I shumëkërkuari, Bruno Çobo është “arrestuar” në Dubai dhe u ekstradua për tu përballur me drejtësinë, ku akuzohet nga SPAK për mashtrim.
Sipas akuzave nga SPAK, Bruno Çobo, në bashkëpunim me 16 persona të tjerë kanë arritur që të mashtrojnë mijëra qytetarë italianë duke përfituar miliona euro.
Lajmin i arrestimit sipas disa mediave ka ardhur për shkak të marrëveshjeve të ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, me homologët në Dubai.
I shumëkërkuari Bruno Çobo
Por e vërteta është ndryshe. Sipas dokumentave të siguruara nga VoxNews, Bruno Çobo nuk është arrestuar por është dorëzuar me vullnetin e tij.
Në kërkesën e bërë nga Bruno Çobo për Interpol Tirana, me anë të avokatit të tij ka kërkuar që ti hiqet masa e kërkimit ndërkombëtar dhe të lejohet të vij në Shqipëri një muaj më parë në datat 11 dhe 15 shkurt 2024.
Çobo ka kërkuar të vetëdorëzohet tek autoritetet shqiptare dhe të përballet me Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme.
Për vetëdorëzimin e ai ka njoftuar Amasadën shqiptare në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kujtojmë se Bruno Çobo kërkohet nga SPAK pasi akuzohet se në bashkëpunim me 16 persona të tjerë kanë arritur që të mashtrojnë mijëra qytetarë italianë duke përfituar miliona euro nëpërmjet call center-ave.
Në janar Pokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë përfundoi hetimet paraprake për një grup kriminal, të cilët mashtronin duke vjedhur të dhënat bankare, përmes të cilave kanë “zhvatur” 4.7 milione euro.
Hetimet e SPAK
Hetimi ka filluar pas kallëzimit të shtetasit italian A.B. në 28.09.2020 (procedimi penal nr. 2041/2020 mod.44), i cili ka raportuar se kishte investuar një shumë të madhe parash (një total prej 700.000 euro), sepse ishte tërhequr nga një reklamë e gjetur në internet e cila e kishte ftuar të investojë në aksione të Amazon dhe që do të kishin siguruar një marrëveshje të madhe përfitimi.
Pas një interesi nga ana e tij, i njëjti person ka raportuar se ishte kontaktuar nga disa të vetëquajtur “ndërmjetës financiarë” të cilët, si pjesë e të njëjtit propozim investimi, duke synuar përfitimin e shumave të mëdha nga transferime të shumta financiare.
Në denoncimin e depozituar nga A. B. janë specifikuar në detaje të gjitha mënyrat e mashtrimit të pësuar, duke evidentuar se ka marrë kontakte telefonike dhe me postë elektronike me të poshtëshënuarit “operatorë financiarë” me të cilët kishte shkëmbyer dokumente të ndryshëm.
Si rezultat i veprimtarisë së përbashkët hetimore është bërë e mundur fillimisht identifikimi i Call centerit dhe disa nga personat e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, sipas të cilit rezultonte se i kishte sjellë këtij grupimi kriminal një shumë të përgjithshme prej 1.300.000 eurosh, që mendohet të jetë vetëm një pjesë e vogël e shumës së përfituar nga grupi si vijim i aktivitetit kriminal.
Aktiviteti i Bruno Çobos dhe grupit të tij
Ky grup kriminal dyshohej se kishte ushtruar aktivitetin e tij deri në muajt prill ose maj të vitit 2022 ku edhe ka mbyllur aktivitetin e Call Centerit, me adresë rruga “Don Bosko”….
Pas provave të grumbulluara me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme nga ana e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin nr.75 datë 21.10.2022, fillimisht janë caktuar masa e sigurimit me karakter shtrëngues “arrest në burg”, për shtetasin Gilbert Pushani dhe arrest në shtëpi për shtetaset V. A. dhe E. Ç, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Ky vendim është ekzekutuar nga policia gjyqësore në datë 25.10.2022. Njëkohësisht me arrestimet e shtetasve të mësipërm, më datë 25 tetor 2022, gjykata autorizoi kontrollin dhe sekuestron e Call Center-it të përdorur nga grupi kriminal me vendndodhje në Tiranë – Rruga “Dritan Hoxha” – Kompleksi “Karavan U2” – kati nr. 2.
Në përfundim të kontrollit ndaj të dyshuarve dhe nga kontrolli në call center-in në Rrugën “Dritan Hoxha”, i cili në momentin e ekzekutimit ishte pa persona brenda, dha një rezultat pozitiv pasi lejoi gjetjen dhe sekuestrimin e 68 kompjuterëve personalë dhe materialeve të tjera të konsideruara me interes të veçantë hetimor./VoxNews