“Të burgosurit mjekoheshin pa kushte sanitare, udhëheqja kishte një klinikë e posaçme dentare”, rrëfimi i mjekut stomatolog: Sa paguheshim në diktaturë

UVIL ZAJMI/ Ju kujtohen klinikat dentare në Shqipërinë socialiste? Po dentistët, dentistet, ato gra, tek të cilët nuk ka një qytetar, të mos ketë shkuar, të mos jetë ulur te ajo karrige e veçantë, të mos ketë provuar frezën gërryese, vënien e arsenikut për “ngordhje” nervi, pastaj mbushja, apo heqje dhëmbi?

 

Si ka funksionuar ai mekanizëm në ato vite, kur qyteti kishte një klinikë qendrore, në të cilën punonin stomatologët më të mirë, organizimi i punës, nga pajisjet, mjetet, aparaturat të ardhura nga Kina e largët. Radhët në mesnatë, puna me turne dhe si aplikohej procesi në burgje, deri në klinikën dentare që shërbente për udhëheqësit?. Një rikthim në ato vite, tek ato klinika, dentistët, dhe sa kushtonte një vizitë, një mbushje, vënia e një proteze apo gjithçka ishte falas? Sa paguhej një stomatolog dhe për mjaft detaje të tjera, për gazetën “Panorama”, rrëfen Skënder Çaushi, një nga dentistët e njohur kryeqytetas, kur tregon: “Kam nisur punë si stomatolog në vitin 1965, dhe vazhdoj ende në këtë profesion. Për ne dentistët, nuk ishte vetëm shërbimi, por edhe komunikimi i përditshëm, i vazhdueshëm me klientin, një marrëdhënie me të cilën mësohesh, e pa të nuk mund të qëndrosh”. Me një eksperiencë shëmëvjeçare në këtë profesion, tejet popullor në zonën, lagjet, klinikat ku ka punuar, i tillë ka mbetur edhe sot. Mbi të gjitha edhe me kujtesën, ndërsa shprehet: “Të qenit mjek stomatolog, është si profesioni i arsimtarit. Këtë e konstatoj edhe sot, kur takoj ish pacientë, më përqafojnë më japin të njohur. Sigurisht që më vjen mirë. Nga ajo kohë, kujtoj profesorët, stomatologët, drejtorët, miq, kolegë, breza, deri edhe pacientë, ata të veçantë, siç ishin të dënuarit.

Stomatologu Skënder Çaushi duke folur për “Panorama”
Stomatologu Skënder Çaushi duke folur për “Panorama”

Zoti Çaushi, kur keni filluar punë si mjek stomatolog?

Ka qenë viti 1965, pasi mbarova fakultetin u emërova në Krujë. 2 vjet aty kam shërbyer, një klinikë e vogël dentare, dhe vetëm unë mjek. Flija aty. Pastaj u transferova në Laç, si qytet i që i përfshinte një rreth. Si ndihmës mjeke, laborante ishte një grua shkodrane. Flija në një konvikt. Më pas u martova, dhe në Laç erdhi edhe gruaja, farmaciste. Na dhanë një apartament. Deri më 1974, gati 7 vjet, paradite, mesditë, në klinikë, ruaj kujtime të të mira, në marrëdhëniet me qytetarët, familjarët.

Rikthimi në Tiranë, në cilin vit?

Më 1974, më transferuan në Tiranë, por me punë në Krrabë. Para se të sistemoheshe në Tiranë, fillimisht të caktonin në periferi të saj. Edhe për faktin, se gratë stomatologe, që punonin në këto zona, duke qenë të martuara, me fëmijë, për t’i lehtësuar i sillnin në Tiranë, duke i zëvendësuar me burra. Në Krrabë qëndrova deri më 1980. Për t’u sistemuar përfundimisht, në Klinikën 1-2 të Tiranës. Në repartin e terapisë, pastaj repartin e kirurgjisë, me ndërhyrje të lehta, si abseset, etj.

Edhe kleringu i rëndësishëm në ato marrëdhënie, shërbime?

Kryesisht ishin nga shtetet lindore, të demokracive, me të cilat kishim marrëdhënie në disa fusha. Janë vitet, periudha kur funksiononte kleringu, si formë shërbimit në marrëdhëniet tregtare. Nga aparatura, materialet, pjesët e këmbimit, sidomos Çekia që na furnizonte më shumë. Por edhe nga Belgjika, Holanda, RD Gjermane. Freza me çelik nga këto dy vende ishin të një kualiteti më të mirë.

Jemi në mesvitet ’60-7’0, ka një situatë pak të vështirë?

Që erdhi edhe nga prishja me Bashkimin Sovjetik, raportet diplomatike të tensionuara me disa shtete të bllokut lindor, pati pasoja në disa fusha në Shqipëri, një e tillë u krijua edhe në sektorin tonë, veçanërisht për materiale, gjetjen e tyre. Po kështu edhe aparaturat, mirëmbajtjen, funksionimin, kur në jo vetëm në Tiranë, po kudo punohej me aparatura të vjetruara, që prisheshin shpejt, e pamundur të riparoheshin, kështu dilnin jashtë përdorimit. Ishin tipa që punonin me levën me këmbë, me rripa transmisioni të konsumuara. Vetëm allçinë, pambukun, ndonjë apmulë i kishim tonat, gjithçka tjetër vinte nga jashtë.

Mjaftonte vetëm një darë, dhe proces i kryer?

Fillimisht, në ato vite, në mungesë të anestezikut, kishte raste edhe pa mpirje me darë i hiqnim dhëmballët. Më vonë u aplikua, filloi përdorimi i injeksioneve, por me kufizim. Deri në tetë o dhjetë të tilla, aq kisha në dispozicion pra për një numër të vogël, të reduktuar pacientësh në ditë. Ishin prodhim i “Nish Profarmës”.

Tirana, me një klinikë të vetme qendrore

Një klinikë qendrore kishte Tirana, flas për vitet ’60-’70- të. Ka qenë në katin e tretë në një ndërtesë në krah të majtë të bulevardit, pas reklamave të kinemave, midis pastiçeri “Peza” dhe “Dyqanit të pionierëve” apo “Kafe-Pastiçeri Tiranës”. Kur ajo u prish, dhe nisën punimet për ndërtimin e Muzeut Kombëtar, klinika qendrore u transferua ngjitur me ATSH-në, po në vazhdim të bulevardit.

Si caktoheshin, cilat ishin kriteret e një stomatolgu për emërim?

Në klinikën qendrore të Tiranës punonin mjekët, stomatologët më të mirë. Studentët që patën mbaruar, diplomuar jashtë, në ish-vendet lindore, të cilët u kthyen u bënë pedagogë, njëkohësisht shërbenin edhe si dentistë në klinikën qendrore. Pak a shumë i njëjti proces edhe në qytetet e tjera.

Rritet numri, me një të tillë në çdo lagje, zonë, deri në periferi?

Në Tiranë, lindi nevoja të kishte më shumë klinika, sidomos pas viteve ’70-të. Fillimisht u hapën në lagje. Kujtoj që Lagjja 1 dhe 2 ishin bashkë pranë gjimnazit “Ismail Qemali”. Një tjetër te Materniteti, pastaj te Lagjja 9, ajo 10-të, një tjetër te “21 Dhjetori”, pallatet Moskate, etj.. Gjithashtu edhe në periferi të Tiranës, si në Kombinatin Tekstil, Laparakë, Kamëz, Kinostudio. Deri në fshatra, si Baldushk, Ndroq, Krrabë, Surrek, Shëngjergj, etj. Punonin stomatologë nga Tirana, shkonim me autobusë urbanë të linjave, ose flinin aty.

Flitet shumë edhe për Medresenë, pse, dhe cila është lidhja me stomatologjinë?

Në ato vite, sistemi i stomatologjisë, kishte Medresenë dhe më pas klinikat ku u shërbehej qytetarëve. Medreseja, ka qenë një qendër e rëndësishme, klinika akademike e universitetit, ku bënin praktikën studentë, jepnim mësim pedagogë, por njëkohësisht ka shërbyer, funksionuar edhe për mjekimin e pacientëve.

Klinika jo vetëm për të rriturit, por edhe fëmijët?

Klinikat e Tiranës, kishin reparte edhe për fëmijët, që kishin mbaruar 7-vjeçaren, ose që nuk ishin ende në shkollë. Tejet aktive, që shërbenin edhe gjatë periudhës, pushimeve të gjata verore. Por, edhe gjatë vitit shkollor, mjekë që shkonin në shkolla, në ato kontrolle periodike, merrnin nxënësit me probleme dhe i sillnin në klinikë për një mjekim më të specializuar. Klinika 1-2, fillimisht ka shërbyer për fëmijë.

Flitet edhe për një klinikë, pak speciale që ka qenë këtu në kryeqytet?

Në Tiranë ka funksionuar gjithashtu edhe klinika dentare e udhëheqjes, pranë klinikës speciale të tyre. Nuk kishte repart të mirëfilltë, por një dhomë sigurisht me kushte, aparatura të kohës. Dhe kur ishte e nevojshme, kur dikush nga byroja, qeveritarët e lartë kishin shqetësime, probleme, njoftoheshin mjekët. Ishin disa të autorizuar, sigurisht mjekë të njohur, më të mirët të diplomuar jashtë. Kujtoj, Çerziz Mingomataj, Pano Lulon.

Nga studimet, larg Tiranës, për të shërbyer edhe në qytete të tjera

Ata që diplomoheshin në Shqipëri, në përfundimin e çdo sezoni universitar ishin rreth 20-24 studentë në çdo vit. I shpërndanin në gjithë Shqipërinë, kudo, qytete, zona të thella. Shumë pak mbanin në Tiranë, kryesisht vajza të fejuara, martuara. Në fakultet nuk kishte vetëm nga Tirana, të cilët ishin pak të favorizuar, pasi i emëronin në qytetet e tyre pas universitetit.

Arseniku, ai që “çmendte” shqiptarët

Një nga proceset delikate, të rëndësishme, për të punuar pa dhimbje në mbushje, ishte “ngordhja e nervit”, siç njihej në gjuhën popullore. Përdorej arseniku, i cili konsiderohej helm, i rrezikshëm, ndalohej, mbahej i rezervuar. Do ta ruaje në kasetë, të mbyllur me çelës. Dorëzoheshin në mbrëmje, te kryeinfermierja që e mbyllte në një tip kasaforte, për t’ia dhënë në mëngjes mjekut që kishte turnin.

Kufizime edhe për heqje, kjo në situata të tensionuar

Dhjetë ampula për anestezi, për 8 deri në 10-të pacientë, kaq ishte numri ditor për një mjek. Kjo më shumë në rastet e krizave, kur ashpërsoheshin marrëdhëniet me botën. Në rastet që na kishte mbaruar, kryhej edhe pa anestezi, gjithmonë kur personi pranonte. Për të hequr veprohej jo me orar, siç funksiononte për mbushke apo në vijim të proceseve të tjera. Futu njëri, dil tjetri, aman vetëm ma hiq, luteshin pacientët. Sigurisht në raste urgjente.

Të mjekoje një të burgosur, çfarë procesi ishte?

Kur nga k.mjeku, kryesisht kërkonte ndihmë stomatologjike mjekësore, duke informuar për zonën ku kishte shqetësime i burgosuri. Merrja veglat, ato më praktike, për atë pjesë të gojës që më kishin këshilluar, orientuar. Kishte raste kur atë ditë mjekonim edhe 3-4 të burgosur. Në burg futeshim normalisht pasi ishte lajmëruar drejtoria e administratës. Ishim të njohur me personelin e burgut. Pasi i mjekonin largoheshim. Në një dhomë, pa asnjë kusht sanitar, apo diçka të tillë. Kur kishte për t’ia hequr, ia hiqnim. Në rastet e një gjendje të rëndë, dhe që duhej ndërhyrje më e specializuar dhe në kushtet e një klinike, i sillnin të shoqëruar në klinikë, sipas lagjeve, që përfshinte zona e burgut. I njëjti proces edhe me gratë që ndodheshin në burgun te “Ali Demi”. Po kështu edhe atë 323.

Edhe për të sëmurët, një tjetër asistencë, pak ndryshe?

Në Spitalin Nr1. në Tiranë, ishte, funksiononte edhe një pavion, repart i veçantë i stomatologjisë, për mjekim, ndërhyrje kirurgjikale për të sëmurët që ndodheshin aty, të shtruar për të tjera sëmundje. Një grup me disa stomatologë të njohur, specialistë, si Dhori Pojani, Ago Shameti, Gafurr Shtino.

Më folët për dy dentistë të veçantë, që edhe unë i kujtoj mjaft mirë

Janë dy heqësit e njohur të dhëmbëve, mjeshtra të vërtetë, në ato vite. Jani Gërmenji në klinikën Qendrore dhe Hasan Dervishi në klinikën tonë, 1-2. Të famshëm e shumë popullorë për Tiranën. Ku do të hiqesh dhëmbin, te Hasani, apo te Jani pyesnin njerëzit? Deri edhe “Klinika e Hasanit”, kështu filloi të njihej nga qytetarët klinika jonë, 1-2.

Si organizohej puna, për riparimin, mbarëvajtjen e aparaturave?

Hero Meçe ishte tekniku i Poliklinikës Qendrore, që përveç punës në riparimin e aparaturave në atë klinikë, ku kishte një repart të vogël, merrej edhe me riparimin e tyre në klinikat e lagjeve, etj. Edhe nga periferia, klinikat e tjera kishte raste që te ai i dërgonin, ose shkonte ai për riparim. Heroi ishte për gjithë rrethin e Tiranës. Në ato vite gjithashtu ka funksionuar edhe Ofiçina Elektro-Mjekësore në Tiranë, me teknikë, specialistë tejet profesionistë, ku kryhej riparimi i tyre. Edhe nga rrethet aty i sillnin aparaturat e dëmtuara, ato me defekte të rënda.

Përballë klientit i kushtëzuar me rregulla strikte

Shërbimi ndaj qytetarit kishte rregulla, norma administrative strikte, pa të cilat nuk mund të punoje. Kryesisht ana estetike. Siç ishte përparësja e bardhë, e rëndësishme e detyrueshme për të gjithë. Për burrat edhe një kravatë dhe jo mjekër, i paqethur e i parruar. Paga mujore varionte nga 6500 lekë, që vit pa viti, nisur na vjetërsia në punë shtohej nga 500 lekë.

Një shërbim stomatolog, i detyruar edhe për nxënësit.

Në shkolla u hapën reparte të shërbimit stomatolog, si në ato tetëvjeçare, deri në të mesme, me aparatura modern, po kështu me mjekë të specializuar. Qyteti Studenti kishte klinikën e dhëmbëve që shërbente për studentët.

Si veprohej, pas një shqetësimi, ku duhet të drejtohej qytetari?

Do merrje leje në punë, shkollë, për të marrë orën e takimit. Kur vinte pacienti, çdo klinikë kishte “Filtrin”, kështu quhej një dhomë ku mjeku pas vizitës përcaktonte se ku ishte nevoja. Për mbushje, punohej me kartela, të hapej një e tillë, u caktonte mjeku, orarin. Për të marrë këtë takim, kishte raste që njerëzit prisnin në rrallë me orë. Ku banoje, ku e kishe shtëpinë, kuptoj edhe lagjja, dhe nuk lejohej nga njëra tek tjetra. Ndërsa për heqje jo, qëndronin në pritje.

Si veprohej nga ana financiare me qytetarët, për një mbushje, heqje, apo një komplet dhëmbësh?

Çdo veprim, shërbim funksiononte, kryhej pa pagesë. Ndryshe me vendosjen e dhëmbëve komplet, marrja e masave, urat metalike fikse, ishte një proces i gjatë dhe që kishte kërkesa të mëdha e të vazhdueshme. Kishte pak material dhe kur vinte furnizimi, krijohej konfuzion. Njerëzit zinin radhën një natë, flinin te klinika, me listë, për të qenë të parët. Deri në dhjetë komplete mund të garantoheshin. Diçka, në 1200 lekë ishte vlera financiare për to.

Si ishte e organizuar puna në ato klinika, të gjitha shtetërore?

Dentistë burra e gra, 8 orë në punë paradite e në mesditë, me dy turne, 7-2 dhe 2 me 10. Pavarësisht se ishin gra, kishin familje, fëmijë, madje edhe kur nuk kishin punë do të qëndronin në klinikë. Drejtorët e klinikave kishin klientët e tyre të preferuar, qeveritarë, zyrtarë, ministra, pasi aty i mjekonin, kuronin edhe ata dhëmbët, me mundësinë, për të favorizuar edhe ndonjë të njohur. Kishte edhe një repart radiografi, të Klinika Qendrore, ku përplaseshin të gjithë dhe vite me pas të tilla u hapën në disa klinika të lagjeve.

Keni punuar me shumë kolegë, një listë e gjatë për të kujtuar?

Janë shumë, e mjaft prej tyre janë ndarë nga jeta. Do të kujtoja Qemal Jasharin, komunikues, me zemër të madhe, Ferhat Sejkon, drejtues i Klinikës Nr. 3, ngjitua me shkollën “Misto Mame”, kishte mbaruar në Bullgari, apo Kahraman Topulli, Semedin Gjini, Besnik Gavazi, Rudi Kapshtica, Kleanthi Prosi, Pano Lulo, Cerziz Mingomataj, e mjaft të tjerë. Po kështu edhe gratë stomatologe, Jeta Vogli, Antoneta Rama, Mira Skuqi, Rezarta Budina, Silvana Nishkun, etj.

Z. Çaushi, sot një sistem modern, deri edhe me klinika private në Shqipëri?

Sigurisht që ai ndryshim i madh social, politik, shoqëror pas ’90-tës edhe në këtë sektor, pati një ndikim, i shoqërua me reforma, kolosale do të thosha, kështu do t’i vlerësoja, si në drejtimin profesional, gjithashtu me aparatura të avancuara, moderne, gjithçka bashkëkohore. Të tilla edhe klinikat. Praktika, eksperienca, që nisën të përdoreshin, të aplikohen edhe në Shqipëri, procese teje të avancuara që në botë, kishin kohë që praktikoheshin.

Në mbyllje, keni një detaj të veçantë për t’ia treguar lexuesit.

Në vitet e para të demokracisë vinin grupe dentistësh nga Anglia, duke parë, ndjekur si e organizonim punën tonë. Dy dhoma, njëra për ne dhe tjetra ku punon ata me profesorin e tyre. Te dhoma jonë hynin e dilnin 4-5 njerëz, njëri pas tjetrit, ndërsa ata me orë, vetëm një pacient. Ndalnin, na shihnin. Ne bënim injeksionin, prit pesë minuta hiq dhëmbin, dilte personi, futej një tjetër. Na ndiqnin, pa komentuar, sigurisht që çuditeshin si punonim, me mënyrën që praktikonim ne. Ata bënin punë të kualifikuar.

Exit mobile version