Taulanda Jupi: Frika e kryetarëve nga vota e qytetarëve

Nga Taulanda Jupi

Zgjedhjet e 11 majit janë betejë mes dy forcave: atyre që besojnë tek fuqia e qytetarit dhe atyre që frikësohen prej saj. Në Shqipëri, politika e tranzicionit e ka bërë zgjedhjen e saj. Ata që e mbajtën Shqipërinë 34 vite vendnumëro, kanë frikë nga qytetarët dhe vota e tyre. Prandaj kanë ndërtuar një sistem ku zgjedhjet nuk janë garë mes ideve, por pazar mes kryetarëve.

Në vitin 2008, Sali Berisha dhe Edi Rama ndryshuan Kushtetutën në mes të natës. Ata nuk reformuan sistemin por çmontuan garën. Listat u mbyllën, partitë u shndërruan në klube private dhe qytetarët humbën fuqinë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Që nga ai moment, politika nuk ka qenë betejë vlerash, por betejë shërbëtorësh.

Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, zgjedhjet e parakohshme u bënë praktikisht të pamundura. Qeveritë nuk mbahen më nga vota, por nga llogaritë e kryetarëve. Mocionet e mosbesimit janë kthyer në mjete manipulimi për të garantuar që ndryshimi të vijë vetëm kur u leverdis Ramës dhe Berishës.

Një tjetër mekanizëm për të deformuar vullnetin qytetar është refuzimi sistematik i një zone zgjedhore kombëtare. Në vend të një përfaqësimi të drejtë, kemi ndarje rajonale të kalkuluara për të ruajtur pushtetin e të njëjtëve individë. Në këtë mënyrë, politika e tranzicionit sigurohet që asnjë votë e qytetarëve të mos e sfidojë seriozisht marrëveshjen e tyre.

Votimi elektronik është një tjetër zgjidhje që politika e tranzicionit e refuzon njëzëri. Një proces që do të eliminonte manipulimet dhe do t’i jepte fund pazareve me numërimin e votave është refuzuar me ngulm. Pse? Sepse i frikësohen një procesi që nuk mund ta kontrollojnë.

Mbyllja efektive e listave në 2020 dhe 2024 ishte goditja përfundimtare ndaj konkurrencës politike. Nuk ka më garë të hapur brenda partive. Nuk ka më politikë të bazuar në ide. Ka vetëm shërbëtorë që presin radhën e tyre në listat që vendosen në zyrat e kryetarëve. Deputetët nuk janë më përfaqësues të qytetarëve – janë përfaqësues të kryetarëve.

Për të mbuluar mungesën e garës reale, Rama dhe Berisha kanë shpikur operacione propagandistike si primaret apo platforma“Deputeti që duam”. Por në fund, të njëjtët njerëz vendosin gjithçka. Janë ata që pyesin dhe ata që përgjigjen. Dhe qytetari mbetet spektator në një vendimmarrje që duhet të ishte e tija.

Me parti jodemokratike nuk mund të ndërtojmë një Shqipëri demokratike. Një sistem politik që përjashton qytetarin nga vendimmarrja, që përqendron pushtetin në duart e pak individëve, nuk mund të prodhojë institucione demokratike. Një demokraci e shëndoshë nuk mund të mbështetet mbi struktura autoritare. Prandaj, beteja nuk është vetëm për një sistem më të mirë zgjedhor, por për një politikë që i bindet qytetarëve dhe jo kryetarëve.

Demokracia ekziston vetëm përmes zgjedhjeve ose nuk ekziston fare. Një politikan që frikësohet nga vota e lirë nuk është politikan. Është koha të zgjedhim: të vazhdojmë të jetojmë në një sistem të kapur, apo të kërkojmë një Shqipëri ku vota e qytetarit ka vlerë reale? Zgjedhja nuk është vetëm e politikanëve. Është e juaja, është e qytetarëve.

Artikulli paraprakPampuri uron CDU për fitoren e zgjedhjeve, zyrtari i lartë gjerman Krichbaum i shpreh mirënjohje: Mezi pres takimin e radhës
Artikulli tjetërTom Doshi pasi del nga SPAK: U pyeta për një përgjim zgjedhor