Të arrestuarit e dosjes “5D”/ SPAK merr të pandehur ish-drejtorët e Bashkisë, u komunikon akuzën

Prokuroria e Posaçme iu ka komunikuar akuzat disa prej ish-zyrtarëve të arrestuar në kuadër të dosjes “5D”.

Raportohet se Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tusha janë marrë të pandehur për shkak të respektimit të afateve për mos parashkrimin veprës penale të mosdeklarimit të pasurisë.

Sipas ligjit brenda afatit 5-vjeçar nuk iu komunikon akuzën, ajo parashkruhet. SPAK ka vendosur që t’i komunikojë disa nga akuzat në mënyrë të tillë që mos të parashtrohet vepra penale dhe të vijojë hetimet. Ndërkohë, vijojnë hetimet për aferën 5D.

SHKELJET SIPAS SPAK

SPAK bën me dije se nga burimet e provave të mbledhura në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. Molla dhe Qato e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, shtetasit E.M., M.P. dhe N.M., si ortakë fiktiv në aktet e regjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore.

Së pari, nga hetimet e kryera është provuar fakti se në periudhën 2016-2020, gjatë kohës që Redi Molla ka ushtruar funksionin e drejtorit të përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës-Kanalizime Tiranë” sh.a, shoqëria tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 (shtatë) procedura prokurimi, të realizuara nga autoriteti kontraktor “Ujësjellës-Kanalizime Tiranë” sh.a.

Në këto procedura prokurimi, Molla ka pasur cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor ka urdhëruar kryerjen e prokurimit, ka urdhëruar përbërjen e Njësisë së Prokurimit, ka urdhëruar përbërjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (duke caktuar në katër raste si anëtar të këtij komisioni Mariglen Qato që është ortaku tjetër indirekt i shoqërisë), ka nënshkruar kontratat e sipërmarrjes, si dhe ka kryer çdo veprim tjetër që lidhet me cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, me shoqërinë tregtare në zotërim të tij.

Së dyti, është provuar fakti se në periudhën 2016-2018, gjatë kohës që Qato ka ushtruar funksionin e drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës-Kanalizime Tiranë” sh.a, subjekti tregtar i mësipërm ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 4 (katër) procedura prokurimi. Në këto procedura prokurimi shtetasi Qato ka pasur cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qenë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për shoqërinë tregtare në zotërim të tij.

Së treti, nga veprimet hetimore të kryera është provuar fakti se shoqëria tregtare “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, në disa procedura prokurimi të organizuara nga autoriteti kontraktor Bashkia Tiranë.

Janë krijuar dyshime të arsyeshme se Taulant Tusha në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albano Janku, në cilësinë anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në disa procedua prokurimi, e kanë favorizuar dhe i kanë krijuar këtij subjekti tregtar avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë që kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit, duke e shpallur fituese të procedurës së prokurimit në mënyrë të parregullt dhe në shkelje të rregullave të prokurimit publik. Ekzistojnë dyshime të bazuara se Taulant Tusha. ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe ka favorizuar këtë shoqëri tregtare duke ditur se cilët persona kanë qenë zotëruesit indirekt të aksioneve të shoqërisë.

Së katërti, janë mbledhur provat e nevojshme që provojnë faktin se Eglantina Zere në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt. Shtetasja E.Z. ka pasur komunikime direkte me Nestor Muhamellarin administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.

Së pesti, nga hetimet e kryera është provuar edhe fakti se Deborah Keçi në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor Klubi Sportiv “Tirana”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt. Deborah Keçi ka pasur komunikime direkte me shtetasin Nestor Muhamellari, administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i dhënë titullari i autoritetit kontraktor Muhamellarit, user-at e anëtarëve të KVO-së.

AKUZAT PËR SECILIN TË ARRESTUAR:

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin nr.28, datë 28.03.2024, ka vendosur:

-Caktimin ndaj personit nën hetim Redi Molla të masës së sigurimit “arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i) “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në 7 (shtatë) raste, nga këto 4 (katër) raste të kryera në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 259 dhe 25 të Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer në 5 (pesë) raste, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.

-Caktimin ndaj personit nën hetim Mariglen Qato, të masës së sigurimit “arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i) “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në 4 (katër) raste, të kryera në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 259 dhe 25 të Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/ 2021, datë 23.03.2021; (ii) “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.

-Caktimin ndaj personit nën hetim Taulant Tusha të masës së sigurimit “arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, e kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

-Caktimin ndaj personave nën hetim Enton Punavija të masës së sigurimit “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, e kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

-Caktimin ndaj personit nën hetim Julian Zanaj të masës së sigurimit “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

-Caktimin ndaj personit nën hetim Albano Janku të masës së sigurimit “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.

-Caktimin ndaj personit nën hetim Nestor Muhamellari, të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer dy herë, të parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.

-Caktimin ndaj personit nën hetim Eglantina Zere të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” të parashikuar nga nenet 234 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, duke e pezulluar nga funksioni publik “Drejtor” në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit, në Bashkisë Tiranë, e dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.

-Caktimin ndaj personit nën hetim Deborah Keçi të masave të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, duke e pezulluar nga funksioni publik “Drejtor” në “Klubin Sportiv Tirana”, pranë Bashkisë Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021. Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal-tha SPAK!

Zbardhen përgjimet e SPAK për ish-drejtorët

Janë zbardhur disa nga bisedat telefonike të ish drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme.

Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar nga dosja e SPAK për ish-zyrtarët, bisedat midis ish-drejtorit IMT-së, Mariglen Qato, ish-drejtorit të Ujësjellësit, Redi Molla dhe biznesmenit Nestor Muhametllari, i cili zotëronte de jure kompaninë 5D, në të cilën kanalizoheshin tendera publik.

Nga përgjimet e siguruara nga SPAK, shtetasi Taulant Cjap, i cili ka qenë i punësuar në shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k, i është ankuar Nestor Muhametllarit për pushimin e tij nga puna.

Ndërkohë, sipas bisedave, Muhametllari është shprehur se “vendimi për ty më ka ardhur”.

“Nga përmbajtja e këtij komunikimi rezulton se megjithëse shtetasi Nestor Muhametllari është ligjërisht administratori i shoqërisë, nuk është ai që në këtë rast ka vendosur për marrjen apo për largimin nga puna të shtetasit Taulant Cjapi. Por vendimi është marrë nga personi me emrin “Meri”, me të cilin personat e mësipërm i referohet shtetasit Mariglen Qato”, argumenton SPAK.

Ndërkohë në dosjen e SPAK është edhe një bisedë e datës 25.03.2022, ku shtetasja Jonida Hoxhaj i ka dërguar shtetasit Nestor Muhametllari mesazhin me përmbajtjen: “Nestor atë rregulloren kur do ta fusim në punë sepse të qeshurat e juristëve dëgjohen deri te recepsioni poshtë”.

Këtij mesazhi, Nestor Muhametllari i përgjigjet se: “Ja ta takoj unë (R) nëse e ka lexuar”.

“Ky komunikim po ashtu dëshmon mbi faktin se vendimmarrës për punët e përditshme të shoqërisë, duke përfshirë edhe miratimin e rregullores së brendshme. nuk është shtetasi Nestor Muhametllari, por personi i identifikuar prej tij me emrin (R)”, thuhet në dosjen hetimore.

Konkretisht nga të dhënat e nxjerra ka rezultuar se shtetasi Nestor Muhametllari ka pasur komunikime me shtetasin Mariglen Qato, të regjistruar me emrin “Mer Qato”, ku në një nga bisedat i dërgon edhe një dokument që e përshkruan si “aplikimi për në Yzberisht”.

Po ashtu rezulton se shtetasi Nestor Muhametllari ka pasur komunikime me shtetasin Redi Molla, ku bisedojnë për tu takuar. Në datën 12.11.2021 midis tyre është zhvilluar biseda si më poshtë:

Nestor: Ok Lthate.

Nestor: erdhi pergjigjeja.

R.Molla: Nonaaaaaa.

“Ky komunikim zhvillohet në kontekstin e zhvillimit të një procedure prokurimi që ka për objekt kryerjen e punimeve në vendin e quajtur “Liqeni i Thatë, e cila është fituar nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k, procedurë e cila analizohet në vijim, si pjesë e faktit penal objekt procedimi”, thuhet në dosjen e SPAK.

Pjesë nga dosja e SPAK:

Shtetasi Nestor Muhametllari për periudhën nga data 20.09.2019 deri në datën 07.06.2023 ka pasur 1011 thirrje telefonike (duke përfshirë edhe thirrjet të humbura) me shtetasin Mariglen Qato, me nr.06920*, i regjistruar me emrin “Mer Qato”.

Për periudhën e mësipërme shtetasi Nestor Muhametllari ka pasur gjithashtu kontakte telefonike me shtetasin Redi Molla me numer telefoni nr.0692582402, ku përfshihen 528 thirrje telefonike, kontakt i regjistruar me emrin Redi Molla. Rezulton se shtetasi Taulant Cjapi ka rezultuar se ka qenë i punësuar në shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k. Midis shtetasit Taulant Cjapi dhe shtetasit Nestor Muhametllari në datën 26.07.2021 është zhvilluar biseda si më poshtë:

Taulant Cjapi: “sot more vesh qe tkan then qe hige landdin nga puna ti je me koshien qe un aq sa kam ditur kam ber edhe mbase nga mosditja pa jo ume lini femijen pa buk

Nestor Muhametllari: “O Land ty us muk te kam sjette, dhe as mik te kam hequr une… vendimi për ty me ka ardhur”.

Cjapi: “fim vllai te ect mbar ne pun”.

Muhametllari: “Flasim Landi”.

Cjapi: “Skemi cu flasim me ti i kishe then merit qe landi sben asgje nderkoh qe un per kok cumit tkam kerku pun perdit dhe ti i kishe then qe landi sben per asgje kshu me tha tel un di se jam sjell mir.

Nga përmbajtja e këtij komunikimi rezulton se megjithëse shtetasi Nestor Muhametllari është ligjërisht administratori i shoqërisë, nuk është ai që në këtë rast ka vendosur për marrjen apo për largimin nga puna të shtetasit Taulant Cjapi. Por vendimi është marrë nga personi me emrin “Meri”, me të cilin personat e mësipërm i referohet shtetasit Mariglen Qato.

Në datën 25.03.2022 shtetasja Jonida Hoxhaj i ka dërguar shtetasit Nestor Muhametllari mesazhin me përmbajtjen: “Nestor ate rregulloren kur do ta fusim ne pune sepse te qeshurat e juristeve degjohen deri te recepsioni poshtë.

Shtetasi Nestor Muhametllari i përgjigjet se: “Ja ta takoj unë (R) nëse e ka lexuar”. Ky komunikim po ashtu dëshmon mbi faktin se vendimmarrës për punët e përditshme të shoqërisë, duke përfshirë edhe miratimin e rregullores së brendshme. nuk është shtetasi Nestor Muhametllari, por personi i identifikuar prej tij me emrin (R).

Gjatë hetimeve shtetasit Nestor Muhametllari i është sekuestruar aparati i telefonit celular i markës Samsung S8, për të cilin është kryer ekspertimi teknik. Nga këqyrja e të dhënave të përfituara nëpërmjet ekspertimit teknik ka rezultuar se ky aparat është përdorur për pak ditë, por ka disa komunikime me vlerë provuese mbi faktet objekt procedimi.

Konkretisht nga të dhënat e nxjerra ka rezultuar se shtetasi Nestor Muhametllari ka pasur komunikime me shtetasin Mariglen Qato, të regjistruar me emrin “Mer Qato”, ku në një nga bisedat i dërgon edhe një dokument që e përshkruan si “aplikimi për në Yzberisht”.

Po ashtu rezulton se shtetasi Nestor Muhametllari ka pasur komunikime me shtetasin Redi Molla, ku bisedojnë për tu takuar. Në datën 12.11.2021 midis tyre është zhvilluar biseda si më poshtë:

Nestor: Ok Lthate.

Nestor: erdhi pergjigjeja.

R.Molla: Nonaaaaaa.

Ky komunikim zhvillohet në kontekstin e zhvillimit të një procedure prokurimi që ka për objekt kryerjen e punimeve në vendin e quajtur “Liqeni i Thatë, e cila është fituar nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k, procedurë e cila analizohet në vijim, si pjesë e faktit penal objekt procedimi.

Exit mobile version