Të ardhurat nga mallrat e akcizës rënie me 30%

Importet e mallrave të akcizës dhe të ardhurat nga kjo taksë kanë shfaqur një ecuri të dobët gjatë muajit shtator dhe në përgjithësi për të gjithë tremujorin e tretë. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, të ardhurat nga akciza për tremujorin e tretë të vitit ranë në 11.9 miliardë lekë, 3.4% më pak krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Importi i karburanteve, që përfaqëson kolonën kryesore të akcizës dhe të të ardhurave buxhetore në tërësi, ishte në rënie përgjatë gjithë tremujorit të tretë të vitit, kur u importuan 135.5 mijë tonë karburante, 8.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në gjysmën e parë të vitit, rritja e importeve të karburanteve kishte qenë një ndër mbështetësit kryesorë të rritjes së të ardhurave tatimore, por në tremujorin e tretë vërehet një tendencë e qartë rënëse. Tendenca drejt rënies e importit të karburanteve me shumë të ngjarë do të ketë reflektimet e veta në ecurinë e të ardhurave buxhetore gjatë pjesës së dytë të vitit. E njëjta tendencë vërehet edhe për shumicën e mallrave të tjerë të akcizës. Kështu, për tremujorin e tretë, importet e kafesë ranë në 2140 tonë, 5.5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Importet e birrës ranë në më pak se 12 milionë litra, 8.2% më pak krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Cigaret janë produkti me rezultatin më të dobët po të llogarisim gjithë 9-mujorin, me 2.5% më pak krahasuar me 9-mujorin e vitit 2015.

Janar-shtator, u grumbulluan 23.3 milionë euro më pak

Sipas të dhënave zyrtare nga Doganat, mësohet se për periudhën janar-shtator janë grumbulluar 109.1 miliardë lekë, nga 112.3 miliardë që ishte plani. Hendeku i krijuar në raport me planin është 3.2 miliardë lekë, ose rreth 23.3 milionë euro në të gjithë periudhën 9-mujore. Doganat nuk e kanë realizuar planin në mënyrë sistematike që nga muaji maj, përveçse në shkurt, mars dhe prill. Të dhënat tregojnë se volumet e importeve i kanë favorizuar doganat. Gjatë periudhës në fjalë, volumi total i importeve është rritur me mbi 9%. Nga 409,9 miliardë lekë mallra që janë importuar në vitin 2015, në nëntëmujorin e këtij viti kanë hyrë në Shqipëri 448,1 miliardë lekë importe. Me rritje kanë qenë edhe importet e taksuara me rreth 8.9% më shumë se në nëntëmujorin e 2015-ës. Por në shtator, mbledhja e të ardhurave nga doganat shihet të jetë përkeqësuar ndjeshëm. Sipas të dhënave, shihet të jenë mallrat e akcizës, të cilat kanë pësuar një rënie të fortë të importeve. Importet e karburanteve në muajin shtator ishin 30% më të ulëta se të muajit gusht dhe më të ulëtat e këtij viti, ndërsa importet e cigareve ranë me 10% në shtator në krahasim me gushtin. Në rënie janë dhe importet e birrës dhe kafesë.

Dobësimi i ekonomisë më 2016

Ndryshe nga qeveria, institucionet e së cilës pohojnë se ekonomia e vendit po rritet në mënyrë të qëndrueshme rreth 3%, bankat tregtare në vendin tonë kanë një perceptim krejt të kundërt për zhvillimet ekonomike të këtij viti. Të anketuara nga Banka e Shqipërisë në lidhje me rreziqet që mund të kanosin aktivitetin e tyre gjatë këtij viti, bankat kanë renditur se rrezikun më të madh përkeqësimin ekonomisë së brendshme. Ndër pesë rreziqet që kanosin veprimtarinë e bankave, “përkeqësimi i ekonomisë më 2016” është renditur si rrezik shumë i lartë, duke lënë pas kështu edhe rreziqet që vijnë nga mosekzekutimi i kolateraleve dhe moskthimi i kredisë në banka. Perceptimi për rrezikun e përkeqësimit të ekonomisë është rritur ndjeshëm në gjashtëumujorin e parë të vitit, pasi kishte rënë për 3 6 mujorë radhazi, për të arritur në nivelin më të ulët në fund të vitit 2015. “Përkeqësimi i ekonomisë së brendshme” vijon të mbetet rreziku më i rëndësishëm sistemik dhe në perceptimin e bankave, niveli i rëndësisë së tij është rritur nga “mesatar” në “i lartë”, pohoi Banka e Shqipërisë, duke analizuar elementë që kërcënojnë stabilitetin financiar.

Artikulli paraprakShqipëria me kreditë më të larta me probleme në rajon
Artikulli tjetërPD: Krimi, droga dhe mashtrimi, modeli i Ramës