Taulanda Jupi: Rama i korruptuar, Berisha ‘agjenci protestash’ me porosi nga pushteti

Anëtarja e kryesisë së PD-Demokratët Euroatlantikë, Taulanda Jupi, nëpërmjet një reagimi, shkruan se korrupsioni i Edi Ramës nuk përbën më lajm, kur thuhet nga goja e ish-zëvendësit të tij.

Sipas Jupit, “lajm është që Sali Berisha e ka shndërruar Partinë Demokratike në agjensi protestash që merr porosi nga copëzat dhe ish-copëzat e qeverisë së Edi Ramës”.

Më poshtë reagimi i plotë:

Që Edi Rama është i korruptuar nuk është lajm. Aq më pak lajm bëhet kjo e thënë nga goja e ish-zëvendësit të tij të akuzuar për korrupsion nga SPAK.

Lajm është që Sali Berisha e ka shndërruar Partinë Demokratike në agjensi protestash që merr porosi nga copëzat dhe ish-copëzat e qeverisë së Edi Ramës.

Një herë proteston përpara zyrës së Veliajt i komisionuar nga zëvendësja aktuale e Ramës. Një herë tjetër proteston përpara zyrës së Ramës (të paktën) i inspiruar nga ish-zëvendësi i Ramës.

I gjithë teatri ka një prapaskenë: Edi Rama dhe Sali Berisha qeshin së bashku me talljen cinike që u bëjnë shqiptarëve.

Në skenë ata organizojnë protesta dhe lexojnë fjalime me sharje dhe akuza ndaj njëri-tjetrit. Në prapapskenë, ata bien në ujdi të amnistojnë krimet e tyre dhe të partnerëve të tyre.

Në skenë ata dërgojnë dosje kundër njëri-tjetrit në SPAK. Në prapaskenë, ata bashkojnë votat për komisionin Xhafa.

Në skenë ata i përmendin njëri-tjetrit oligarkët. Në prapaskenë, ata ndajnë bashkë konçensionin 1.3 miliard euro për të ndërtuar 20 km autostradë.

Por ka vetëm një aktor që ata nuk e nxjerrin dot në skenën e tyre hileqare: DREJTESIA E RE. Përpara drejtësisë së re, të dy janë fajtorë dhe duhet të përgjigjen.

Ndërsa drejtësia e re bën punën e saj, ne, shqiptarët e rebeluar ndaj teatrit të tyre 34 vjeçar duhet t’ua shkurtojmë ditët në pushtetin me turne.

Në 11 maj, ata duhet të nisin përballjen me drejtësinë. Ne duhet të nisim punën për Shqipërinë pa kolateralin e tyre kriminal.

Exit mobile version