Taulanda Jupi: Mësuesit shqiptarë me pagat më të ulëta në Europë, kjo duhet të ndryshojë!

Taulanda Jupi, kandidatja e Koalicionit Euroatlantik për Tiranën, ka ngritur shqetësimin për nivelin e ulët të pagave të mësuesve në Shqipëri, duke e krahasuar atë me koston e lartë të jetesës.

Sipas Eurostat 2024, një mësues në Shqipëri paguhet vetëm 7,587 euro në vit, më pak se në çdo vend tjetër të Europës. Ndërkohë, çmimet e qirave, ushqimeve dhe faturave të energjisë janë rritur ndjeshëm, duke e bërë të pamundur që një mësues të mbajë familjen dhe të investojë në të ardhmen e fëmijëve të tij.

“Nëse duam që arsimi të jetë një prioritet i vërtetë, atëherë duhet të trajtojmë mësuesit si gurin themeltar të shoqërisë, jo si një mendim të dytë në buxhetin e shtetit,” – shkruan Jupi, duke theksuar se mësuesit shqiptarë meritojnë më shumë.

Koalicioni Euroatlantik e ka vendosur arsimin dhe përmirësimin e kushteve të punës për mësuesit në qendër të programit të tij për zgjedhjet e 11 majit.

Postimi i Jupit:

Mësuesit me pagat më të ulëta përballë çmimeve më të larta në Europës
Një mësues në Shqipëri paguhet vetëm 7,587 euro në vit (Eurostat, 2024), më pak se kudo tjetër në Europë. Ndërkohë, çmimet rriten çdo ditë. Qiratë në qytetet kryesore janë rritur ndjeshëm, faturat e energjisë dhe ushqimet kushtojnë shpeshherë më shumë në vendet më të zhvilluara të Europës. Si mund të presim që një mësues të mbajë familjen, të investojë në të ardhmen e fëmijëve të tij dhe të punojë me përkushtim, kur paga mezi mjafton për të mbijetuar.
Kur një vend i detyron mësuesit e tij të luftojnë çdo muaj për të paguar faturat, ai nuk po rrezikon vetëm mirëqenien e tyre—po minon të ardhmen e vet. Një ekonomi që zhvlerëson dijen, e ka të shkruar në fatin e saj që të mbetet e pazhvilluar.
Nëse duam që arsimi të jetë një prioritet i vërtetë, atëherë duhet të trajtojmë mësuesit si gurin themeltar të shoqërisë, jo si një mendim të dytë në buxhetin e shtetit.
Mësuesit shqiptarë meritojnë më shumë

Artikulli paraprakVizita e shefit të NATO-s në Kosovë, REL: Rikonfirmim për praninë e forcave evropiane në vend, pavarësisht ndonjë lëvizjeje të atyre amerikane
Artikulli tjetër“Nuk do të lejojmë që të rrezikohet paqja në Bosnjë”- Mark Rutte: Retorika nxitëse, e rrezikshme