Nga Ergys MERTIRI
Studentëve po iu bëhet presion duke i kërcënuar se do të humbasin vitin nëse nuk kthehen në auditore. Një kërcënim të tillë e pohoi edhe vetë kryeministri sot, ndërsa artikulonte retorikën e kulaçit dhe kërbacit, duke pohuar se duke iu kthyer leksioneve gjerat rregullohen. Për këtë ka hedhur në aksion pikërisht dekanët që i sulmoi e kërcënoi egërsisht si njerëz të korruptuar e të fëlliqur, të cilëve iu kërkoi që as të mos e mbrojnë qeverinë, pasi mbrojtja e tyre e turpëron atë. Janë po këta dekanë qëe sot po luftojnë me dhëmbë për të mbajtur qeverinë përballë rezistencës së studentëve. Pra, qeveria është në aleancë me të korruptuarit kundër protestës. Pra, qeveria kërcënon dekanët për shkak se ata janë të korruptuar, në mënyrë që ata të kërcënojnë studentët. Pikërisht të korruptuarit janë aseti i saj në këtë moment.
Të dashur studentë, mos e hani presionin!
Përvoja e këtyre ditëve tregoi se gjithçka arrihet vetëm në rrugë. Qeveria merr vesh vetëm me forcën e protestës dhe jo me dialog apo kthim në auditore. Në rrugë jeni të fortë dhe nuk ka asnjë shanc të humbni vitin. Ka 5 vjet që jeni në auditore dhe gjendja është kjo që është. Ndryshimi filloi kur dolët në rrugë, ndaj duke u kthyer në mësim, thjesht humbisni forcën që keni. Nëse jeni të gjithë në shesh, ose të paktën jashtë auditorëve, për qeverinë ka një problem. Dhe për sa kohë për të ka një problem, ajo do jetë në presion për ta zgjidhur. Përkundrazi, nëse fryma e protestës bie dhe shuhet, për qeverinë nuk ka më një problem dhe nuk ka përse të mendojë më për ju, përveç se për propagandë.