Taulanda Jupi: Arti dhe kultura nuk janë lodra të politikës!

Prof. Asoc. Taulanda Jupi, pedagoge në Universitetin e Arteve dhe kandidate e Koalicionit Euroatlantik për Tiranën në zgjedhjet e 11 majit, ka reaguar ndaj mënyrës sesi qeveria po përdor artin dhe kulturën për qëllime propagandistike.

Në një postim në rrjetet e saj sociale, Jupi kritikon monologun elektoral të Edi Ramës në ditën kur Tirana shpallet “Kryeqytet Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”, duke e cilësuar atë një spektakël politik të ndarjes dhe përçarjes, në vend të një feste për qytetarët dhe artistët.

“Artistët e një kombi janë pasuria e tij më e çmuar, jo dekor për fasadat e pushtetit! Sot, një qeveri që i ka braktisur në varfëri, kërkon t’i shfrytëzojë për propagandë,” – shprehet Jupi, duke theksuar se arti dhe kultura duhet të jenë mbi politikën, si një shtyllë e një shoqërie më të shëndetshme dhe më tolerante.

Ajo gjithashtu ngre shqetësimin mbi faktin se ftesat për këtë event shpërndahen në emër të një kryebashkiaku tashmë të arrestuar për korrupsion, i cili akuzohet për përdorimin e projekteve artistike për pasurim personal.

“Tirana nuk i përket qeverisë, as korrupsionit, por u përket artistëve dhe qytetarëve të saj! Shqipëria meriton më shumë, artistët meritojnë më shumë respekt, mbështetje dhe dinjitet.”


Postimi i Jupit:

Arti dhe kultura duhet të jenë mbi politikën!
Në ditën kur Tirana kremton shpalljen “Kryeqytet Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”, Edi Rama ka zgjedhur të bëjë një monolog elektoral, jo një dialog, jo një festë për qytetarët, por një shfaqje në shërbim të pushtetit të tij. Ai po e përdor këtë ditë, këtë qytet dhe këtë kulturë për të mbjellë përçarje dhe konflikt. Në vend që Tirana të bëhet kryeqyteti i kulturës dhe dialogut mes qytetarëve të saj, ajo po përdoret si mjet ndasie, duke i ndarë qytetarët sipas ngjyrave të fanellës politike e ideologjike.
Fakti më i papranueshëm për është që ftesat për këtë spektakël shpërndahen në emër të një kryebashkiaku që sot është pas hekurave, pikërisht sepse akuzohet për korrupsion dhe për përdorimin e projekteve të rreme artistike për t’u pasuruar vetë. Kjo nuk është as kulturë, as art: kjo është shkelje e dinjitetit të artistëve dhe të gjithë individëve krijues e kontribues në industrinë kreative.
Artistët e një kombi janë pasuria e tij më e çmuar, jo dekor për fasadat e pushtetit! Sot, një qeveri që i ka braktisur në varfëri, kërkon t’i shfrytëzojë për propagandë. Po, Shqipëria është e pasur me talent, por e varfër nga një qeverisje që e trajton artin si mjet përfitimi, si propagandë
dhe jo si mision!
Arti dhe kultura NUK janë lodra të politikës.
Tirana nuk i përket qeverisë, as korrupsionit, por u përket artistëve dhe qytetarëve të saj!
Arti dhe kultura duhet të qëndrojnë përtej dhe mbi politikën, si një faktor themeltar për një shoqëri më të shëndetshme, më tolerante dhe gjithpërfshirëse.
Tirane meriton më shumë!
Artistët meritojnë më shumë respekt, mbështetje dhe dinjitet.

Artikulli paraprakEndri Hasa: Rilindja në ethet e fundit, shqiptarët të neveritur nga qeverisja e saj
Artikulli tjetërGazment Koduzi: Shqipëria, i vetmi vend në Europë që nuk kryen analizën e gjakut për të sapolindurit