Taulant Xhaka në një rrëfim të veçantë. I intervistuar nga faqja e specializuar sportive, bzbasel.ch, mesfushori i Kombëtares shqiptare nxjerr në pah një anë të panjohur. Jashtë fushës se lojës, ai është një njeri aktiv që ka pasionet dhe veset apo ëndrrat e tij. I detyruar të zgjedhë mes dy alternativave, vëllai i madh i familjes Xhaka, zbulon anën e panjohur të tij, por në të njëjtën kohë edhe dëshirat që e bëjnë jetën e tij më intriguese përveçse të suksesshme. Fillimisht ai pyetet se cila është loja e preferuar dhe për të FIFA mban vendin e parë, ndërsa shton se skuadra e tij e parë, Concordia Basel, do të mbetet në zemrën e tij përjetësisht.
Mish apo peshk? Taulanti bën zgjedhjen e parë, ndërsa i pyetur se, nëse do të kishte mundësi zgjedhjeje mes Scarlett Johansson dhe Angelina Jolie, 25-vjeçari anon nga aktorja bionde. “Të dyja janë femra shumë të bukura, por Johanson më tërheq më shumë”, thekson Xhaka që gjatë javëve të fundit është vënë sërish në qendër të vëmendjes. Merkatoja mbetet e hapur, por edhe pse ai është lojtar i Baselit, ëndrra është Premier League. “Në Angli dhe në Spanjë, futbolli ndryshon shumë, por të dy janë kampionate magjepsës. Unë zgjdh Premier League, jo sepse aty luan vëllai im, por është kampionati më i mirë në planet”, thekson mesfushori shqiptar në intervistën dhënë për faqen e internetit bzbasel.ch.