Nga Gjergj Erebara
Pas disa vitesh situate stanjative të shkaktuara kryesisht nga rënia e popullsisë dhe, rrjedhimisht, rënia e numrit të përdoruesve të telefonisë celulare, kompanitë që operojnë në këtë treg siguruan të ardhura më të larta gjatë vitit 2024, një situatë që sugjeron se kompanitë mund të kenë qenë në gjendje të shesin me çmime më të larta te një numër më i vogël klientësh. Gjithsesi, ky inflacion, i cili u vu re edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, institucion që njoftoi hapjen e hetimeve ndaj kompanive për shkak të dyshimeve se i kanë rritur çmimet në mënyrë të koordinuar, nuk është vënë re nga Instituti i Statistikave, i cili ka vlerësuar se çmimet në grupin “Komunikimi” nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim dramatik, jo vetëm gjatë vitit 2024 por edhe përgjatë të pesë viteve të fundit.
Të dhënat mbi volumin e komunikimit, të ardhurat e kompanive dhe numrin e përdoruesve aktivë u publikuan së fundmi nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare në raportin vjetor të këtij institucioni të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë. Të dhënat e përdoruesve të kartave SIM, të cilat janë unike për çdo pajisje që lidhet në rrjetin e telefonisë celulare, duket se tregojnë edhe rënien e popullsisë prezente në Shqipëri, ku një rënie e konsiderueshme vërehet në vitet 2023 e 2024.
Më pak klientë, më shumë të ardhura
Dy kompanitë e shërbimeve të telefonisë së lëvizshme që veprojnë aktualisht në Shqipëri, Vodafone Albania dhe One patën të ardhura në masën 28 miliardë lekë gjatë vitit 2024, thuhet në raportin e AKEP për parlamentin. Në krahasim me vitin 2023, të ardhurat janë rritur me 10% ose 4 miliardë lekë. Të ardhurat e operatorëve të tregut nuk u rritën në vitin 2023 në krahasim me vitin 2022 dhe patën shënuar një rritje minimale prej 2.7% në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021.
Ndryshe nga të ardhurat, numri i klientëve që kompanitë u kanë shërbyer ka ardhur në rënie. Në vitin 2023, kartat aktive ranë me 6% ndërsa në vitin 2024 ranë edhe me 4.8% të tjera.
Në vitin 2024, në Shqipëri pati afërsisht 2.49 milionë karta SIM aktive. Kompanitë klasifikojnë si “aktive” kartat që kryejnë së paku një lidhje në rrjet përgjatë një periudhe të caktuar.
Në krahasim me vitin 2023, numri i kartave aktive ka rënë me 126 mijë ose 4.8% ndërsa në krahasim me vitin 2023, rënia ka qenë 294 mijë karta sim ose 10%. Rënia e numrit të përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare mund të shërbejë si tregues indirekt i popullsisë prezente në vend por duke marrë parasysh se shumë qytetarë mbajnë në përdorim më shumë se sa një telefon celular, të dhënat nuk japin një tablo shumë koncize.
Kompanitë celulare gjithsesi ia kanë dalë që, gjatë viteve të mëparshme të shmangin rënien e të ardhurave përmes rritjes së arkëtimeve nga një numër më i vogël klientësh ndërsa gjatë vitit të kaluar, ia kanë dalë të rrisin të ardhurat pavarësisht rënies. Kështu, të ardhurat e dy operatorëve të pjesëtuar për numrin e kartave SIM aktive tregojnë se të ardhurat mesatare për përdorues u rritën me 15.6% gjatë vitit të kaluar dhe 6.4% në vitin 2023. Në total, secili prej përdoruesve aktivë në vitin 2024 pagoi pak më shumë se 11 mijë lekë (rreth 110 euro) për shërbimet e telefonisë celulare ndërsa në vitin 2023 pati paguar 9700 lekë ose rreth 97 euro.
AKEP thotë në raportin e vet vjetor se ulja e numrit të operatorëve nga 3 në 2 pas bashkimit të Albtelecom me One, “kanë sjellë efekte edhe në aspektin e tarifimit të shërbimeve me pakicë”, por nuk jep të dhëna mbi rritjen e perceptuar të çmimeve pas bashkimit.
“AKEP e ka monitoruar në vijimësi njoftimin e ndryshimeve të planeve tarifore të sipërmarrësve mobile dhe, në kuadër të bashkëpunimit dhe kërkesave të Autoritetit të Konkurrencës, ka përcjellë pranë këtij të fundit njoftimet dhe përmbledhjen e planeve tarifore të njoftuara pranë AKEP,” thuhet në raport.
“Në ndryshim nga periudhat pararendëse vërehet se pas bashkimit me përthithje të One Telecommunications me Albtelecom, përgjatë periudhës 2023 – 2024 ka pasur një reduktim të konsiderueshëm të numrit të paketave ekzistuese të këtyre sipërmarrësve, sjellje kjo e vërejtur edhe tek sipërmarrësi Vodafone Albania. Ndryshimet në planet tarifore të ofruara për pajtimtarët fundorë janë reflektuar në uljen e numrit të planeve tarifore dhe larmishmërisë së tyre, veçanërisht tek pajtimtarët me parapagesë,” thuhet në raport.
Në total, kostoja e shërbimeve të komunikimit, ku përfshihen celularët, telefonia fikse dhe interneti, ishte 39.3 miliardë lekë për vitin 2024, me një rritje prej 5.3% kundrejt vitit paraardhës.
Në shkurt, Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se ka vendosur në “hetim paraprak” kompanitë Vodafone dhe One për tregun me pakicë “nisur nga disa ankesa […] mbi rritjen e çmimit të paketave me parapagesë”. Hetimi do të shqyrtojë sjelljen e kompanive për periudhën 1 janar 2022, 31 dhjetor 2024. Në rast se gjenden fajtore, Autoriteti ka të drejtë të gjobisë kompanitë me 2 deri në 10% të xhiros vjetore. Kompanitë në fjalë janë vënë shpesh nën hetime në të shkuarën. Në vitin 2017, tre kompani të pranishme në treg vendosën brenda një jave paketa thuajse identike në çmime dhe në sasi. AMC dhe Vodafone kanë qenë kompanitë e para të gjobitura për abuzime me pozicionin dominues nga Autoriteti i Konkurrencës dy dekada më parë. Në atë kohë, dy kompanitë, Vodafone dhe AMC, arrinin të siguronin gati gjysmë miliardi euro të ardhura në vit, të vjela nga një ekonomi që ishte disa herë më e vogël se sa sot. Në atë kohë, Vodafone e AMC realizonin norma fitim neto kundrejt të ardhurave 50 apo 60%.
Disa masa rregullatore pas vitit 2009 si dhe hapja e konkurrencës me hyrjen në treg të kompanisë Plus solli dobësimin e aftësisë së këtyre kompanive për të dominuar tregun. Shërbimet celulare aktualisht i kushtojnë shqiptarëve 28 miliardë lekë, pothuajse sa gjysma e asaj që kushtonte në vitin 2008.