Kur skuadra shënon 7 herë në portën kundërshtare, një lojtar që nuk është i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në aksionet e golave, vlerësimi si një prej më të mirëve në fushë duket i vështirë. Por, ky nuk është rasti i Taulant Xhakës. Megjithëse në triumfin e Baselit në fushën e St. Gallen ishte sulmi ai që u ngjit në vitrinë, edhe mesfushori shqiptar shkëlqeu në fushë. Për paraqitjen në “AFG Arena”, ku u aktivizua si mbrojtës qendre nga trajneri Fischer, kuqeziu nuk i zhgënjeu pritshmëritë e një “xholi” të domosdoshëm te kampionët e Zvicrës në fuqi.
I saktë me ndërhyrjet në fazën difensive dhe në ndërtimin e aksioneve, Taulant Xhaka u përfshi në formacionin e javës së 28-të të Superligës zvicerane nga gazeta Blick. Rreth paraqitjes së 25-vjeçarit, e përditshmja shkruante se “është e lehtë ta kuptosh kur Xhaka është në një ditë të mirë: i gjallë dhe i fortë në mbulime. Praktikisht pa të meta”. Në një ditë të mirë në suksesin me goleadë përballë St. Gallen ishte edhe lojtarit tjetër i Kombëtares, Naser Aliji. I aktivizuar si zëvendësues në minutën e 46-të të sfidës, mbrojtësi nga Kumanova ishte protagonist me dy asist në golin e katërt nga Calla dhe në rrjetën e shtatë me autor Renato Steffen.