Taulanti: Do ta ndal Granitin edhe nëse do të shkaktoj faull

Përballja Shqipëri-Zvicër është në qendër të vëmendjes për të gjitha mediat europiane. Jo vetëm për debutimin e kuqezinjve, por edhe për përballjen mes vëllezërve Xhaka. Më i madhi prej tyre, Taulanti, tregon për “Ilustre.ch” ndjesinë për këtë përballje dhe sfidën me Granitin. “Do ta ndal. Nëse do të më duhet, do t’i shkaktoj edhe faull, vetëm që të mos na shënojë. Ai e di që ne jemi profesionistë dhe secili duhet të bëjë maksimumin për ekipin e tij. Graniti i merr gjërat me më shumë emocione sesa unë.
Në familje? Mamaja bën tifo 100% për Zvicrën. Ka jetuar atje prej vitesh dhe i ka dhënë shumë ai vend. Babai është 50 me 50. Fakti që 150% e familjes bëjnë tifo për Zvicrën, më japin edhe më shumë kënaqësi, nëse do të fitoj me Shqipërinë”, tregon Taulanti.
“Në vitin 2014, vëllezërit Boateng ishin përballë njëri-tjetrit dhe në atë kohë kur flisja me Granitin, thoshim: “Si do të jetë nëse përballemi?’ Kur shorti na përplasi në ‘Euro 2016’, rikujtuam këto muhabete”, thotë ai.
Taulanti flet edhe për idhullin e tij. “Kam bërë nisje të shkëlqyer me Shqipërinë, pasi kam fituar ndaj Portugalisë. Edhe këtë herë, është pak a shumë e njëjta gjë”, ka vijuar mesfushori. “Kristiano Ronaldon e kam idhull. Kam luajtur përballë tij dhe do të doja shumë që të përballeshim me të në Europian. Do të ishte fantastike. Jam në të njëjtën skuadër me të në ‘play stacion’, përfundon Taulant Xhaka.

Artikulli paraprak“The Guardian”: De Biasi shpalos objektivin e Shqipërisë
Artikulli tjetërGati anti-Zvicra!