo pasi është bërë vlerësimi nga një vlerësues i licencuar”, tha agjenti imobiliar Erjon Alimema.
Ligji përcakton qartë edhe rastet kur trashëgimia dhurohet. Akti i dhurimit mund të konsumohet vetëm një herë dhe brenda familjes së ngushtë, ndërsa në rastet e tjera transaksionet do të tatohen
“Nuk mund të ridhurohet disa herë brenda familjes apo te kushërinjtë e vijës së dytë apo të tretë”, tha Alimema.
Çmimet e reja të referencës për kryeqytetin të miratuara me VKM në 2022-in do të hyjnë në fuqi për tregun imobiliar vitin e ardhshëm, ndërsa aktualisht transaksionet e shit-blerjes së pronave përllogariten me referencat e 2018-ës të miratuara nga Kadastra.